Legjendari i ribërjes së legjendave bashkëkohore të Shqipërisë – Adem Shaban Jashari (1955-1998)

Ahmet Qeriqi

Shkruan: Ahmet Qeriqi-Prekazi i Drenicës hyri në historinë tonë më të re, ashtu si Kruja në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Janina në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Prizreni në kohën e Lidhjes Shqiptare të vitit 1878, Vlora në kohën e Ismail Qemalit, Tirana në ngadhënjimin e luftës Antifashiste dhe Prekazi në rezistencën e Legjendarit të UÇK-së, Adem Jashari, Jasharëve dhe trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot, ashtu sikur 21 vitet e kaluara, Prekazi është qendra e përkujtimit, pelegrinazhit kombëtar, ku nisi dhe u kurorëzua lufta jonë atdhetare, me një fitore historike, por ende jo me fitoren vendimtare, sepse porosia e Adem Shaban Jasharit e Jasharëve dhe e të gjithë dëshmorëve, shembulli dhe heroizmi i tyre ende nuk është përjetësuar, ende kemi mbetur rrugëve të historisë së pa bërë, sado që mundohemi të stolisemi me meritat tona, sado që mundohemi ta bindim veten dhe të tjetër se e paskemi kryer amanetin dhe se punët qenkan kryer.

Tri ditët e Prekazit dhe të historisë sonë më të re, janë ditë lavdie, heroizmi, përkushtimi, dashurie për atdhe, por janë edhe ditët që reflektojnë në mendjet dhe zemrat e çlirimtarëve, në plagët e pashëruara të invalidëve, në zemrat e lënduara të veteranëve, në kujtimet e nënave, baballarëve, motrave e nuseve të tyre, bijve dhe bijave të dëshmorëve e martirëve, familjarëve të të pagjeturve…

E madhe është armata e flijimtarëve që sot kujtojnë e reflektojnë, mendojnë dhe nuk harrojnë se liria i kishte rrënjët e skuqura me gjakun e më të dashurve të tyre, se atë nuk ta fal askush, ashtu sikur nuk ia fali Legjendarit, Adem Jasharit, Anteut të kohës sonë

***

Nuk janë të rrallë shembujt e heroizmit, madje as tani në botën tonë moderne, (kur mendohet se legjendat i përkasin së kaluarës dhe ato shërbejnë vetëm për ta rikthyer atë, në kujtesë). Por, një legjendë tipike shqiptare ka hyrë në historinë tonë më të re, ashtu si legjendat e motit, ashtu sikur edhe legjendat e dhembshme të historisë njerëzore, pse jo edhe si legjendat e kohës më të re  me plot tronditje, në të cilën po jetojmë.

Më 28 Nëntor të vitit 1955, në kullën e njohur për besë, atdhetari e njerëzi të Shaban Jasharit, në Prekaz, pikërisht në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kishte lindur një fëmijë mashkull, të cilin, nënë Zahideja dhe babë Shabani e pagëzuan me emrin, Adem, me emrin më të njohur të Biblës, me emrin që simbolizon njeriun e parë të krijuar nga Hyji.

Ai kishte lindur në një ditë të shënuar, andaj edhe prindërit e pagëzuan me një emër të njohur. Një emër i cili më vonë do t’ i bashkohet datave më të rëndësishme të historisë shqiptare, por edhe emrave më të shquar e më të sakrifikuar të asaj historie.

Ditëlindja e Adem Jasharit, më 28 nëntor 1955 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, i shtuan historisë së re shqiptare edhe dy data të tjera në kalendarin e datave më meritore dhe më me rëndësi për tërë kombin.

Më 5. 6 e 7 mars të vitit 1998, në Kullën e Jasharëve të Prekazit, por edhe përreth lagjes Jashari përgjithësisht, natën vonë ishte strukur lubia me shtatë krerë. Si pjellë e satanait, ajo po priste agun e ditës për të filluar sulmin shkatërrimtar kundër kullave të qëndresës, të cilat për një kohë të gjatë nuk kishin lejuar marshimin e forcave të territ nëpër rrugët e lagjes së tyre dhe më gjerë…

Rezistenca e kryetrimit të kohës sonë, e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, e tërë lagjes Jashari përgjithësisht, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte rikthyer në kujtesë legjendën biblike të luftës së Davidit kundër Golijatit, legjendën e 300 spartanëve, legjendën e Lakademonit antik, legjendën e vajzave të Kurbinit,  legjendën e Halil Patronës, të suljotëve e Oso Kukës dhe sa e sa shembujve të tjerë të heroizmit shqiptar nëpër shekuj.

Legjendari, Adem Jashari, për nga përmasa e qëndresës dhe vetësakrifikimit është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që  paraqitet rrallë herë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve.

Duke folur për fenomene të tilla, studiuesi i vëmendshëm i etnopsikologjisë shqiptare dr. Kristë Maloku, në studimin e tij “Shteti apo kombi”?, botuar në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet, ndër të tjera ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar. (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4 Prishtinë 2002,f.74.) Ky konstatim vegimtar i Kristë Malokut, përputhet në tërësi me përshkrimin që ai i bënte shpëtimtarit, heroit të një kohe të caktuar historike.

Veçantia tipike e këtij fenomeni i ka specifikat e veta në kohë dhe në hapësirë. Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës dhe të sakrificës njerëzore, të kryera në emër të idealit të lirisë, në emër të çlirimit nga njëra ndër makineritë më të tmerrshme e krimit, që ka sunduar ndonjëherë në botë.

Filozofi më i madh gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.)

Pikërisht në suaza të këtij përkufizimi filozofik të Hegelit, duhet zbërthyer frymën e principit të jetës dhe të veprës së Adem Jasharit, të Anteut të kohës sonë, i cili u përball me forcën e brutalitetit barbar, për të ngadhënjyer mbi atë forcë djallëzore, me aktin e qëndresës dhe të heroizmit unikal, të flijimit kolektiv të familjes, fenomen ky rrallë i përsëritshëm në historinë e qytetërimit.

Rrëfimi historik për Adem Jasharin, duke e krahasuar atë me personazhe të caktuara të Biblës apo të rrëfimeve të tjera para antike dhe të kohës antike si, Anteu, profeti Job, Juda Makabe, Spartaku, Farabundo Marti, Çe Geuvara e shumë të tjerë, është rrëfim që në shumë segmente i tejkalon tregimet e moçme mbi trimërinë, qëndresën, vendosmërinë dhe vetësakrificën.

Legjendari i kohës sonë, Adem Jashari, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult, që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unikat i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.

Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vend-pelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë.

Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike, realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken atje ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan majat më të larta, përtej të cilave pushon edhe fjala.

Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të kryekriminelit, despotit dhe kasapit të Ballkanit.

Në përvjetorët e sakrificës dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”. Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve bëjnë homazhe para varrit të legjendarit, do të duhej t’iu dridheshin këmbët, do të duhej të iu thaheshin buzët, do të duhej t’iu ngelnin në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin… (Nga Portali Radio Kosova e Lirë)