Të dua Kosova ime (Poezi)

Dr. Vaxhid Sejdiu


Poezi nga Dr.Vaxhid Sejdiu

Të dua Kosova ime!*1

E dashura Kosova ime, unë të dua shumë. Sivjet nuk munda të vij për pushime.
Më ka marrë malli, dua të shoh gjyshin dhe gjyshen,
Më ka marrë malli për oborrin e shtëpisë,
Më ka marrë malli për zogjtë, fushat dhe malet.

Të dua o Kosova ime, o nëna ime, o atdheu im.

Sa bukur në Kosovën e Lirë, valon flamuri shqiptar me shqiponjën dykrenore në ballë,
Sa bukur në Prizren, Abdyl Frashëri flet për Shqipërinë,
Sa bukur në Drenicë, Adem Jashari flet për atdheun e tij,
Sa bukur në Prishtinë, qielli e toka shqiptare bëhen bashkë.

Ne jemi larg, Kosova ime e dashur, por ti je me ne, sepse ne të duam shumë, o Atdhe!

Çdo ditë kur zbardh drita, unë shoh Kosovën time që shkëlqen,
Çdo ditë të shoh më të bukur, më të dashur për ne,
Çdo natë të shoh në ëndërr me flamur në dorë,
Ditë e Natë të shoh bashkë me Shqipërinë!

Kosova ime, Shqipëria ime, Nëna ime, Atdheu im!

Zemra ime rrah për ty, O Kosova ime heroike,
Sytë e mi ndriçojnë për ty dhe vetëm për ty,
Armiqtë nuk guxojnë të sulmojnë
Janë trimat që të dalin zot.

Dashuria ndaj Atdheut është më e madhe se pasuria e botës,
Mos u mërzit Kosova ime,
Ne do të vijmë, të përqafojmë me mall,
Ne do të vijmë të ngrohim shpirtin, në shpirtin tënd.

Se ty, të kemi Atdhe, se ty të kemi Mëmëdhe, se ty të kemi Liri,
Ne tërë jetën do të këndojmë vetëm për Ty.

Zyrih, 2021

[1] I frymëzuar nga fjalët dhe veprimet e nxënësve këto vargje rrodhën shumë thjeshtë, për t`iu dhënë mundësinë që t`i këndojnë Atdheut në manifestimet shkollore