LIBËR QË LIDHET QARTËSISHT ME TË ARDHMEN DHE U PËRCILLET BREZAVE

Nikollë Loka

Shkruan: Dr. në proces Nikollë Loka- studiues – Pas luftërave të vazhdueshme të shqiptarëve të Kosovës që kanë imponuar zhvendosje popullsie, vrasje, zhvillime të dhunëshme, më në fund erdhi liria, e cila po shfrytëzohet nga të gjithë sipas ideve dhe aftësive. Intelektuali hajkobillas Murat Ajvazi, megjithëse i larguar para shumë vitesh nga fshati dhe me qëndrim në Zvicër, me shumë angazhime pune dhe profesionale, po merret dhe me studime historike ku ka magjistruar. Pas disa veprave të shkruara, ai po i kthehet vendlindjes për të plotësuar një detyrim shpirtëror me librin “Hajkobilla-Gjelbërishta”, i cili sapo ka dal  nga botimi. Libri ka nisur si projekt vite më parë. Kur Murati magjistroi në histori, i pari njeri i shkolluar nga vendlindja, Aziz R.Murati, pasi e kishte uruar, i ishte drejtuar me fjalët: ”I dashuri Murat ju si historian i magjistruar nga vendlindja jonë e ke për obligim që një ditë të shkruash për vendlindje Hajkobillën (Gjelbrishtën)”. Vetë Murati librin ua dedikon prindërve të tij Abaz dhe Habibe Ajvazi, të cilët me sakrifica e rritën dhe e shkolluan.

Keine Beschreibung verfügbar.

Vendlindja është vendi ynë i jetesës, strehës dhe gjallërimit, – që do të thotë se është shtëpia jonë. Shpirti i njeriut mësohet me fizikun e vendlindjes dhe jetës së përbashkët dhe qënia njerëzore ka më shumë kuptim jete në vendlindje. Ata që janë larg vendlindjes, ëndrrat i shohin atje ku kanë lindur dhe ku kanë njerëzit dhe, nëse nuk i kanë si njerëz të gjallë, kanë atje varret e tyre.

Vendlindja i tërheq njerëzit e profesioneve të ndryshme, si një magnet i fuqishëm dhe u jep atyre frymëzim e shpirt krijues. Ka një vend ku njerëzit ndihen më mirë, ku iu peshon më shumë fjala dhe u duket puna, atje ku kanë kullat, djepat dhe varret, ku kanë krejt të kaluarën, pa të cilën do të ishin jetimë, ndërsa me atë janë gjithçka, bij krenarë të një fshati me emër.

Në librin ““Hajkobilla-Gjelbërishta”, historia vjen që nga larg, si përpjekje për të rifituar kohën e humbur. Ikja e brezave ka sjellë humbjen e një pjese të kujtesës, një bjerrje për pjesën e pashkruar të historisë. Murat Ajvazi e nxjerr fshatin e tij Hajkobillën nga harresa dhe e dokumenton në një libër, siç ka ndodhur, me dokumente dhe gojëdhëna. Falë të dhënave që autori paraqet, Hajkobilla konsiderohet tashmë një vendbanim i njohur, ku tradita e historia e saj do të shpalosen si vlera.   

Me gjithë zhvillimet globale dhe shkëmbimet intensive të kohëve moderne, koncepti ynë për atdheun mbetet sa nostalgjik i tipit “guri i rëndë në vend të vet” aq edhe romantik, i modelit “mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka”. Atdhe ka vetëm një dhe nuk mund të bëhet një i dytë, por atdheu dhe vendlindja janë njësoj. Kur njeriu jeton në atdhe, e kujton me mall vendin e lindjes dhe aq mall ka për krejt atdheun, kur është larg. Në perceptimin tonë “Atdheu është territori i të parëve” dhe prej këtij rrjedhin dhe detyrimet ndaj tij: Së pari, për prani në atë tokë dhe, së dyti, për solidaritet me konstitucionin shpirtëror të komunitetit që jeton. Në aspektin mjedisor ose hapësinor, ku njeriu mbledh përvojat e tij të para, Atdheu është vendlindja, toka e njohur nën këmbë, shtëpia dhe natyra, ku orientohemi symbyllur… 

Murati vjen në këtë libër me synimin për të dhënë historinë e fshatit dhe banorëve të tij mbështetur në dokumente historike dhe trashëgiminë gojore, të mbledhura me kujdes dhe për një kohë të gjatë. Studimi i tij ka karakter shterrues prej Lashtësisë deri në periudhën e sotme. Në fillim të librit ai merret me gojëdhënat e prejardhjes, me vetë emrin Hajkobillë, ku na jep të gjitha versionet e gojëdhënave dhe për fat të mirë edhe një dokument historik. Sipas një tradite gojore, emri Hajkobillë lidhet me kolonizatorët serbë të Mesjetës. Ndërsa dokumentet e lidhin me minatorët sasë që punonin në minierat e Samakovës. E dhëna e dytë është e dokumentuar nga rregjistrat e kohës dhe jep emrat e transportuesve të mineraleve, përgjegjës i të cilëve ishte Heinz Markus Kobila. Kjo do të thotë se fshati ka emrin e një sasi gjerman. Vendbanimet e sasëve ishin qyteza ose qytete, pasi ata konsideroheshin si minatorë të shquar dhe jetonin në qendra urbane. Pra në origjinë ky vendbanim ishte i lidhur me një minierë dhe një qendër puntore. Veçori e këtyre qyteteve apo qytezave ka qenë se brenda tyre jetonin sasët, në formë të kolonive dhe në periferi të tyre vendasit arbëreshë, të cilët ishin pjesë e fuqisë puntore dhe përfituan nga zhvillimi i jetës qytetare në vendin e tyre. Dëshmi e një qyteti aty është prania e një kalaje, ku duhet të kenë jetuar sasët dhe gjurmët e kishës ku ata dhe banorët vendës kryenin shërbimet shpirtërore.

Murati e ka shkruar librin për vendlindjen e tij me synimin për ta nderuar historinë, për të vlerësuar sakrificat njerëzore kundër pushtuesve dhe sakrificat e hajkobillasve për shkollë shqipe, dije dhe përparim.  Libri paraqet disa të dhëna me rëndësi për historinë shqiptare. Një e dhënë interesante është publikimi i rrugës që ka ndjekur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nëpër Kosovë kur është larguar nga Nishi në drejtim të Krujës. Me vlerë është dhe e dhëna se banorët iu bashkuan ushtrisë austriake të komanduar nga Pikolomini, në luftën antiosmane. Kjo e dhënë jepet në tri burime të ndryshme, duke i dhënë besueshmëri më të madhe dhe është një tjetër dëshmi se shqiptarët nuk ishin aleatë të turqve, siç trumbetojnë serbët, por ishin aleatë të austriakëve. Siç del në libër, shqiptarët e këtij rajoni ishin të krishterë të ritit ortodoks. Prania e të krishterëve ortodoksë mohohet nga historiografia serbe, me synim përvetësimin e të gjithë trashëgimisë fetare ortodokse të Kosovës. Serbët kanë përfituar nga pasiviteti i studiuesve kosovarë dhe mungesa e zellit të tyre për të zbuluar rrënjët ortodokse. Në studimet e tij, albanologu i shquar Milan Shuflaj ka përcaktuar përkatësinë ortodokse të një pjese të madhe të popullsisë shqiptare të Kosovës, e cila për fat të keq vite më vonë asimilohet. Studiuesi Murat Ajvazi e përcakton islamizimin e vendlindjes së tij, Hajkobillës në shekullin XVII, që përkon në kohë me periudhën pas humbjes në luftë me osmanët të ushtrisë austriake dhe atëherë Porta e Lartë shtoi presionin për konvertimin fetar të shqiptarëve në myslimanë. Dihet se në kushtet e pushtimit, shqiptarët iu nënshtruan dy proceseve të konvertimeve. Ndërkohë që katolikët e Kosovës nuk e humbën kombësinë gjatë konvertimit në myslimanë dhe feja islame shërbeu për ti diferencuar nga sllavët ortodoksë, ruajtja e ortodoksisë te një pjesë e shqiptarëve ortodoksë, i shndërroi ata në pravosllavë, pasi atyre u ishte imponuar litugjia në gjuhën sllave si gjuhë e kishës dhe shkollat në gjuhën serbe për fëmijët e tyre. Në atë periudhë, identiteti fetar kishte shumë rëndësi dhe me përdorimin e gjërë të gjuhës serbe në kishë dhe në shkollë, feja fitoi më shumë përparësi ndaj etnisë. Në sllavizimin e shqiptarëve duhet të kenë ndihmuar edhe martesat e përziera me serbët.

Autori Ajvazi fillimisht jep një përshkrim gjeografik të trevës së Gallapit (Gollakut) ku bën pjesë dhe Hajkobilla, fshatrat me të cilët kufizohet, relievi, hidrografia, toponimia etj. Bën përshtypje fakti se toponimia e fshatit është pothuajse krejtësisht shqiptare dhe ndikimi sllav në emërtimet e vendeve është pothuajse inekzistent, çfarë tregon se fshati ka qenë i banuar ndër shekuj tërësisht me shqiptarë, të cilët e ruajtën me fanatizëm traditën e tyre kombëtare. Drama e hajkobillasve fillon me Traktatin e Berlinit, kur territoret e sanxhakut të Nishit iu dhanë Mbretërisë së Serbisë. Gjatë kësaj periudhe, konfliktet shqiptaro-serbe për kufinj tokash dhe arash u kthyen në luftëra ndëretnike. Shqiptarët e sanxhakut të Nishit zhvilluan shumë beteja me serbët pushtues, por në fund qenë të detyruar të largohen në brendësi të Kosovës, kudo ku gjenin një strehë. Hajkobillasit i pritën si vllezër të tyre muhaxhirët dhe marrëdhëniet e mira midis të ardhurve e vendësve nuk u cënuan kurrë.

Kur midis Perandorisë Osmane dhe Serbisë u vendos kufiri, Hakobilla u kthye në fshat kufitar, që do të thotë se në kufi fillonte mbrojtja e trojeve të mbetura shqiptare; aty ishte dhe ballafaqimi i parë me armikun, vendi ku duhet të bëheshin sakrificat më të mëdha për ruajtjen e trojeve amtare.

E fortë ka qenë rezistenca në vitet 1877-1878, kur Perandoria Osmane kishte nënshkruar dorëzimin e sanxhakut të Nishit, por Serbia kërkonte edhe më tepër dhe kishte kaluar në territore të reja në drejtim të Prishtinës. Rezistenca shqiptare për mbrojtjen e truallit të shpisë ka qenë e fortë e me shumë dëshmorë. Asnjë pëllëmbë tokë armiku nuk e mori pa u derdh gjak dhe kufiri mbeti aty, pranë Hajkobillës që ishte pjesë sanxhakut të Kosovës. Me shpërthimin e Luftës Ballkanike, shqiptarët dhe lëvizja e tyre kombëtare u gjendën midis dy zjarresh: sundimtarëve shumëshekullorë osmanë dhe aleatëve ballkanikë, që filluan të kënaqin lakmitë shoviniste të shpallura me kohë në programet e tyre nacionale. Fillimi i pushtimit të tokave të tjera shqiptare prej ushtrisë serbe në vitin 1912 shënonte njëherazi fillimin e një veprimtarie të gjërë antishqiptare në Kosovë, që u shoqërua kudo me vrasjen dhe masakrimin e popullsisë, me djegien e shkatërrimin e vendbanimeve shqiptare etj. Qeveria serbe zbatoi në tokat e pushtuara rishtazi një politikë edhe më të egër nga ajo që kishte zbatuar në viset e pushtuara gjatë viteve 1877 e 1878. 

Edhe Murati me librin për fshatin e tij na dëshmon se periudha ndërmjet viteve 1878-1945, me ndërprerje të vogla gjatë dy luftërave botërore, ka qenë e gjitha një kronikë e luftërave midis pushtuesve serbë dhe shqiptarëve që sakrifikuan shumë jetë njerëzore për të frymuar shqip në trojet e tyre stërgjyshore. Hajkobilla është njëri nga vendbanimet shqiptare që ishte skalioni i parë i qëndresës dhe nuk u shua, pasi e mbajtën djemtë e saj, që arritën t’i ndalin lakmitë shoviniste serbe. Aq shumë ndikoi në mendësinë e shqiptarëve ideja se janë në luftë të përhershme me shkjaun sa banorët e fshatrave kufitare si Hajkobilla nuk preferonin të ndërtonin një banesë të përherëshme që kushtonte, pasi sipas tyre “do të digjej në çdo dhjetë vjet”, por bënin shtëpi druri apo të kombinuara prej druri, guri dhe balte që kushtonin më lirë. Autori Ajvazi përmend beteja ku qëndresa shqiptare u përballë me armikun, përmend komandantë të shquar të kryengritësve, dëshmorë të saj etj, sakrifica të mëdha, vuajtje, largime të përkohëshme dhe rifillim të jetës për ta mbajtur qënjen shqiptare të pranishme në ato hapësira, përballë armikut shekullor që kishte marr në dorë shtetin dhe të gjitha mjetet e dhunës që i përdori me vrazhdësi ndaj shqiptarëve. Hajkobillasit kanë zhvilluar katër luftëra kundër serbëve: në vitet 1912, 1918, 1944, dhe 1998-1999, afërsisht një luftë në njëzet vjet. Fshati kishte luftuar edhe kundër pushtuesve bullgarë gjatë Luftës së Parë Botërore, pasi kishte mbetur në zonën e tyre të pushtimit. Megjithë mizoritë e bullgarëve, krimet e tyre nuk krahasoheshin me ato të kryera nga serbët.

Rezistenca shqiptare në luftë është e paplotë pa rezistencën pas përfshirjes në shtetin serbo-jugosllav. Është me rëndësi të theksohet se shqiptarët nuk e njohën pushtimin dhe luftuan me besim që Kosova të çlirohet prej serbëve. Tre breza njerëzore e mbatën gjallë shpresën, e cila vonoi, por më në fund erdhi. Gjatë periudhës së sundimit serb, pati vrasje të kryengritësve, burgosje dhe internime të tyre, ndjekje të atyre që nuk dorëzoheshin, djegie të shtëpive, internime të grave dhe të fëmijëve. Libri jep rezistencën e hajkobillasve, kur pasuan vrasjet pa gjyq e me vendime gjyqësore, sekuestrime arbitrare të tokave, sekuestrime të pasurisë, dhe përdorimin e të gjitha formave të torturës për t’i detyruar shqiptarët që të largohen nga vatrat e tyre. Në kuadrin e Mbretërisë së Serbisë dhe pastaj të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, të pagëzuar me emrin Jugosllavi në vitin 1929, shihet zbatimi i një politike, që në fakt, duket se synon më shumë integrimin e territoreve të fituara se sa të banorëve që jetonin në to, nëse kjo mund të realizohej. Operacionet e reformës agrare dhe të kolonizimit kanë zgjatur të gjithë periudhën në mes të dy luftrave botërore dhe u ndaluan vetëm nga pushtimi fashist. Në Hajkobillë, si kudo në Kosovë, u zhvilluan dy procese të njëkohëshme që kishin lidhje ndërmjet tyre: Bashkë me presionin për largim dhe përzënien e shqiptarëve për në Turqi kemi vendosjen e kolonëve serbo-malazezë në trojet e të larguarve. Murati ka evidentuar si familjet shqiptare që emigruan për në Turqi dhe familjet e kolonëve serbë që u vendosën përdhunisht në tokat e të emigruarve.  

Pavarësisht se në kufi me serbët dhe fshat i përzier me kolonë pas vitit 1921, hajkobillasit i ruajtën të pastra traditat e tyre, pa ndikime sllave. Njohja e traditave të fshatit merr rëndësi në kushtet e sotme, kur shumica e banorëve janë larguar dhe në kushtet e zhvillimeve të sotme po marrin tradita moderne. Murati flet për veshjet e grave para procesit të islamizmit dhe pas tij, si dhe veshjet e burrave që nuk kanë pësuar ndryshime. Përshkruhet banesa e hajkobillasve, orenditë, enët e guzhinës, furrat e bukës, mullinjtë e blojës. Jepen mjeshtërit popullor, sidomos ata të punimit të drurit, tradita e punëve artizanale nga ana e grave dhe burrave etj.

Fejesat në Hajkobillë sillte gëzimin e shumëpritur tek familjarët dhe prindërit e të fejuarve. Fejesa fillonte që nga mbarimi i fazës së adoleshencës për të dy gjinitë dhe vazhdonte me aktin e shpalljes së fejesës, apo dasmën e fejesës. Dasmat ishin më të mëdha dhe për organizimin e tyre angazhoheshin edhe kushërinjtë dhe të afërmit. Dasmat bëheshin me flamur, një cilësi identifikuese e përdorur anë e kënd Kosovës.

Kur trajton besimin fetar të banorëve, autori jep të dhënën e rëndësishme se banorët ishin shqiptarë ortodoksë. Prania e dikurshme e shqiptarëve ortodoksë në Kosovë dhe zhdukja e tyre dëshmon se që para pushtimit serb të Kosovës, përmes kishës serbe, kishte filluar procesi i shkombëtarizimit të shqiptarëve. Ky proces ishte përshpejtuar pas pushtimit të sanxhakut të Nishit, duke i lënë në shtëpitë e tyre ata shqiptarë që duke qenë shqiptarë ortodoksë kishin pranuar të ndryshonin kombësinë në serbë, apo ata shqiptarë myslimanë, që si hap të parë kishin pranuar të kthehen në ortodoksë. Hajkobillasit dikur festonin Shën Gjergjin, Shën Markun dhe Shën Mitrin (Dhimitrin), të cilat i festuan edhe pas konvertimit, duke ruajtur thelbin pagan të tyre, në rastin e Shën Gjergjit, apo duke e trajtuar si një festë islame, në rastin e Shën Mitrit (Shën Dhimitrit). Nga libri del se pas islamizimit të popullsisë në Hajkobillë nuk u vendosën popullsi myslimane të tjera dhe shqiptarët ruajtën homogjenitetin etnik të tyre. Popullsia ishte besimtare dhe tolerante ndaj besimit të krishterë. Xhamia te shqiptarët në kushtet e ndalimit të arsimit shqip nga pushtuesit osmanë dhe pastaj ata serbë ka shërbyer edhe si institucion arsimor. Libri jep të dhëna të plota për arsimin fetar, thekson se edukimi bëhej në gjuhë të huaj, si dhe përshkruan historinë e arsimit shqip në fshat, duke trajtuar evolucionin e tij ndër vite, mësuesit që kanë kontribuar, drejtuesit e shkollave etj. Evidentohen edhe nxënësit që kanë studiuar në xhami. Klerikët myslimanë në Hajkobillë, si dhe pjesa tjetër e banorëve, kanë kontributet e tyre kombëtare.  

Në libër autori paraqet edhe jetën nën sundimin serbo-sllav, i cili ndahet në tri periudha: së pari, periudha e shkurtër 1912-1914, në mes të Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, kur vazhdoi rezistenca shqiptare dhe krimet serbe për t’i detyruar shqiptarët të nënshtrohen. Periudha e dytë vjen në mes të dy luftërave botërore, kur synimi i pushtetit serb ishte përzënia e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe ndryshimi i strukturës etnike. Në të dy periudhat e përmendura kemi dhunën e pushtetit të okupatorit dhe të paramilitarëve të tij dhe rezistencën shqiptare. Me mjaft vlerë është dokumentimi i familjeve shqiptare të larguara përdhunisht nga vatrat e tyre në Turqi dhe i familjeve të kolonëve serbo-malazezë të vendosur në vend të tyre. Dokumentohet lufta e çetave të kaçakëve, e çetave të Ramë Vllasës, Tahir Ukës, Behram Talirit, Sahit Shajkovcit etj. Jepen të vrarët nga xhandarmëria serbe, disa të inskenuara dhe disa publike, të cilat vazhduan deri në pushtimin fashist të vendit.

Në libër jepen dhe ngjarje me rëndësi për jetën e fshatit, si votimet e vitit 1935, hapja e mejtepit në fshat etj. Vend të rëndësishëm zë periudha e Luftës së Dytë Botërore, ku hajkobillasit ndihmuan në përbërje të forcave shqiptare që luftuan lëvizjen partizane. Lufta e tyre qe veçanërisht e ashpër në vitin 1944 kundër ushtrisë partizane serbe dhe asaj bullgare, e cila pas kapitullimit të Bullgarisë u kthye kundër gjermanëve. Hajkobillasit nuk u pajtuan me rivendosjen e sundimit serb dhe luftuan deri në fund, duke dhënë dëshmorë të rinj si Faik Taliri etj. Pushteti serb i çarmatosi shqiptarët dhe i përdori për punë angari.

Libri ka dhe historinë e tij të zhvillimit ekonomik të fshatit, ku periudha pas Luftës së Dytë Botërore është më e mirë se në kohën e Mbretërisë Serbe dhe Jugosllave, pavarësisht se vazhdojnë aktet e dhunës. Përparime u bënë në arsim, shëndetësi, hapjen e vendeve të reja të punës etj. U krijuan organet e pushtetit lokal, ku shumica e të zgjedhurve qenë shqiptarë. Ajvazi thekson se pas njohjes së Kosovës si Krahinë Autonome, jeta ekonomike dhe shoqërore u zhvillua në të gjitha fushat. Gjatë kësaj periudhe u formua një shtresë intelektuale e fshatit, ndër ta dhe autori i këtij libri Murat Ajvazi, si dhe kuadro të tjerë të shkolluar, të cilët dhanë ndihmesën e tyre në mbarëvajtjen e jetës në fshat.

Me vdekjen e Titos shovinistët serbomëdhenj filluan revanshin e ri kundër shqiptarëve që kulmoi me heqjen e autonomisë. Hajkobillasit iu bashkuan lëvizjen paqësore të Presidentit Rugova dhe mbështetën politikën e tij për shpalljen e Kushtetutës, organizimin e zgjedhjeve paralele, zhvillimin e arsimit nëpër shtëpi private etj. Në këtë periudhë të re të shtypjes serbe, shumë të rinj u larguan në Perëndim prej nga një pjesë e tyre u kthyen në luftën e fundit të viteve 1998-1999. Edhe hajkobillasit kanë kontributin e tyre atdhetar.

Hajkobilla, si të gjitha vendbanimet në Kosovë është prekur nga vala e shpërnguljeve drejt qendrave urbane apo e kalimit në emigracion. Librin e autorit Ajvazi e përshkon shqetësimi njerëzor për t’u rikthyer në Hajkobillë, secili sipas mundësive të veta dhe sipas mënyrës së vet. Ai mendon se në kushte më të favorëshme ekonomike se të sotmet, do të ketë një prirje të natyrshme të rikthimit të banorëve, jo të gjithë për të jetuar gjithmonë atje, por për të qenë shpesh atje fizikisht dhe gjithmonë përmes kujtimeve dhe kontributeve për vendlindjen. Në funksion të kësaj bindje, ai kërkon që të sigurohet ruajtja e lidhjeve shpirtërore me fshatin. Me këtë synim është dhe ky libër i tij. Murati don tu ua bëjë të njohur të rinjëve të sotëm emigrantë  rrënjët, sepse është i bindur që njohja e origjinës është dija më me vlerë për njeriun, pasi që të ecësh përpara në jetë duhet të dish: Kush je, nga vjen dhe ku shkon?      

Ajo që i dallon njerëzit me vizion nga të tjerët është orientimi në jetë dhe ndjenja e thellë e përkatësisë. Vetë zhvillimi shoqëror po krijon mundësi që familjet të krijojnë arkiva familjare me fotografi, pamje filmike, materiale të shkruara, etj. Ruajtja dhe pasurimi i traditës është një projekt i madh jetësor. Edhe vendbanimet, sidomos fshatrat, ku banorët kanë jetuar ndër shekuj bashkë si në një familje të madhe, ngjajnë me familjet dhe duhet të krijojnë arkivat e tyre edhe përmes librave si ky për Hajkobillën. Çdo vendbanim në Kosovë ka krijuar historinë e vet të qëndresës, rezistencës, luftës dhe të sakrificave dhe duhet bërë çmos që të njihet. Koha kërkon që të larguarit ta mbajmë kryet prapa, për të parë vendet ku kanë kullat dhe varret.     

Libri i Magjistër Murat Ajvazit u drejtohet edhe bashkëfshatarëve që ende jetojnë në Hajkobillë me mesazhin e madh se “ne jemi këta që jemi për shkak të së kaluarës sonë dhe do të ecim përpara, vetëm duke e njohur të kaluarën dhe të tashmen”. Libri për Hajkobillën lidhet qartësisht me të ardhmen dhe u vihet në dispozicion lexuesve të sotëm për t’ua përcjellë brezave që vijnë.