Më Pesëmbëdhjetë  Janar!

Dr. Vaxhid Sejdiu

Poezi nga Vaxhid Sejdiu

Më Pesëmbëdhjetë  Janar!

(Në ditën e Gjenocidit në Kosovë)

Më Pesëmbëdhjetë Janar,
Të gjitha plagët bëhen bashkë
Dhe krijojnë hartën e ndërgjegjes njerëzore
Me emrin “Plagë e hapur – Kosovë”.

Më Pesëmbëdhjetë Janar
Vuajtjet, Dhembjet, Vdekjet
Qëndrojnë te Varrezat e Dëshmorëve
Me lule në dorë.

Më Pesëmbëdhjetë Janar
Të gjithë emrat e viktimave, dëshmorëve dhe heronjve
krijojnë një emër Shqipëri!

Më Pesëmbëdhjetë Janar
Reçaku, Obria, Prekazi, Krusha e Madhe …
Bëhen bashkë dhe kujtojnë
Njëmijë e Gjashtëqind e tridhjetë shqiptarë të zhdukur e të pagjetur,
Të cilët, rëndojnë frymëmarrjen shqiptare!
Kujtojnë me mijëra e mijëra të vrarë e të masakruar
Të cilët, rëndojnë kujtesën Kombëtare.

Një milion e njëqindmijë e njëqind e një plagë,
Në mes Errësirës dhe Dritës
Në mes Lirisë dhe Vdekjes
Në mes të kaluarës dhe të ardhmes,
Kërkojnë Drejtësi!

Zyrih, 15 janar 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *