Përmbledhjen “Albumi Poetik” e përgatiti Mustafë Krasniqi.
Shkruan: Mustafë Krasniqi – Përmbledhja “Albumi Poetik” i përgatitur nga Mustafë Krasniqi, nën përkujdesjen e kryesisë së Klubit Letrar “Martin Camaj”, libër që synon të përçoj vlerat poetike, konkretisht me krijuesit shqiptarë në landin e Bavarisë.
Kjo përmbledhje poetike, ngërthehen në vete tematika të ndryshme nga autorët: Sylë Bajrami, Fran Tanushi, Milazim Kajtazi, Bahri Shyti, Haziz Hysa, Lumni Limani, Gazmend Dashi, Malush Mrasori – Mali, Azem Osmani, Xhevahire Sylejmani, Hamza Halabaku dhe Mustafë Krasniqi, të cilët premtojnë se do t’i rrinë besnikë lexuesit me vlerat poetike.
Në këtë përmbledhje, përpos autorëve që e gdhendin vargun me fanatizëm, prekin të ndjeshmen përmes vargut me nostalgji prekëse, që trajton peshën e rëndë të mërgimit, pa lënë anash hyjnoren-dashurinë dhe përkushtimin për atdheun, vendlindjen. Po ashtu në këtë përmbledhje te të gjithë poetët e mërgatës, që përmes figurës, apo vargut dialogus i referohen atdheut, nënës, po edhe bëhen kritikë ndaj dukurive të keqia që e kanë kapluar atdheun e tyre. Poetin shpesh e shohim të djegur përmes lotit dhe mallit, e, sikur gjen prehje në këtë lot-malli në vargun e tij.
Përmbledhja “Albumi Poetik” përpos krijuesve me poezitë e tyre, që kritika do t’i pranojë si poezi të mirëfillta, do të gjejmë edhe Albumi Poetik krijues, që do ndryshim të qasjes, ngaqë nga emocioni ka ikur nga vlera artistike në një ligjërim prozaik apo të ngatërruar me vargun e këngëtimit popullor, që herë-herë na del edhe një ndërthurje pëlqimi vargu, që nuk është në përputhje me vlerën letrare të poezisë së mirfilltë. Pra, në mes vlerës letrare dhe të ligjërimit prozaik apo popullor zënë vend në këtë përmbledhje edhe këto poezi për hir të motivimit për të ardhmen.
Po, në thelb të përmbledhjes “Albumi Poetik”, qëndron te të gjithë autorë e këtij vëllimi – vargu meditues për atdheun, dashurinë dhe vendlindjen. Mirëpo të përkushtuar gjejmë edhe vargun për heroin, lirinë, mbijetesën dhe natyrshëm na del vargu prekës, malli për atdheun, vargu imagjinues, mbase dhe si hije kudo që shkon dëgjon thirrjen e nënës, të atdheut, lumit, kullës, të vet heroit dhe të varrit, që zëshëm kërkon të ruhet atdheu, të mos harrohemi të humbur dyerve të botës.
Porosia e autorëve të këtij “Albumi Poetik”, shpërthen përtej vetvetes dhe përmes vargut synon të futet në shpirtin e lexuesit me prekje shpirti, sikur dhe bëhet përvëlues i djegur nga malli dhe dashuria për atdheun, që pamëshirshëm e trazon shpirtin e poetit, i cili dhe vet gjenden në këto hallka të mërgimit.
Duke parë se ikja e rinisë nga atdheu, sikur e lëndon shumë poetin, mallshëm përjetojnë fuqinë e valëve të lumit, të freskisë së erës të mëngjesit dhe shpesh me fuqinë medituese, krijuese i trazuar ik nga dheu i huaj si flutur apo bilbil, me dhimbje, prekje shpirti shkon te lumin t’i dëgjojë shushurimat e mëngjesit të hershëm të atdheut. Pra, me vargun dhe ndjenjat për atdheun e përkulin, e ligështojnë dhe i përkulur komunikon, shterohet në lotë me vargun e vet. Ku përmes vargut flet i dëshpëruar për fatin e popullit të tij dhe të rinisë së atdheut, që e ka hedhur nëpër dyer të Evropës, duke lënë të mjerë atdheun.
Përmbledhja në fjalë ka një fuqi të vlerës artistike, ku dhe shpresojmë, se në çdo numër të ardhshëm do të arrijë vlerën e saj, mbase edhe me krijues të rinj, në të ardhmen.