Dita e Shkollës së parë Shqipe
7 Marsi është dita e Shkollës së parë Shqipe
Ajo u hap më 7 Mars të vitit 1887 në Korçë. Mësonjëtorja e parë u hap në shtëpinë e Diamanti Terpos, i cili e lëshoi, në shërbim të nxënësve. Që kjo shtëpi, sot është muze. Mësuesi i parë dhe drejtor i shkollës ishte Pandeli Sotiri. Vetëm 35, ishte numri i nxënësve, më rastin e hapjes së shkllës ! Në shkollë shkonin fëmijët e të gjitha shtresave, prandaj edhe mund ta quajme se shkolla kishte tipare demokratike. Në shkollë ishte një klasë pregatitore dhe katër klasë të rregullta. Lëndët mësimore ishin: shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituri natyre dhe edukimi fizik.
Në mesin e shumë ngjarje historike, si 28 Nëntori 1443, me ngritjen e flamurit në Krujë nga Gjergj Kastrioti, Qershori i vitit 1878, me Lidhjen e Prizrenit, Kongresi i Manastirit 1908, Pavarësia e Shqipërisë dhe ngritja e flamurit nga Ismail Qemali në vitin 1912, paraqitja e UÇK-së në vitin 1997, shpallja e shtetit të Kosovës, më 17 shkurt 2008 etj., edhe Dita 7 Marsit të vitit 1887, është një ngjarje nga më të rëndësishmet, pra, shkolla e parë shqipe në Korçë. Kjo mësonjëtore ishte qendër kulturore shqiptare dhe e ngritjes së ndërgjegjes kombëtare e morale. Aty u bë ngritja e edukimit kombëtar e brezave në shoqërinë tonë. Aty, gjenerata të tëra u frymëzuan dhe u edukuan, jo vetëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare! Aty u frymëzuan edhe në shkollim e edukim, edhe pse në atë kohë, Perandoria Osmane, rreptësishtë e kishte të ndaluar mësimin në gjuhën shqipe, aty për 15 vjet Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur.
Shkollën e drejtonin përfaqësuesit më të përmendur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj.
Kontribut të madh dhanë shumë patriotë e veprimtarë të shquar, me të gjitha mundësitë, që i kishin, për të përhapur dije e kulturë në popull. Përveç të tjerash, ata u bënë iniciatorë edhe të krijimit të teksteve shkollore. Ata u përkushtuan edhe në shpërndarjen dhe pajisjen e mjeteve për zhvillimin e mësimit në shkolla. Nxënësit, të cilët dolën nga bankat e këtyre shkollave, u edukuan në frymen e lartë të patriotizmit dhe bëhen në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë, mësues dhe luftëtarë të denjë, në luftën për liri e pavarësi të Shqipërisë.
Pra, në emër të LAPSH për Bavari, ju uroj 7 Marsin – Ditën e Shkollës Shqipe, të gjithë mësimdhënëseve e nxënësve të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari. Organizatorëve, aktivistëve e prindërve, që jetojnë e veprojnë në Bavari. Por, jo vetëm këtyre; unë ua uroj Ditën e 7 Marsit – Ditën e Shkollës Shqipe, të gjithë atyre që e ndihmojnë, kudo në Diasporë e në atdhe, shkollën shqipe.
URIME !!!
Isuf I. Bytyçi -sekretar i KMPGJSH-së në Bavari