Lamtumira e fundit e veteranit të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare, Ilaz Selimi 

Nga Xhevat Bislimi

Bashkëfamiljarë të dashur të bacës Ilaz! Shokë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë të Veteranit të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare! Farefis dhe bashkëkombës të nderuar!

Sot, të gjithë ne jemi të pikëlluar thellë. Sot, po i japim lamtumirën njeriut që jetën e kishte të mbushur me përpjekje, vështirësi, angazhim dhe luftë për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare nga Jugo-serbia. Ilaz Bajrami – Kosova ishte veprimtar dhe luftëtar i orëve të para të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ai nuk kishte pranuar rrugën e nënshtrimit e të pajtimit me pushtuesin dhe kolaboracionistët e tij. Shtypjen, shfrytëzimin, dhunën dhe terrorin e Jugo-serbisë titisto – rankoviçiste baca Ilaz i kishte njohur dhe përjetuar që në rininë e tij. Prandaj, ai u rreshtua me bindje dhe me krejt fuqinë e tij në krah të themeluesve dhe Heronjve të Lëvizjes Popullore të Kosovës: Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës.

Me fjalën dhe veprimtarinë e tij jetësore, Ilaz Kosova u bë i dashur, i respektuar dhe shembull që duhej ndjekur për fëmijët, për nipërit e mbesat dhe për shokët me të cilët vepronte në Lëvizjen Popullore të Kosovës, që nga themelimi i saj e deri te krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilës iu bë krah dhe strehë në secilën rrethanë deri sa u çlirua Kosova shqiptare, pa viset e saj.

Baca Ilaz gjatë gjithë veprimtarisë së Tij patriotike nuk ishte luhatur për asnjë moment nga përcaktimi dhe angazhimi për lirinë dhe të drejtat e popullit të robëruar e të shtypur shqiptar nga Jugo-serbia pushtuese. Ai nuk pati asnjëherë ankesa e kërkesa për veten e tij. Ishte gjithmonë i pari kudo që kërkohej prania, fjala, puna dhe ndihma e tij. Jeta nën pushtim dhe në mërgim, si me gjithë popullin tonë të pushtuar, kishte qenë shumë e padrejtë edhe me te. Por, ai ishte plotësisht i bindur dhe i qartë në përpjekjet dhe luftën e Tij për shkollim, kulturë, zhvillim, përparim e liri kombëtare. Rruga progresive dhe emancipuese liridashëse e Bacës Ilaz dhe e Lëvizjes sonë ishte rruga dhe vullneti i popullit të pushtuar shqiptar. Liritë kombëtare, politike, ekonomike e demokratike janë kusht i domosdoshëm për zhvillimin dhe bashkimin e një kombi të copëtuar e të pushtuar padrejtësisht nga shtetet shoviniste fqinje dhe aleatet e tyre, prandaj, jemi të bindur se idetë e Ilaz Kosovës dhe të LËVIZJES do të jetojnë e do të zhvillohen deri sa të materializohen nga kombi shqiptar me një shtet e një flamur kuqezi.

I dashur Baca Ilaz, sot po të japim lamtumirën e fundit, por ti do të jetosh përherë në mendjet dhe zemrat tona. Përpjekjet, veprimtaria dhe lufta jote dhe e LËVIZJES për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara shqiptare do të jenë burim frymëzimi dhe mobilizimi për rininë dhe popullin shqiptar sa herë t’i kërcënohen liria dhe interesat kombëtare. Baca Ilaz besonte se gjuha jonë është gjuhë e Zotit. Prandaj, edhe unë, në emër të shokëve, bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve, fola në gjuhën më të lashtë e më të bukur para trupit tënd të pajetë, në gjuhën për të cilën vepruan dhe ranë dëshmorë, bijtë më të mirë e më të ditur të Atdheut. Lamtumirë baba, gjysh, bashkëshort, vëlla, kushëri e mik! Lamtumirë shok, bashkëveprimtar e bashkëluftëtar! Lamtumirë Baca Ilaz! Të qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore për të cilën, jetove, u përpoqe e luftove! Lamtumirë!