Dekonstruktimi i serbizimit

Shkruan: Hysen MATOSHI, Prishtinë

Propaganda ideologjike e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe e strukturave të tjera, që ishin reprezente të politikës serbomadhe, pa lënë anash ndikimin vendimtar të Kishës Ortodokse Serbe, u përpoq të sajonte një mashtrim mbi gjoja njëfarë oaze të bashkëjetesës në harmoni, në bashkim-vëllazërim, sikurse trumbetohej gjithandej. Edhe identiteti i sajuar jugosllav, si një mbiidentitet nacional, ishte në funksion të serbizimit të kombeve dhe kombësive që e përbënin Jugosllavinë. Ishte menduar ky identitet si një fazë kalimtare drejt qëllimit përfundimtar, pra serbizimit të tyre të plotë. Dhjetëfishimi i jugosllavëve të deklaruar për vetëm dhjetë vjet (1971-1981) është dëshmi e përpjekjeve të këtilla serioze.

Tijana Lopiçiq, “Kako su me posrbljavali”, botim i autores, Podgoricë, maj 2021, 191 f.

Hegjemonia serbe në Ballkan, e konceptuar në programet dhe publikimet që inteligjencia serbe, e përkushtuar në rrafshin e formësimit ideologjik të kësaj hegjemonie, sidomos gjatë shek. XIX dhe atij XX, është përvijuar në dy kahe kryesore strategjike të veprimit. Së pari, në dëbimin (përfshirë vrasjen, zhdukjen e plotë) e popujve josllavë nga Ballkani dhe, së dyti, në serbizimin e popujve sllavë të kësaj hapësire (dhe jo vetëm sllavë, kujtojmë vllehtë, romët etj.), madje edhe duke e mohuar autenticitetin e tyre. Kësaj të fundit nuk i është kushtuar vëmendje e veçantë. Kështu, në këtë diskurs të përfaqësuesve, pse të mos themi edhe të kodifikuesve, të kësaj ideologjie hegjemoniste, kemi mundur të lexojmë sa e sa herë se si kroatët nuk janë gjë tjetër, veçse serbë të ritit krishterë roman, se si boshnjakët (myslimanët) nuk janë tjetër, veçse serbë të islamizuar në aspektin fetar, se si maqedonasit përfaqësojnë prototipin e serbëve të dikurshëm, ndërsa malazeztë na qenkan esenca e serbizmit! Duke shkruar e propaganduar kështu për dy shekuj me radhë, intelektualët dhe ideologët panserbë kanë krijuar një mendësi megalomane mbi të ashtuquajturën “botë serbe” (srpski svet), e cila në shtrirjen e saj mëton daljen e Serbisë në jo më pak se tri brigje të ndryshme detesh (Glasnik Pravoslavne Crkve u Kraljevini Srbiji, korrik 1912). Kushdo ndodhet në rrugën e realizimit të kësaj ideje, ose duhet të zhduket ose duhet të asimilohet – të serbizohet me çdo kusht. Në të vërtetë, të gjitha kreaturat shtetërore, të formuara në parimin e shumëkombësisë, duke filluar nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, Mbretëria e Jugosllavisë, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (në të gjitha modalitet e saj që nga AVNOJ-i e deri në shkatërrimin e saj përfundimtar), kanë pasur si pikënisje interesat serbe për një dominim sa më të plotë në hapësirën ku janë shtrirë ato. Mbretëria shumëkombëshe kishte një mbret serb, ndërsa si Mbretëria e Jugosllavisë, ashtu si edhe federata shumërepublikane, e kishin kryeqytet Beogradin – kryeqytetin serb, administrata qendrore – pushteti me mekanizmat e tij funksionalë ishte përqendruar në Beograd dhe ishte identifikuar me Beogradin e me serbët si faktori më i madh kombëtar; po ashtu, ushtria, diplomacia, sistemi ekonomiko-bankar etj. ishin në duar të serbëve dhe të qendërzuara në Beograd. Me një fjalë, edhe gjuha serbe (formalisht e artificialisht pagëzuar si serbokroate) e gëzonte statusin e gjuhës zyrtare dhe përdorimi i saj i detyrueshëm shtrihej në gjithë hapësirën e shtetit, mu sikurse edhe ndikimi i serbëve në të gjitha planet e organizimit shoqëror. Kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë u përkiste si hapësirë ndonjë pjesë e shtetit federativ (ose monarkik), kurse serbëve e tërë Jugosllavia, e cila nuk ishte gjë tjetër, për një shprehje zëvendësuese (eufemike) për Serbinë e Madhe.

Natyrisht, tendencat e këtilla zgjuan reagimin e inteligjencieve nacionale të kombeve të Jugosllavisë, të cilat e panë si rrezik permanent tretjen e identiteteve të tyre në lumin e fryrë të serbizmit. Braktisja e Federatës Jugosllave ishte, në të vërtetë, braktisje e rrezikut permanent të ndryshimit të strukturës së tyre identitare, që dita-ditës po çonte drejt negacionit të plotë të një kombi. Ndër popujt sllavë, malazeztë ishin të fundit që e braktisën kompozicionin hegjemonist serb me shpalljen e pavarësisë më 2006. Megjithatë, zhvillimet rreth kontestimit të aspekteve identitare të malazezëve kanë vijuar deri në ditët e sotme. Tentakula të caktuara ideologjike, politike e fetare serbe vijojnë të ndikojnë jetën e qytetarëve të Malit të Zi dhe, në rend të parë, të vetë malazezëve si komb me identitet të veçantë. Këto zhvillime ndonjëherë janë instrumentalizuar edhe nga subjekte politike. Brishtësia e institucioneve të Malit të Zi edhe sot është rrjedhojë e ndikimit të madh që vijon ta ketë linja ideologjike proserbe dhe proruse në këtë shtet të Ballkanit.

Megjithatë, malazeztë, si në referendumin për pavarësi, ashtu edhe në rastet historike të përcaktimit të drejtë shtetëror (sikurse ishte anëtarësimi në NATO), vendosën që të orientohen kah një e ardhme euroatlantike, e cila bazohet në vlera të respektit të ndërsjellë dhe të shmangies së çfarëdo tutorllëku mbi shtetet më të vogla. Propagandës së hegjemonisë serbe, jo një herë, i janë përgjigjur edhe autoritete intelektuale, duke marrë në mbrojtje identitetin e veçantë shtetëror të Malit të Zi dhe identitetin specifik të qytetarëve të këtij shteti.

Një përpjekje interesante dhe tejet domethënëse në këtë vazhdë e shënon edhe autorja Tijana Lopiçiq me librin “Kako su me posrbljavali” (“Si më serbizuan”), botim i autores, Podgoricë, maj 2021, 191 f., nëpërmjet të cilit ajo ofron një pasqyrë më të plotë të përpjekjeve për deformimin e identitetit malazias, përkatësisht për serbizimin e tij të dhunshëm e sistematik. Që në hyrjen e librit autorja vë në pah dedikimin e kësaj pune shkrimore, përkatësisht brengën e saj legjitime: “Përgjatë historisë mijëvjeçare na kanë mbrojtur luftëtarët trima malazezë, toka është njomur me gjakun e tyre, me qëllimin që të kemi të ardhme. Po këtë të ardhme tani po e rrezikojnë ata që i përfaqësojnë ideologjinë çetnike dhe fashizmin.” (T. L., f. 15)

Një arritje e rëndësishme autores Tijana Lopiçiq, në raport me kontributin e gjertanishëm historiografik të autorëve nga hapësira e Ballkanit, ka të bëjë me përcaktimin kohor të lindjes së ideologjisë serbomadhe. Për të nuk është “Naçertanija” e Ilija Grashaninit (1844) programi i parë ideologjik i krijimit të Serbisë së madhe.  Kjo ideologji lidhet me vitin 1808 dhe me emrin e Ivan Jugoviqit (i pagëzuar si Jovan Saviq), i cili, sipas autores, pretendonte zgjerimin e Serbisë ekzistuese (etnike) duke përfshirë edhe Kosovën (të cilën ai e quante Stara Srbija), Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, pa lënë anash as serbët e Dalmacisë dhe të Austrisë (serbët që ishin nën sundimin austriak). Më 1809, për idetë e tij, Ivan Jugoviqi kishte tentuar ta bindte Princin Prozorovski, gjeneral i armatës ruse, që shteti më i madh sllav t’i mbështeste serbët lidhur me idetë e tij. Mbështetja kishte të bënte me angazhimin e Rusisë që në këtë “luftë për çlirimin dhe shpëtimin e të gjithë të krishterëve ortodoksë nga Turqia” të mos ndërhynte Austria. (T. L., f. 21 – 22)

Ndonëse një kontribut që shkon më tepër kah një botim publistiko-historiografik sesa nga një tekst me pretendime të rrepta akademike, libri i Tijana Lopiçiqit është përplot me dëshmi të cilat e vërtetojnë tezën e saj për serbizimin në masë të malazezëve. Ajo ka hedhur poshtë një varg mitesh që mohojnë qenësinë malazeze, gjenezën dhe identitetin e veçantë kulturor e kombëtar, për të sjellë kundërargumente, por edhe të dhëna statistikore që, në fund të fundit, më mirë se çfarëdo fakti tjetër e dëshmojnë këtë inxhiniering të paparë të deformimit të rëndë të identitetit të një kombi të tërë. Ajo, me të drejtë, e shtron pyetjen se si është e mundur që për dhjetë vjet serbët në Mal të Zi të trefishohen nga 3 për qind sa ishin më 1981 në 9 për qind sa u bënë më 1991, duke ofruar dëshmi edhe më të qarta të këtij shpërdorimi të rëndë nëpërmjet karahasimit të regjistrimit të vitit 1991 me atë të vitit 2003, kur serbët në Malin e Zi u shtuan nga 9 për qind në 32 për qind, pra u trefishuan, madje më shumë se aq, ndërkohë që numri i malazezëve u soll si përqindje nga 62 për qind më 1991 në 43 për qind më 2003. Në kohën e murtajës së bardhë, që ka përfshirë Ballkanin, pra edhe serbët, nuk mund të ketë asnjë logjikë demografike që i shpjegon këto procese të shtimit të popullsisë, përveçse po të interpretohen me logjikën e serbizimit masiv të popullsisë, e cila në këtë rast (nga autorja) i përshkruhet si “meritë” mitropolitit Amfilohije dhe strukturës së Kishës Ortodokse Serbe, por edhe politikës serbe si realizuese të një hegjemonie që atakon këdo që ndodhet në rrugën e zgjerimit territorial të Serbisë.

Nëse nuk ka një zhvillim të shpjegueshëm shkencor, në rend të parë demografik, i cili i sjell malazeztë nga një popullsi me shumicë absolute (më 1948 sipas statistikave zyrtare me 90 për qind, në 43 për qind më 2003) në një popullsi me identitet të rrezikuar nga serbizimi (raporti malazezë – serbë, më 2003, ishte ngushtuar në vetëm 11 për qind), e njëkohshëm serbët nga një popullsi tërësisht pakicë me 2 për qind më 1948 në një popullsi me 32 për qind më 2003, shtrohet pyetja çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Autorja që në titull ka dhënë përgjigjen: kemi të bëjmë me serbizimin e malazezëve. Pak a shumë për aq përqindje sa janë pakësuar malazeztë ndërkohë janë shtuar serbët. Kjo është bërë me mjete të ndryshme dhe me praktika tashmë të njohura (kujtojmë asimilimin e vllehve, romëve etj., të cilët në korpusin etnik serb përbëjnë një faktor aktual të rëndësishëm demografik). Përvetësimi i identitetit malazias është bërë nëpërmjet përvetësimit të gjenezës, të historisë, kulturës, gjuhës, letërsisë, kishës, personaliteteve të shquara historike, madje-madje edhe të aspekteve etnografike sikundër është veshja specifike malaziase etj. Këtu edhe është orientuar vëmendja e Tijana Lopiçiqit, e cila ka bërë përpjekje që të demistifikojë një varg mitesh që ideologjia hegjemoniste serbe i ka përdorur në synimet e saj për ta vënë në pikëpyetje identitetin e një kombi dhe rrugën e tij historike. Këtë situatë ajo e ka identifikuar si “përpjekje për ta ndryshuar vetëdijen kombëtare të malazezëve nëpërmjet veprimtarive proserbe dhe për ta mohuar kombin malazias”…, ndërsa “kjo përpjekje e serbizimit po bëhet nëpërmjet miteve të shumta serbe”. Sikundër edhe gjetiu në luftërat që bënë gjithandej Jugosllavisë, serbët, në krye të herës, “mobilizuan” mitet mesjetare për qëllimet e hegjemonisë së tyre moderne. Mu për këtë autorja është angazhuar që t’i dekonstruktojë mashtrimet mitologjike serbe dhe mashtrimet e reja me substrat mitik që kanë një qëllim të vetëm zhbërjen e identitetit malazias, përkatësisht bashkëngjitjen e tij identitetit serb dhe shkrirjen përfundimtare në të. Them se ky libër është tregues i një vetëdijeje të re që po lind në hapësirën e Ballkanit, e cila nuk do të vuajë nga ekskluziviteti hegjemonist i ndërtuar mbi mite, veçse do të udhëhiqet nga vetëdija për të mbrojtur vlerat e reja shoqërore, sikundër e thotë autorja: “Lufta historike për Malin e Zi po fillon sërish, por jo me armë, veçse me dijen dhe zërin e bashkuar të malazezëve, të cilët nuk do të lejojnë rrënimin e shtetit tonë dhe rrënimin e vlerave themeltare mbi të cilat ndërtohet shoqëria jonë shumëkombëshe dhe shumëfetare”.  (T. L., f. 16)

Mirëpo, nuk janë vetëm mitet ato që ishin përdorur për ta zhbërë identitetin shtetëror të Malit të Zi, më 1918, kur ai “u bashkua” me Serbinë. Autorja gjithanshëm provon se ndaj malazezëve u përdor një dhunë e egër ushtarake për shkak të kundërshtimit që iu bë bashkimit me Serbinë. Ajo dëshmon, nëpërmjet veprës së saj, se si u përdorën kërcënimet për të deklaruar besnikërinë e malazezëve ndaj mbretit serb si shenjë e nënshtrimit ndaj shtetit serb. Edhe pse nuk mund të saktësohet plotësisht numri i malazezëve të torturuar, të rrahur, të burgosur e të vrarë në këto ekspedita, autorja Tijana Lopiçiq nxjerr këtë konstatim lidhur me përmasat e kësaj dhune sistematike mbi kundërshtarët e bashkimit të Malit të Zi me Serbinë: “Numri i shtëpive të shkatërruara dhe të djegura është prej disa mijëra, ndërsa numri i pronave shtëpiake të plaçkitura është shumë më i madh. Dëmet materiale që iu bën popullit malazias nga okupimi serb janë të shumta, shumë më të mëdha se sa ato që ia kishte shkaktuar okupimi austro-hungarez gjatë viteve 1916-1918.” (T. L., f. 33) Pra, Mali i Zi, sipas saj, ishte pushtuar nga Serbia më 1918, ndërsa farsa mbi kinse çlirimin e tij ishte një mit serb.

Marrë parasysh faktin se modeli serb i zhbërjes së hapësirës etnike të kombeve të caktuara të Ballkanit është, pak a shumë, i njëjtë, si rrjedhojë e veprimit uniform të ideologjisë dhe politikës hegjemoniste serbe, e them me bindje të plotë se kjo vepër përbën një interes edhe përtej dimensionit kombëtar malazias. Autorja e ka diagnostikuar shkencërisht, duke u bazuar në argumente të qarta e të prekshme edhe për lexuesin e zakonshëm, dukurinë dhe metodologjinë e serbizimit të një pjese të konsiderueshme pjesëtarëve të kombeve sllave, që e patën fatin (a fatkeqësinë) të ndodhen në kontakt me etnikumin serb dhe gjithashtu të ndodhen si pengesë në rrugën e zbatimit të projekteve megalomane të ideologjisë panserbe. Prandaj, e shoh me interes përkthimin e kësaj vepre në gjuhë të komunikimit global, madje-madje edhe në gjuhët e  kombeve që i përjetuan këto katrahura ideologjike e politike dhe që, si rezultat i veprimit të tyre, u ndodhën në prag të zhbërjes.

Përgjithësisht, kjo vepër është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, karakteristike për publicistikën historiografike, mbi të gjitha të komunikueshme në planin e shpërfaqjes së ideve dhe të përfundimeve. Ideja themelore e saj përçohet si një mision për ta theksuar një të vërtetë, e cila nëse nuk thuhet sot, në kohën e duhur, nesër mund të jetë e vonuar.