MENDIMI KRITIK I REXHEP QOSJES PËR POEZINË E SOTME SHQIPE

Shkruan: Isuf Bytyçi

Pjesa e parë

Me rastin e përvjetorit të lindjes të akademikut Rexhep Qosja

Rexhep Qosja shkruan kaq bukur për vepra të ndryshme letrare. Shumë herë është skeptik dhe bën polemika rreth veprave të ndryshme. Ndërsa përvojën e tij e ka ndarë me bashkëkohësit, por jo edhe rezultatet…
“Në mendimin shkencor, mendim korrekt është ai që ka rëndësi si nga aspekti i ndershmërisë intelektuale, ashtu edhe nga aspekti i zbatimit të mendimit shkencor në praktikë, domethënë në teknikë”. Erih From

 HYRJA
Në këtë punim, objekt shqyrtimi është mendimi kritik i Rexhep Qosjes për poezinë e sotme shqipe. Akademiku Rexhep Qosja lindi më 25 qershor të vitit 1936. Historian i letërsisë, kritik letrar, prozator, dramaturg dhe ideolog i çështjes kombëtare, autor i shumë librave, është aktiv në letërsinë shqipe për më tepër se 50 vjet.
Vepra e tij është e orientuar më tepër në aspektin historik, në historinë e letërsisë shqiptare. Ai është marrë edhe me letërsinë bashkëkohore dhe, pasi poezia e sotme shqipe është pjesë përbërëse e letërsisë së sotme shqipe, qysh në fillim do të ishte e domosdoshme që të njihemi me mendimin e tij në raport me letërsinë e sotme shqipe.

Rexhep Qosja mendimin për letërsinë e sotme shqipe e dha në kuadër të studimit të letërsisë shqiptare në përgjithësi, si historian i kësaj letërsie, por njëherazi edhe si kritik dhe themelues i kritikës letrare në Kosovë. Në kohën kur filloi veprimtarinë ky kritik e historian i letërsisë shqipe, historia e letërsisë shqipe dhe kritika letrare në letërsinë shqiptare në përgjithësi, por edhe letërsia shqipe në Kosovë, që të tria gjendeshin në nivel të ulët, fillestar, dhe me këtë studiues që të tria bënë hapat e parë. Në këtë kohë do të duhej një personalitet si “profesor Rexhep Qosja, doajen i studimeve historiko-letrare ndër ne” (1. Pr. Dr. Agim Vinca, “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945 – 1980)“, “Rilindja”,  Prishtinë 1985, f. 15), që të përballonte problemet e mëdha të vlerësimit të drejtë të traditës, por edhe për hapjen e horizonteve të reja të letërsisë shqipe në ato vite. Këtu duhet ta vëmë në dukje edhe rolin negativ të ideologjizimit të kritikës nga kritika gjysmëzyrtare, e cila bënte përpjekje që letërsia e re “socialiste“ kosovare të shkëputej përfundimisht nga trungu kombëtar, nga letërsia kombëtare e traditës.

Rexhep Qosja e shqyrtoi letërsinë e sotme shqipe që nga fillimi, në kuadrin e letërsisë kombëtare, Si vazhdim të kësaj dhe si thellim, si letërsi që rrënjët i ka në letërsinë e Rilindjes dhe në letërsinë e vjetër, ndërsa kokën e kishte në letërsinë bashkëkohore europiane. Duke shfrytëzuar letërsinë e traditës, mitin dhe mitologjinë kombëtare e ballkanike, kjo letërsi arriti të japë struktura të dendura poetike, siç është poezia e sotme shqipe, struktura të papara deri atëherë në këtë letërsi.

Akademik Rexhep Qosja nuk shkroi ndonjë monografi të veçantë në lidhje me këtë letërsi, por pothuajse në çdo vepër kritike të tij, pos vështrimeve, trajtesave dhe eseve për letërsinë e Rilindjes dhe atë të Pavarësisë e të viteve ‘30, ai trajtoi edhe autorë, vepra e probleme të letërsisë së sotme shqipe me letërsinë e traditës. E ndoqi zhvillimin e letërsisë së sotme shqipe, dha fjalën e tij, por edhe e orientoi atë. Në kohën kur Rexhep Qosja doli në skenë, në gjysmën e dytë të viteve ‘60, letërsia shqipe po oscilonte në dy drejtime: i pari ishte drejtimi dogmatik-socialist, i cili synonte që gjithë letërsinë ta fuste në kallëpet e një romantizmi të rremë dhe të një skematizmi vulgar, dhe i dyti ishte drejtimi eksperimental, që e sulmonte letërsinë nga jashtë dhe për të cilin kjo letërsi ishte ende e re për t’i asimiluar ato. Në këtë kohë paraqitja e profesor Qosjes në skenën e kulturës kombëtare shqiptare, e këtij intelektuali me horizont të gjerë vështrimi, ishte me rëndësi të madhe për zhvillimin e mendimit letrar, por edhe për praktikën krijuese në Kosovë. Përherë në shkrimet e tij i kritikonte dukuritë negative, ndikimet e paasimiluara, ideologjizimin etj. dhe vazhdimisht hapte horizonte të reja për një letërsi autentike, të lirë dhe të hapur ndaj letërsisë botërore.

Edhe pse nuk u mor sistematikisht me letërsinë e sotme shqipe, ai i preku dhe i shtjelloi problemet esenciale të saj. Koha dhe rrethanat në të cilat veproi, ndikuan që Rexhep Qosja t’i kushtonte vëmendje më të madhe letërsisë së sotme shqipe që është krijuar në Kosovë e më pak asaj që u krijua në Shqipërinë shtetërore.

Në shkrimet e tij ai u mor me problemet e dramës shqipe. Shkroi për dramat “Shtatë shaljanët” të Ndrekë Lucës, “Rilindja”, Prishtinë 1973 (2. R. Q. – Pasthënia), për dramën “Cuca e maleve” të Loni Papës, “Rilindja”, Prishtinë 1972 (3. R. Q. – Pasthënia), “Toka jonë” të Kolë Jakovës, “Rilindja”, Prishtinë 1972 (4. R. Q. – Pasthënia) etj. Në këto pasthënie, mendimi i profesor Qosjes anonte nga kritika sociologjike, ku konceptet dominuese ishin: lufta e së vjetrës me të renë, lufta klasore, shfrytëzimi etj., por duhet të theksojmë se, edhe pse në këtë kohë nuk mundi të largohej nga kritika sociologjike, nga kjo në asnjë rast nuk do të dalë një kritikë e angazhuar apo një kritikë mohuese. Rexhep Qosja ndoqi një rrugë të ndërmjetme në këtë drejtim.

Në kritikën e tij letrare, Qosja shqyrtoi edhe prozën e sotme shqipe. Ai trajtoi prozën e Hivzi Sulejmanit, të Shevqet Musarajt, të Jakov Xoxës, Ismail Kadaresë, Anton Pashkut, Razi Brahimit, Elena Kadaresë, Qamil Buxhelit etj. Në këto shkrime preku ekstremet në letërsinë shqipe: nga skematizmi vulgar i Realizmit Socialist e gjer te skematizmi eksperimental. Në artikullin “Artisti i pushtuar prej edukatorit” bën një kritikë për skematizmin vulgar (5. Rexhep Qosja “Panteoni i rralluar“, Rilindja”, Prishtinë 1973, f. 201), që për objekt shqyrtimi ka romanin e Razi Brahimit, “Kthesa të forta”. Një kritikë të plotë i bën edhe kritikës ideologjike e dogmatike në artikullin “Kritika pa estetikë” për librin “Kritika”, që është botuar në Prishtinë si mbledhje nga disa libra kritikë të Razi Brahimit. Këtu i bën një kritikë terminologjisë politike, si dhe asaj ideologjike, që zotëronte në shkrimet e Razi Brahimit. Kritikon “analizën sociologjike dhe ideologjike”, që gjendej te ndarja e heronjve, në pozitivë e negativë; ndarjen e veprës në përmbajtje dhe formë, reduktimin e vlerave letrare në vlera ideore etj. Ndërsa në vështrimin për prozën e Anton Pashkut, profesor Rexhep Qosja shqyrton “mundësitë”, por edhe “kufizimet” e prozës eksperimentale. Ai i ikën me vetëdije panideologjizimit, por edhe paneksperimentalizimit, sepse të dya këto eksperimente e dëmtonin letërsinë e re shqiptare.

KRITIKA LETRARE E REXHEP QOSJES   


Në opusin e tij krijues, Rexhep Qosja shkroi vështrime kritike, recensione e trajtesa për Esad Mekulin, Enver Gjerqekun, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Abdylazis Islamin, Muhamet Kërveshin, Beqir Musliun etj.

Në përgjithësi shkroi vështrime dhe kritika për krijuesit që vepruan në Kosovë e një numër më të vogël shkroi edhe për ata që krijuan në Shqipëri. Kjo erdhi si rezultat i ndarjes regjionale të letërsisë shqiptare, si një komunikim i penguar mes këtyre regjioneve, por edhe si një përpjekje për ta ngritur letërsinë e kësaj ane në nivel kombëtar. Për poezinë e sotme shqipe, profesor Qosja shkroi qysh në librin e parë, “Episode letrare”, ku shkroi në lidhje me poezinë e Enver Gjerqekut, në shkrimin me titull “Poezia dhe përvoja”. Ndërsa në librin me trajtesa “Dialogë me shkrimtarët”, të cilin e botoi në vitin 1968, krahas shkrimeve për Zef Seremben, Naim Frashërin, Migjenin e Lasgushin, kemi edhe dy trajtesa për krijimtarinë e dy poetëve tanë bashkëkohorë, Esad Mekulit dhe Enver Gjerqekut. Në këtë kohë në Kosovë, këta dy poetë ishin krijuesit më të dalluar. Poetët, si Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja etj., ishin në hapat e parë të krijimtarisë artistike.
 
 Në vështrimin për Esad Mekulin, kritiku thekson angazhimin e tij në letërsinë shqipe, angazhimin e tij intelektual, por edhe mungesat që hasen në krijimtarinë e Mekulit. Esad Mekuli për Rexhep Qosjen “është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore” (6. R. Q. “Dialogë me shkrimtarët”, f. 215).

Esad Mekuli “flet në vetën e parë jo si individ i veçuar, por i mishëruar plotësisht me ndjenjat dhe vetëdijen e shqiptarit, si një simbiozë ndjenjash dhe aspiratash të përbashkëta jetësore” (7. Po aty, f. 217). Në poezinë e Mekulit kritiku has edhe në “pasojat e zhdanovizmit dhe të kohës, kur prej shkrimtarëve kërkohej ta glorifikonin atë”. (8. Po aty f. 219). Mirëpo Esat Mekuli ndoqi një rrugë të veçantë në krijimtarinë e tij, duke i ikur gjuhës bombastike, parullave të larta të kohës etj.


 Në këtë punim, profesor Rexhep Qosja bën periodizimin e krijimtarisë së E. Mekulit dhe vjen në përfundimin “se poezia e tij është fenomen specifik i letërsisë sonë” (9. Po aty f. 299). Esad Mekuli bindjet e tij krijuese i formoi në vitet tridhjetë. Si bir i një populli të vogël e të shtypur, ai u bë krijues i këtij populli, këngëtar i vuajtjeve dhe i shpresave të tij. Përhapja e ideve revolucionare lindte shpresa te ky popull për çlirimin kombëtar. Mekuli u bë poet vizionar, për një ardhmëri më të lumtur të popullit të tij dhe të njerëzimit. Uni i tij krijues u shkri me unin e popullit dhe u bë një Un i shtypur, i përdhunuar, i vrarë, i gjymtuar, por edhe një Un ëndërrues dhe kryengritës në të njëjtën kohë.

Ndërsa një krijues tjetër i afirmuar në poezinë shqipe ishte Enver Gjerqeku. Ky poet i ri, duke jetuar në një kohë dramatike për popullin tonë, në vitet ‘50 dhe ‘60, bën një ikje, një largim nga ky realitet dhe futet në qenien e vet subjektive dhe shpalos dhembjet shpirtërore e fizike të tij. Ai shkruan një poezi intime, por edhe autobiografike, shkurt një autobiografi intime.

Në librin “Panteoni i rralluar” kemi një varg recensionesh për poezinë e sotme shqipe. Aty trajtohet poezia e Musa Ramadanit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Hasan Hasanit, Milaim Berishës, Ibrahim Kadriut, Adem Zejnullahut dhe Rifat Kukajt.

Në ç’drejtim angazhohet profesor Qosja në kritikën e tij letrare? Që në fillim, në recensionin “Sentimentalizëm anakronik” që i bën përmbledhjes me poezi të Hasan Hasanit, “Dallgët e Vërrinit”, kritiku Rexhep Qosja kritikon “ekzibicionet poetike, manierizmin dhe epigonizmin në poezinë e tij”. ( 10. R. Q. “Panteon i rralluar”, “Rilindja”, Prishtinë, 1973, f. 129). Në poezinë e këtij autori, R. Qosja kritikon tradicionalizmin, të cilin e quan anakronik për kohën. Pastaj kritikon sentimentalizmin dhe romantizmin. Figurat e lopëve, të qenve, pulave, zogjve, pastaj të korrat, kullosat, t’bamat etj., të cilat i hasim në poezinë e këtij vëllimi, janë shenja të primitivizmit në kulturën tonë. Në poezinë e Hasan Hasanit kritikon idealizimin e jetës patriarkale. Pastaj vazhdon të kritikojë edhe të metat formale, të cilat hasen në vargjet e këtij vëllimi me poezi. Në këto në poezi kritikohet edhe “anakronizmi i ndjeshmërisë së autorit”(11. Po aty, f. 101).

Gjithë këtyre cilësive të një poezie të perënduar, ai u vë shprehjen moderne, e cila duhet ta cilësojë poezinë moderne. Në fund të recensionit përballë qëndrimin e tij me atë të poetit: “Në vend të ndjenjës sentimentale, lexuesit të sotëm i duhet ndjenja e fuqishme; në vend të shprehjes së flashkët i duhet shprehja asociative, metaforike dhe simbolike”. (12. Po aty, f. 102).

Në poezinë e Azem Shkrelit, Rexhep Qosja kritikon moralizimet që hasen në disa nga poezitë e këtij poeti: toni didaktik, i cili e rëndon poezinë e tij, që mund të vërehet edhe prej titujve të disa vjershave, sikundër janë “Katër këshilla vetes”, “Çka mësova unë”, “Porosia”, por moralizuese për të janë edhe vjershat “Kurtha”, “Kupa e Odinit”, “Njerëzit” etj. (13. Po aty, f. 110). Në recesionin për Milaim Berishën, profesor Qosja prapë vë në thumb të kritikës moralizimet dhe udhëzimet, që hasim me shumicë në poezinë e asaj kohe: “Shkrimtarët, që në njërën dorë marrin skalperin për t’i zhdukur veset e në tjetrën dorë çantën me barna për t’i shëruar plagët e njeriut bashkëkohor, janë bërë monotonë me ato moralizimet e tyre patetike, po aq sa janë bërë të mërzitshëm edhe ata të tjerët që vetëm dënesin dhe, të tulitur, e shikojnë botën prej titanëve të tyre diogjenianë”. (14. Po aty f. 115). Në poezinë e këtij poeti, Rexhep Qosja dallon oscilimet  mes letërsisë realiste dhe asaj moderne, pastaj ndikimet e paasimiluara të literaturës së lexuar.

Jo vetëm një herë, profesor Qosja i ka kritikuar këto të meta, të cilat e përcillnin poezinë e sotme shqipe në ato kohëra. Poezia shqipe ishte ende e pastabilizuar dhe krijuesit e saj në të shumtën e herëve, me gjithë përpjekjet e tyre, pësonin dështime. Kritiku përkrahte vargun artistikisht të përsosur dhe kritikonte “lojën e fjalëve” (15. Po aty f. 119), me të cilat disa krijues bënin përpjekje që ta mbushnin zbrazëtinë e tyre krijuese. Në këto shkrime, profesor Qosja kërkonte dhe i hapte rrugë “poezisë së ardhshme”, (16. Po aty f. 86), e përkrahte ndjeshmërinë moderne në poezinë e Ali Podrimjes, në të cilën haste në një “refren modern poetik” (17. Po aty f. 127). Rexhep Qosja, duke kritikuar të metat në krijimtarinë poetike, drejtonte rrugën e poezisë së sotme shqipe drejt një poezie me prirje moderne. Në recensionin “Vallja  simboleve”, në të cilin shkruan për vëllimin poetik të Ali Podrimjes, kritiku ndalet posaçërisht te “simbolika e tërësisë” (18. Po aty, f. 123), të cilën e has në strukturën e këtij vëllimi. Për Rexhep Qosjen, simboli është virtyt i poezisë, ndërsa gjuha patetike ves. E para shënjon prirjen moderne, ndërsa e dyta atë tradicionale. Poezitë e këtij poeti mund të kuptohen vetëm në tërësinë e tyre, vetëm në kontekstin nga i cili buron kuptimi.

Një sintezë të parë për poezinë e sotme shqipe të Rexhep Qosjes e hasim në parathënien e “Antologjisë së lirikës shqipe”. Këtu për herë të parë bëhet njëlloj periodizimi i letërsisë së sotme shqipe në etapa. Estetika e këtyre viteve dallohej “për nga theksi dogmatik dhe karakteri zyrtar” (19. Rexhep Qosja, “Antologjia e lirikës shqipe“, botim i dytë, i plotësuar dhe i përmirësuar. “Rilindja”, Prishtinë 1979, f. XXXVI). Poezinë e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore profesor Qosja e përkufizon si “poezi revolucionare publicistike” (20. Po aty, f. XXXVII). Poezia shqipe e kësaj kohe nuk mund të lirohej lehtë nga fryma retorike, sepse ishte niveli i ulët kulturor, që e kushtëzonte zgjatjen e kësaj prirjeje. Në rrafshin komunikativ, edhe niveli i marrësit, i publikut, e kushtëzonte këtë prirje: “Duke pasur parasysh shëndetin mendor të masave të gjera të lexuesve, por jo sa duhet edhe shëndetin artistik të poezisë, autorët e saj me të drejtë e shpallin traditë të vetën në radhë të parë poezinë e viteve tridhjetë, të cilën duke e vazhduar me synimet e saj progresive, e thjeshtësojnë gjithnjë e më tepër” (21. Po aty, f. XXXVII). Kjo poezi në këto vite iu afrua më tepër publicistikës poetike e dokumentacionit. Poezinë e viteve ’50, me të drejtë, e karakterizon si zhurnalistike e agjitative dhe si një poezi, që është në nivel më të ulët sesa ishte poezia e viteve ‘30. Pra, në këtë kohë, në vend që poezia të shkonte përpara, kishte ecur mbrapa.

Mirëpo ndryshimet vijnë më pas. Në krijimtarinë që do të shkruhej në vitet ‘60, zë fill prirja moderne në poezinë e sotme shqipe. Lirimi prej didaktikës dhe agjitacionit i liron rrugën shprehjes moderne në poezi. Kjo ndodh, ndër të tjera, me pjekurinë e poezisë, me ndikimet e jashtme, me liberalizimin e marrëdhënieve në shoqëri. Poetët e parë, te të cilët dëgjohet zëri i ri në poezi, janë Enver Gjerqeku, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Din Mehmeti, Vehbi Skënderi etj. Këtë poezi, profesor Qosja e quan poezi e brezit të dytë të pasluftës. Këtu fillon trajtimi i letërsisë shqipe si letërsi kombëtare që nuk njeh kufij. Në këtë etapë, poezinë shqipe e karakterizon degëzimi, pasuria, llojllojshmëria dhe guximi i trajtimit të temave të ndryshme. Poezia e Dritëro Agollit definohet si lirikë e idesë kolektive,  poezia e Azem Shkrelit meditative, e Ismail Kadaresë dhe Rr. Dedajt asociative, ndërsa e F. Gungës si lirikë e simboleve bashkëkohore etj. Dhe përfundon me konstatimin, se “poezia shqipe sot është më e pasur se kurrë më parë; me përmbajtje, me shprehje e me gjeste”. (22. Po aty, f. XXXIX).

Në këtë parathënie, Rexhep Qosja shprehet edhe për poezinë e brezit më të ri. Përveç poezisë së etapës së parë, të cilën e emëron si etapë e viteve pesëdhjetë, kur përmend brezin e dytë dhe brezin më të ri, ai nuk i përmend fare vitet. Në poezinë e brezit më të ri, kritiku dallon dy prirje ose, siç i quan ai, dy linja: “Linja e racionalizmit të tepruar, ose linja e iracionalizmit të pakontrolluar, me ç’rast linja e parë ruan një gjendje statike të vargut tradicional, kurse e dyta është akoma e rëndë që ta asimilojë gjuha shqipe”. (23. Po aty, f. XLI). Në këtë parathënie, kritiku flet edhe për fenomenin e hermetizmit në poezinë shqipe. Vijon…