LAPSH-i në Bavari mban “Festën Verore” me nxënës dhe mësues, për fundvitin shkollor 2022/23

Për gazetën: Mustafë Krasniqi

Kryesia e LAPSH-i në Bavari fton nxënësit, mësuesit e bashkëkombësit, si dhe të gjithë ata fëmijë të cilët nuk e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, që së bashku me prindërit të marrin pjesë në manifestimin e “FESTËS VERORE” për përfundimin e vitit shkollor 2022-2023, që do të mbahet më 16.07 2023 në ora 11:00, në Dachau.

Të ftuar janë edhe shoqatat, bizneset që veprojnë në landin e Bavarisë; me qëllim që të bashkuar t’i japim theks të veçantë ruajtjes së gjuhës shqipe, te fëmijët tanë mërgimtarë. Duke mësuar gjuhën amtare ruajmë kulturën, traditën, mbi të gjitha ruajmë identitetin kombëtar-shqiptar.

Ata që e ndjejnë gjuhën e mëmëdheut le të vijnë e ta dëgjojnë se si nxënësit e shkollës shqipe e artikulojnë bukur gjuhën e mëmëdheut, vallen dhe këngën shqipe!

Ejani fëmijë në “FESTËN VERORE“, së bashku të këndojmë e vallëzojmë shqip vetëm shqip, në gjuhën tuaj të mëmëdheut!

Manifestimin do ta përcjell Radio Televizioni i Kosovës (RTK-ja) me reporteren, moderatoren Alketa Gashin Fazliu, njëherit edhe autore e librit “Ato Gdhendin Dhimbjen”.

Librin e autores Alketa Gashi Fazliu do të keni rastin ta keni në duart tuaja, në këtë  takim manifestues.