LIBRI “PRINCI NË HIJE”, PËRPJEKJE E PARË PËR ZBARDHJEN E JETËS DHE VEPRËS SË IDRIZ GËRVALLËS

Berat Luzha

Shkruan: Berat Luzha

Të shkruash për një veprimtar kombëtar, siç është Idriz Gërvalla, nuk është lehtë. Duhet punë e madhe dhe përkushtim i veçantë, duhet mund e kohë të mblidhen e sistemohen materiale që çojnë drejt zbardhjes, sadopak, të jetës dhe veprimtarisë së tij. Vetë idea e autorit Qemal Aliu për të bërë libër për këtë veprimtar të dalluar dhe pastaj realizimi i librit është për çdo lëvdatë, është nder dhe respekt që i bën, jo vetëm veprimtarit, po edhe vet lexuesit të nderuar.

Familja Gërvalla nga Duboviku ka dhënë personalitete të rëndësishme, të cilët nuk janë pajtuar kurrë me robërinë dhe kanë rezistuar në forma të ndryshme për ta mbrojtur Atdheun dhe identitetin tonë kombëtar. Të tillë ishin Bardhoshi e Hajdari (baba dhe axha i Jusufit) gjatë Lëvizjes Kaçake mes dy luftërave botërore. Por, lavdia e familjes Gërvalla ka vazhduar dhe kulmuar me vëllezërit Jusuf Gërvalla e Bardhosh Gërvalla, të cilët ishin veprimtarë të denj dhe organizatorë të suksesshëm të popullit për liri, veçanërisht të emigracionit tonë në Evropë.

Princi në Hije

Pos Jusufit, nga kjo familje e madhe, kam pas rast ta njoh edhe nënën e madhe, Nënë Ajshen, e cila ishte dhe ka mbetur një burim i fortë i frymëzimit atdhetar. Kam njohur të madhin poet e veprimtar kombëtar, Zeqir Gërvallën, pastaj Hamdi Gërvallën, Kadri Gërvallën e të tjerë.

I të njëjtës vijë atdhetare politike me Jusufin, Bardhoshin e të tjerë ishte edhe protagonisti i librit “Princi në hije”, Idriz Gërvalla, një veprimtar i heshtur, por shumë i përkushtuar për çështjen. Duke e kujtuar e duke lexuar për përkushtimin e tij karakteristik atdhetar, vetiu të shfaqet përpara një personalitet i madh e i kompletuar, ndaj të cilit të imponohet, jo vetëm respekti i lartë, por edhe mirënjohja e thellë. Takimet dhe bisedat me të në rrugë apo në kafene, në shoqatë apo nëpër ngjarje të ndryshme, paraqisnin, jo vetëm takim të rastësishëm, por këshilla dhe shtytje të mëtejshme për të ecur rrugës së tij. Neve, më të rinjve, prore na ishte bërë një shembëlltyrë e veprimtarit me personalitet të formësuar njerëzor, profesional e atdhetar. Si mësimdhënës, si gjykatës, si avokat, para së gjithash si shok, ai asnjëherë nuk harroi të jepte kontributin e tij për çështjen, ashtu si diti e si mundi. Atë nuk e ndalën as përndjekjet pothuaj të përhershme, as diferencimet e përjashtimet, izolimet, torturat dhe as burgjet ndaj tij. Libri i Qemal Aliut “Princi në hije” është vetëm një përpjekje modeste për ta pasqyruar personalitetin e ndritur të veprimtarit të madh, Idriz Gërvalla, i cili iku nga ne përgjithmonë vitin e kaluar. Në libër nuk thuhen të gjitha që duhet thënë për Idrizin, por është një përpjekje e parë dhe e mirëseardhur për një veprimtar të madh.

Veprimtarët idealistë, sikur Idriz Gërvalla, meritojnë dhe duhet të kujtohen e të nderohen, qoftë me libra apo në forma tjera. Këtë nderim ua ka borgj shoqëria jonë!