Shkrun. Mustafë Krasniqi – Gjatë leximit të librit „OFSHAMË NË URNË“ dhe “OAZË PALMASH TË DJEGURA” vërtet krijova bindjen se kemi të bëjmë me një poet të moderuar, premtues dhe poet të vlerave të shumëllojshme, si për nga motivi, forma, shtjellimi, intonacioni, rima, muzikaliteti, metafora dhe figura, krahasimi e simbolika etj.
Sadik Krasniqit përmes përmbledhjes „OFSHAMË NË URNË“ na shfaqet me trill krijues, me shpirt, imagjinatë dhe fantazi artistike. Përmes angazhimit dhe paraqitjes së tij mes botës reale ka shprehur fuqinë e brendshme shpirtërore. Vargu i tij rrjedhshëm ka dalë nga uni i tij shpirtëror dhe është bërë pjesë e pasurisë letrare, rrjedhimisht edhe e lexuesit të zakonshëm. Përmes poezisë “Ofshama bëhet flutur “ ka paraqitur botën e brendshme të tij.
Për atë shpirt të djegur/ Ofshama bëhet flutur/Fluturon në pranverën gri/Lëshon dhimbje në lulet e hirit.
Ajo që të shtyn më tutje të thellohesh në vargun e tij është përsosmëria e vargut, arritja e qëllimit, jo vetëm se ka derdhur emocione në vargje sa i takon mbi ndërtimin e një poezie, por mbi të gjitha ka shkrirë energji prej një mjeshtri të mirë dhe ka bërë poezinë si një këndim i bukur. Për ta futur edhe më thellë lexuesin në brendësi poetike, si një krijues i mirë ka ndarë librin në pesë cikle, si: “Kllapi e blertë, Pikëllim i ngrirë, Vello ujore, Unazë dheu, Hija e grisur” Prandaj dhe thotë:
Për ata sy të
shterë
Loti bëhet yll
Dhe bie si dritë
Mbi varret syçelë.
Për ato buzë të
hirta
Puthja bëhet mjellmë
Fërfëllima e krahëve të bardhë
dridh hënëzën e liqenit valëmall.
Në këtë poezi përpos vlerave stilistike, estetike, e figurave letrare ka edhe një shtjellim ideor që i përshtatet anës tematike e artistike.
Ja si shprehet ai në një poezi:
S´do t´ia fali vetës/Qe s´e plaka një hije lisi me ju. Apo Në këtë natë me shi dhe trok kali/ Shaloj hingëllimën e trembur/ Mbërrij tek babai dhe varri i çelë.
Këto vargje tregojnë se me sa fuqi artistike e të realizuar e ka përdorur autori mjeshtërinë poetike, sidomos tek poezia “ NË ÇAMËRI” del hapur shpirti i poetit për atë që ndien dhe thotë:
Sa herë meteorët fluturojnë në
Shqipëri
Thahet nga pikëllimi një ulli
……………
Në Çamëri
Hardhia hedh dhembje mbi dhe
Në bar bie rrush si prush
……………………..
Në Çamëri
Vala e Jonit bëhet jele kali
Në shkëmb varet nga malli
Po përpos që i këndon atdheut, dashurisë gjuhës, me një melankoli na paraqitet poeti në poezinë “Shqipëria 97”:
SHQIPËRIA ´97
Qava kur s´të
pashë
Qava kur të pashë
Qava si të lashë
………
Po bukur e trajton edhe motivin e dashurisë e këtë e gjejmë te poezia SYTË E ASAJ VASHE e cila ka një figuracion të qëlluar.
Vetulla hark i zi
Nga vetulla në sy
largësia yllësi
Qerpikët
plepa blu në qiellin gri
hijesojnë njomësinë në urtësi
Dashuria dhe nostalgjia e poetit për atdheun janë të papërshkrueshme. Por atë që e ndien shpirti si plagë e rëndë është mërgimi, por edhe dhembjet për atdheun janë plagë të rënda, prandaj i ka bërë poetët më të ndjeshëm ndaj atdheut, heroit, nënës, etj.
Vërtetë krijimtaria e Sadikut të bie në sy me neologjizmat dhe pasurimin e vargut, si dhe me një gjuhë të qartë e të pastër, ndaj lexuesi nuk do të zhgënjehet me vargun e tij, por do të ndihet kënaqur, sidomos kur ndalemi te poezia “TRI MINIATURA PËR KOSOVËN”- E
Poeti fuqishëm paraqet emocionin shpirtëror përmes këtyre figurave, gurë të ftohtë, gjarprin e shtëpisë dhe ujkun, por dhe qengjin, prandaj kështu thotë:- Nëse përsëri më pagëzojnë/… Nëse m’i lëkundin muret apo te poezia tjetër Nëse ma shterin detin, këtu shihen rregullat dhe fuqia e poetit.
Te poezia “Urdhri” përmes gjashtë-vargut të poezisë poeti ka përçuar një qëndresë militante e heroike të popullit shqiptar, sepse përmes të burgosurit, në këtë rast si protagonist është edhe poeti dhe ish i burgosuri i ndërgjegjes Martin Çuni, ka paraqitur qëndresën stoike të kombit, e siç thotë:
Në qelinë nr. 3
Mos e lejoni gjumin
se djaloshi i pabindshëm
sheh në ëndërr lirinë
puthë vashën që e pret
dhe çmallet me nënën…
Prandaj ne themi se sa bukur ia ka arritur qëllimit duke shprehur realitetin e dhembshëm dhe rrjedhimisht edhe një pjesë të së kaluarës historike.
Vërtet Sadik Krasniqi është një mjeshtër i mirë i vargjeve poetike. Nëpërmjet vargjeve poetike melankolike, poeti, përçon porosi të qarta për bashkëkombësit, e sidomos për të rinjtë, që të mos lakmojnë kurbetin, se “Vdekja në Kurbet” është një tragjedi e madhe dhe siç thotë poeti në këtë rast pasi edhe vetë është mërgimtar shkruan:
Në këtë kortezh të zisë/ Asnjë mik i rinisë/ Asnjë kujtim i /fëmijërisë/ Medet mbi varr/ Asnjë lot i gjëmës/ Asnjë fjalë e nënës/ As mëmë as dhe/ Për ty mëmëdhe/ As at as dhe/ Për ty atdhe/ Asnjë ofshamë e dhimbjes/ Asnjë lule e vendlindjes.
Përkundër poezive tjera lirike, atdhedashurie, malli, dhimbje, tek poezia “LETËRZEZA” shohim se sa nostalgjike është dhe me sa dhimbje i ka shkruar këto vargje, në pesë strofë me vargje katërshe ka përdorur një teknik shkrimi, ka shkrirë shumë dhimbje e lot, ku edhe thotë: Larg shkuam larg përtej nëmës së nënës, apo më e qartë del te poezia e katërt :
Do të më rrëfesh me dënesë/ për vdekjen e babait me sy/ çelë/nga malli për mua/ me mërzinë tonë do ta pikëllojmë natën. E fare në fund do ta shohim poetin se si pëlcet në dy vargjet e fundit:
…e zemra do të na plasë/ nga ndarja e re.
Te kjo krijimtari, e Sadikut, fuqishëm është manifestuar fjala e tij poetike drejtpërsëdrejti në shtjellimin e temës përmes botës reale dhe asaj areale. Dhe, kjo i jep një dimension të gjerë tërheqës për lexuesin qëndrimi dhe frymëzimi i tij.
Sfondi i këtij krijuesi vjen me një refleks dhe jehonë të fuqishme artistike, ndonëse mund të hasim ndonjë varg, apo figurë që nuk është pozicionuar aty ku duhet, por në përgjithësi poezia e Sadikut është poezi e vlerave, poezi e krenarisë, moderne, e ngjeshur, e gdhendur, sikur edhe imagjinata e tij ka zbërthyer kufijtë dhe ka ardhur në botën e lexuesit si një rreze drite.
Ndërsa kur flasim për librin e tij të parë “Oazë Palmash të Djegura” nuk mund të mos themi se poeti ka hyrë në botën poetike i formësuar, i regjur pas gdhendjes së vargut, si rrallë herë ndodhë që krijuesi të vjen me një varg të shtrydhur me një trill të realizuar mirë.
Arti i tij poetik është art i figurës, i frymëzimit, i pastërtisë, i gjuhës; mbi të gjitha Sadiku është këngëtar poetik, prandaj lexuesi do ta ndjejë se nga vargu i tij mëson botën reale, historinë, ndjen dhimbjen, buzëqeshjen, mallin, krejt në fund e kënaq shpirtin me të bukurën poetike.
Libri “Oazë Palmash të Djegura” ngërthen në vete një varg ngjarjesh që ia ndezin shpirtin poetit, siç është malli për atdheun etj. Nga vetë titulli simbolik i këtij libri mund të kuptojmë se në brendësin e saj poeti e ka tjerrë mirë vargun dhe i ka dhënë formë e kuptim përmes stilit, metaforës, figurës antitezës etj., dhe ka përmbushur me pjalmin shpirtëror.
Libri në fjalë ka prekur botën intime, ndjenjën e lexuesit dhe përmes tufave të cikleve që i ka ndarë na tregon se secila tufë, apo cikël ka një veçori të vetën se si e trajton motivin poeti, në tufën e poezive etj., prandaj gjejmë, vdekjen lindjen, jetën, buzëqeshjen, lotin dhimbjen krenarin, mallin etj. Llibri përbëhet prej VI cikleve: “Lutja e zemëruar”, “Perde e Loti”, “kujtim i Shastisur”,Alkimia e nënës”, “Sfondi i akullt”, dhe Engjëll i nëmur”
Me poezinë ikjes sime poeti në mënyrë metaforike ka shfaqur dhimbjen në vargje.
Ikjes sime mos i hidh dhe varri
që hija e mbetur
të mos ketë erë vdekjeje
në një çast bëhu drite ylli
……………………
Mërzia jote
Do të më bëjë
Lot bari
Të këtij motivi janë edhe vargjet të tjera që në mënyrë melankolike i shpreh poeti për protagonistin mërgimtar, B. Ismaili ku thotë se:
Dhe u lut/ zot më jep shpirt/ sa t’më shoh nëna edhe një herë të gjallë/ e t’m’ mbyllë sytë me pëllëmbë engjëlli.
Apo
Shkojnë dallëndyshe me pranverë në sy/nga oaza/me palma të djegura/kthehen qyqe prej mërzisë/ e vdesin nga pikëllimi/se as nëna s’është më.
Te këto vargjet e fundit shohim shpirtin melankolik të poetit, lakminë për dallëndyshen, ndaj mund të thuhet: Kush tjetër mund të thurë vargje të tilla të bukura përveç poetit…?
Shpreh bindjen, se vargjet e Sadikut janë të i ngjeshura, të motivuara, brenda të cilave ka figura e stilema, simbole e metafora. Ai me një kujdes të veçantë ju ka përkushtuar vargjeve për të paraqitur madhështinë e heronjve e dëshmorëve, për të vënë në pah dashurinë e atdheut, dashurinë si tërësi komplekse, ndaj kështu përmes figurës së dallëndyshes, gurit, zogut, lumit, gjarprit, korbit, maces së zezë, qyqes, vajit, mallit e shumë e shumë figura tjera ka arritur ta pasurojë poezinë. Sadiku në tufën e dytë “Perde loti”, te poezia “Eklipsi” thotë poeti:
Hëna mace e zezë/si me gojë gjarpëri gëlltit diellin,.
Apo në dy vargjet e fundit të kësaj poezie na del:
Ç` m’u kujtua nata e gjatë pesë shekuj mbi Kosovë/ me këtë hënë të zezë si hiri i ferrit..
Te tufa e tretë e poezive “Kujtim i shastisur” në të gjitha poezitë e saj poeti i referohet me vargje dhimbje atdheut, lashtësisë dhe tmerreve që i kanë përjetuar bashkëkombësit e tij në Tivar, Goli Otok, etj.
Ai shkruan për martirët, të cilët ende gjenden të humbur e sillen si heje të gjalla në mes nesh, e rrinë pezull pa një varr në tokën tonë, apo dheun e vendlindjes, ndaj thotë poeti:
Engjëj/kthehen me nga një lule gjaku/në hijen e vendlindjes, apo te poezia “varret e vjetra” na del-Bari i egër/ i paska ngrënë varret, apo as delet e bardha të bariut Tem/ s’e kullosin këtë bar të ligë
Antiteza e poetit në krijimtarinë e tij është përdorur me një mjeshtëri të rrallë poetike e filozofike. Mbase pas gjithë asaj dhimbje, loti, lutje, poetin me këta lot e shohim edhe te poezia Fytyra e nënës”, ku thotë:
Në mokrën e gjakut
bluaj grurin e beftë/
u fryj gishtrinjve të përmjellur
në qiell fytyrën e nënës shoh
Në dritaren me xham të thyer
gjej një kore të harruar buke si dora e nënës
e marr në dorë e puth si ikonën e shenjtë
e në krah më prek përmallshëm rrembi i ftoit që ajo ëmbëltoi…
Poeti di të jetë edhe i gëzuar e i dashuruar e këtë e shohim te kapitulli i fundit, sidomos te poezia “E dashura”
….
Gjithherë të kam befasuar me dhuratë të rrallë
Dhe në hotelin me pesë yje
Si dy mbretër
Solemnisht kemi ngrënë
Peshq të fërguar
Kemi pirë verë të bardhë
Jemi puthur në si të marrë
Duke qeshur e duke qarë.
Duke i lexuar poezitë e poetit e them pa dorashka se i kam përjetuar shumë dhe shpesh herë më bëhet se kam ecur bashkë me idetë e tij.
Përmes kësaj përmbledhje poeti ka paraqitur para lexuesit jo vetëm vlerën e harmoninë e poetike, por edhe i ka dhënë lexuesit shijen e këndshme letrare e artistike.