uraebashkuar
Një darkë formale u mbajt në Langental, nga një prej themeluesve dhe presidenti i bordit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër, Fehmi Fetahu. Takimi u realizua për të biseduar me biznesmenët shqiptarë për funksionimin e kësaj organizate ekonomike në të ardhmen.
Fetahu kishte planifikuar të gjitha detajet e darkës dhe kishte siguruar që ushqimi dhe të gjitha elementet e tjera të jenë të organizuara në një restorant të një pronari shqiptar.
Në takimin ishte i pranishëm edhe Lazim Destani, biznesmeni i njohur dhe filantropi, gjithashtu kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë. Ai përshëndeti bashkimin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër dhe i inkurajoi ata të jenë një model për organizatat e tjera të bizneseve që veprojnë ende të ndara, duke e shprehur bindjen se ndarjet nuk çojnë askund.
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër u themelua në vitin 2013 si organizatë e parë e pavarur, jopolitike dhe joprofitabile, që lidh bizneset e diasporës shqiptare me vendlindjen. Tashmë ka dhjetëra rrjete biznesesh të shqiptarëve në të gjithë botën.
Përveç Fetahut, në darkë ishin të pranishëm edhe afaristja e njohur Merita Pinta, nga Prima Pflege, kryetari i Rrjetit, Qamil Isufi, nënkryetari i Rrjetit, Rexhep Berisha, si dhe anëtarë të kryesisë si Anton Nikolla, Basri Shkodra, Afrim Veliu, Kujtim Krasniqi dhe këshilltari juridik, Nazmi Jakurti ( Nga Gazeta “Diaspora Shqiptare).