Shkruan: Mervete Ismajli

Me rastin e 15-vjetorit të hapjes së shkollës shqipe, paraleleve të gjuhës shqipe në qytetet Dingolfing dhe Landau, më 05.07.2025 u organizua një aktivitet festiv nën përkujdesjen e Kryetarit të Këshillit të Prindërve dhe Koordinatorit të LAPSh-it, z. Tefik Jaha, si dhe të mësueseve Ismie Demolli dhe Mervete Ismajli.
Ky përvjetor shënoi një moment të veçantë për komunitetin shqiptar në Gjermani, duke reflektuar mbi përkushtimin dhe suksesin e mësimdhënies së gjuhës amtare në diasporë.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të Konsullatës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Mynih, si dhe përfaqësues të LAPSh-it në Bavari. Të pranishëm ishin gjithashtu diplomatë gjermanë, prindër, nxënës dhe figura të tjera të rëndësishme të komunitetit shqiptar.
Pas fjalimeve përshëndetëse dhe falënderuese nga z. Jaha dhe të ftuarit institucionalë, u theksua roli i çmuar i mësuesve dhe bashkëpunimi i palodhur me prindërit në mbështetje të edukimit të fëmijëve në gjuhën shqipe.
Programi kulturor-artistik, i përgatitur nga mësueset Ismie Demolli dhe Mervete Ismajli së bashku me nxënësit e tyre, përfshiu recitime poetike, këngë dhe valle tradicionale shqiptare, të cilat u pritën me duartrokitje dhe entuziazëm nga të pranishmit. Nxënësit dëshmuan jo vetëm njohuritë e tyre në gjuhën shqipe, por edhe dashurinë për kulturën dhe atdheun.
Ky manifestim u vlerësua si një sukses i përbashkët i komunitetit, institucioneve dhe mësuesve, të cilët prej 15 vitesh kontribuojnë në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes edukimit, kulturës, historisë dhe gjuhës.
Me këtë rast, u përcollën mesazhe inkurajuese për vazhdimin dhe forcimin e arsimit shqip në mërgatë.
