shkruan: Isuf Ismaili –
Vështrim për librin: “… Stërvitëm dhe Adem Jasharin” , shkruar nga Hysen Ymeri
Të flasësh apo të shkruash për oficerët shqiptarë është jo vetëm dëshirë, nder, por është edhe një krenari e madhe, njëkohësisht është edhe shumë vështirë për të vënë në pah të gjithë pjesën më të madhe a më të rëndësishme të punës dhe veprës së tyre. Sado që mundohet njeriu ta përshkruajë punën e veprën e tyre, nuk arrin dot ta nxjerrë në dritë tërë kompleksitetin e saj, pasi ka aq shumë ngjarje, aq shumë mundime, aq shumë vuajtje, aq shumë sakrifica, aq shumë përkushtime, aq shumë krenari, shumë përjetime e emocione të veçanta aq sa do të duhej shumë punë e angazhim për ta hedhur në dritë.
Sidoqoftë, puna dhe prezantimi i vlerave të mirëfillta të veprimtarive e librave të kësaj fushe është një kënaqësi e veçantë, por edhe një shtytje për të kuptuar sidomos brezat e rinj, se për Atdheun është bërë punë dhe është zhvilluar veprimtari kolosale, Janë bërë sakrifica të mëdha, për të cilat politikanët e papërgjegjshëm, shpërfillës, tallen e nuk arrijnë të kuptojnë, madje disa nuk duan as edhe të kuptojnë se rruga e Shqipërisë drejt zhvillimit e përparimit i ka digat, pikërisht edhe te sakrificat, edhe te përkushtimi dhe veprimtaria e oficerëve që mbrojtën dhe i ruajtën të pacënuara interesat e popullit shqiptar dhe të Atdheut.
Para disa kohësh u botua dhe u përurua libri: “ Stërvitëm edhe Adem Jasharin” vepër e oficerit të shkëlqyer të ushtrisë shqiptare Hysen Ymeri. Libri u botua dhe u promovua në Tiranë.
Hysen Ymeri është një nga kuadrot më të shquara të ushtrisë shqiptare, mësimdhënës i përgatitur në kuptimin më të përkryer. Shpirtërisht dhe fizikisht, ai iu përkushtua ushtrisë shqiptare, duke mos e kursyer aspak veten. Ai është shembulli më i mirë i oficerit dhe njeriut që nuk diti asnjëherë të bënte dredhi me punën ose të largohej nga detyra.
Mendja e tij, shpirti i tij dhe qenia e tij, edhe tani kur nuk punon më si oficer, është e lidhur tërësisht me dashurinë dhe përkushtimin ndaj Atdheut dhe kombit.
Ai është në gjendje të shpjegojë dhe të rrëfejë me përpikmëri ngjarjet, përjetimet, sakrificat dhe dashurinë e oficerit për armën, për kujdesin ndaj teknikës, për profesionalizmin e taktikës, strategjisë, për domosdoshmërinë e kalitjes fizike, për veçantitë e cilësive të ushtarakut, krenarinë, për emocionet, për shokët, për përvojat e përjetimet etj.
Kur rrëfen Hysen Ymeri për ushtrinë, për përkushtimin ndaj detyrës, për krenarinë e oficerit, patjetër mendja na vete për të krijuar lidhshmërinë e natyrshme të ushtrisë me pallën e Skënderbeut, me luftën dhe heroizmat e tij, me gjoksin e Mic Sokolit, e Selam Labit, që shfaqën madhështinë e heroizmin e bijve të devotshëm të atdheut, duke u hedhur mbi grykën e topava të armiqve, me kërcimin e Vojo Kushit mbi tankun e armikut, me Adem Jasharin, komandantin legjendar i UÇK- ës që u stërvit edhe nga komandant Ceni, nga Kastriot Hoxha dhe pedagogët të tjerë të Akademisë Ushtarake në Tiranë.
Hysen Ymeri është mbase oficeri më i pasionuar në aktivitete të ndryshme ushtarake, i cili ka bërë stërmundime të mëdha, pikërisht për të dëshmuar atë krenarinë, forcën, shkathtësinë e zotësinë e oficerit dhe shqiptarit të devotshëm, i mbajtur fort në shtyllat krenarisë labe e dashurisë atdhetare.
Në librin “Stërvitëm edhe Adem Jasharin” fillimisht na paraqitet jeta e tij e me vuajtje e halle të mëdha, i rritur si jetim, por me prindër të gjallë. Në këtë libër na paraqiten edhe disa përshkrime jashtëzakonisht të bukura.
Po edhe me përshkrime të tjera afërsisht të ngjashme si në fillim të këtij libri, Hysen Ymeri ka shfaqur edhe talentin letrar e artistik, ka shfaqur botën e tij të pasur shpirtërore, ka vënë në pah aftësinë e një rrëfimtari emocionalisht të pasur. Duke përshkruar e bërë krahasime të karakterit, burrërisë, ashpërsisë, butësisë, urtësisë, trimërisë e cilësive të tjera shqiptare e njerëzore në mes zonës së Labërisë, Myzeqesë apo Tropojës ai e ka bërë një përshkrim të shkëlqyer.
Kështu ai duke i skicuar në mendjet tona bukuritë e natyrës ka arritur të gjejë edhe shprehjet e goditura gjuhësore e artistike. Për viset e Labërisë a Tropojës ai shprehet me nderim të madh, sepse kanë dhënë shumë trima e trimëresha, kanë bërë shumë sakrifica, gjakun e kanë derdhur në themelet e atdheut, ata më shumë kanë folur me vepra të dëshmuara atdhetare duke shfaqur guximin e trimërinë dhe nuk janë marrë shumë me fjalë, prandaj shprehet autori: “….mendimin e urtë pak me zor e kanë përkundur në djepin e mendjes dhe të shpirtit të tyre.”
Në vijueshmëri të trajtimit të këtij libri herë – herë mund të evidentohen edhe shprehje e mendime dhe rrëfime të tjera emocionale e artistike. Të gjitha këto, dëshmojnë se Hysen Ymeri krahas armës, krahas punës dhe veprimtarisë ushtarake nuk e ka lënë me një anë letërsinë e artin në përgjithësi. Në bisedë me Hysen Ymerin për shkollimin e tij veç të tjerave rrjedha e bisedës shkon edhe tek letërsia. Ai flet me nderim e dashuri për mësuesin e letërsisë Adriatik Kallullin, tani kritik letrar, i cili pasi ia kontrollonte hartimet i shkruante në fund për përmbajtjen: “Hysen ke shkruar shkëlqyer, por më vërbove se mezi i lexoj shkronjat e imëta”
Në libër, na paraqiten fillimisht ngjarje të shumta të fëmijërisë së autorit, të cilat janë të përshkruara me një gjendje të theksuar emocionale e shumë të dhembshme.
Hyseni kaloi një fëmijëri të çuditshme, të dhembshme, i rritur larg nënës së tij, por me kujdesin e veçantë të gjyshës. Prindërit e tij ishin ndarë që kur ai ishte pesë muajsh, duke mos pasur motive të forta, por më tepër për arsye të ashpërsisë së zakoneve, në raportin vjeherr – nuse. Por ai me mundime ishte rritur. Kishte filluar të shkonte edhe në shkollë. Atje kishte shfaqur dëshirën e madhe për t`i thithur sa më shumë mësimet dhe dijet shkollore, megjithëkëtë ai e kishte shumë për zemër edhe sportin, prandaj kishte shkëlqyer edhe në atletikë, gjimnastikë, futboll etj.
Duke e parë këtë libër në tëra pikëpamjet, doli në pah edhe ana letrare e artistike sado që kjo vepër kryesisht është biografike, por edhe me pjesë trgimesh letrare e ndërthurje ngjarjesh, dukurish dhe veprime të shumta profesionale ushtarake etj., të cilat e kanë bërë veprën të kompletuar mirë.
Duke e lexuar këtë libër nuk mund të mos ndalet njeriu më shumë tek disa ngjarje, të cilat jo vetëm mund të jenë lëndë e trajtimeve të shkurtëra, por mund të shfrytëzohen si një pikënisje dhe si lëndë për të krijuar edhe tregime, novela apo edhe romane të mirëfillta. Një ditë prej ditësh babai i tij, Dulja nga Luzati i Tepelenës, por me banim në Tiranë, e kishte nisur Cenin për te halla në rrethin e Tepelenës me dy fqinjtë që shkonin në Përmet. Kur arrijnë në lokalitetin e Buzit, ata dy fqinjët ndahen për arsye, se vetëm deri aty e kishin rrugën bashkë, prandaj Hyseni kishte ngelur vetëm. Ai moment për të ishte i trishtushëm dhe ai kishte filluar të qante nga thellësia e shpirtit. Dhe ja si shprehet autori: “Një burrë me qylaf labi në kokë e që tërhiqte një kalë, përkulet, më fërkon kokën e më thotë: – Pse qan mor bir?… Fshiva lotët duke qarë, tashmë me zë të mekur thashë: – Dua të shkoj tek halla në Koçiaj,….” Faqe 22 Ai xhaxhi me qylaf e kishte çuar tek halla. Atje në fshat kishte kaluar mirë. Tani duke qenë afër qytetit të Tepelenës ai kishte vajtur edhe tek daja i Dulës në Hormovë. Ai e kishte marrë një ditë Cenin dhe e kishte çuar në Memaliaj tek minierat. Aty e kishte takuar dajën e tij. Daja i tij e kishte çuar tek nëna e tij Sosja. Këtu ishte edhe qëllimi im për të evidentuar këtë moment.
Pas dhjetë vitesh kur tanimë Hyseni ishte në shkollën ushtarake “Skënderbej” shkoi për ta takuar nënën e tij, në fshatin Beçisht.
Ai me një tërmet dhembje në shpirt e me një mal emocione e përshkruan takimin me nënën e tij, Sosën. Jo vetëm në libër, por edhe tani në moshën mbi 60 vjeç kur i rrëfen kujtimet e atij takimi shfaq plagën e madhe në shpirt, por edhe dashurinë e nderimin që e ka ndaj të ëmës.
Kur kishte shkuar me Muçon, djalin e dajos në Beçisht i kishte takuar vëllezrit e motrën e tij nga e ëma, në afërsi të shtëpisë. Ata ishin të vegjel dhe natyrisht që nuk e njihnin Hysenin, s`e kishin parë ndonjëherë, por Muçon e kishin rrethuar, mbasi e njihnin. Në ato momente kishte dalë një grua nga shtëpia. E kishte përqafur fort Muçon, e ai e kishte pyetur se a e njihte atë djalë. “Ashtu të pushtuar në gji të njëri – tjetrit mbetëm atë mbrëmje, atë natë dhe tri ditë e tri netë rresht. Ajo nuk hante nuk pinte sa isha unë aty. Qante ditë e natë…..” Faqe 41 Në një gjendje të tillë Hyseni ik nga Beçishti edhe pse më parë kishte vendosur të rrinte 10 ditë. Por atij iu kishte dukur e pamundur të rrinte më. Do të ishte më mirë edhe për të ëmën – kishte menduar Ceni.
Ai iu kthye ushtrisë, u bë oficer e mësimdhënës i shquar, por nënën kurrë nuk e harroi.
Jo vetëm kjo ngjarje por edhe plotë të tjera të përshkruara në këtë libër, janë tema me vete për ndonjë novelë, roman, dramë apo tregim të gjatë. Ngjarje të shumta të përshkruara në këtë libër lidhen me ushtrinë, me vuajtjet e hallet e problemet, por edhe me sukseset e me kënaqësitë jetësore. Hyseni i përgaditur dhe i kalitur fizikisht në mënyrë të shkëlqyer, një sportist tepër i talentuar dhe duke i pasur të gjitha këto cilësi të natyrshme, s`ka si të mos kishte suksese të mëdha edhe në stërvitje ushtarake. Në një stërvtje kur një nga oficerët lavdërohej për studentin e tij se ishte treguar shumë i zoti, duke arritur një brez eksperimental për tre minuta e gjashtëdhjetë sekonda, Hyseni, edhe ai student atëherë, i thotë se e bënte ai për dy minuta e tridhjetë sekonda.
Ja se si shprehet vetë Hyseni edhe në kuptimin e përdorimit të bukur të fjalës: “Në pesëdhejtë metrat e fundit, që përfundonin në një malore ia kërkova shpirtin vetes dhe përparoja vetëm me vrap jo me hap siç bënin të tjerët….” Faqe 76/
Shprehja: “i kërkova shpirtin vetes…” nuk është e zakonshme, është shprehje e fushës letrare e artistike. Shprehje të tilla përveç se i japin një bukuri shkrimeve, bartim me vete edhe kuptimin e asaj që don, autori ta thotë me fjalë më të drejtpërdrejta. Sigurisht fjalët e zakonshme janë më të zbehta dhe më pak të përthithura, por të domosdoshme e në ndërthurje me figura, me shprehje frazeologjike me fjalë të tjera artistike kanë funksionin e plotë në një tekst të caktuar, në shkrime të ndryshme a në një vepër siç është edhe libri i Hysen Ymerit.
Duke shfletuar këtë libër, duke e lexuar me kujdes, njeriu hap pas hapi do të të mësojë shumë për ushtrinë shqiptare, për forcën dhe gadishmërinë e saj që e ka pasur, për kalitjet fizike për aftësitë e mbrojtjes dhe në kuptimin plotë të fjalës në shëbimt popullit dhe Atdheut.
Stërvitjet në poligonet e ushtarake, marshimet, qitjet, fushimet në male me dëborë, kalimi i lumenjve dhe ndërmarrjet e veprimet e shumta ushtarake, kanë dëshmuar për vitalitetin dhe përkushtimin deri në vetëmohim të oficerëve e ushtarëve për të mbrojtur vendin dhe për t`u bërë kështu shembulli më i mirë i një organizimi të përsosur dhe një krenari të ligjshme kombëtare.
Dalja në dritë e këtij libri dëshmon për atë organizim të përsosur dhe për atë krenari kombëtare.
Nuk mund të mos e theksohen ato stërmundime që janë bërë gjatë marshimeve të shumta si në Martanesh në Gurabardh, kalimi në Qafë- Murriz, te Çezma e Pogradecit.
Në këtë vijushmëri Hyseni tanimë oficer, përjetoi emocine të mëdha dhe po fitonte përvojë të re edhe gjatë marrshimeve në Orgockë në Qafë Dëllinjë në Frashër të Përmetit dhe dhe gjatë stërvitjeve e fushimeve në male, duke bërë kampe si në Orgockë, ku ka pasur shumë dëborë. Po kështu do cekur edhe hedhjën me parashutë në një kënetë të Durrësit. Këtu ai shpreh dhimbjen për humbjen e një ushtari i cili po binte në tokë me një shpejtësi të madhe.
Një moment tjetër shumë i dhembshëm është edhe humbja e e gishtërinjve të dorës së djathtë nga ekspolozivi, duke e ndezur fitilin të cilin nuk kishte arritur ta ndizte, një ushtar. Por, më pas shohim se me një kurajo të pashembull shfaqet tërë angazhimi i tij shpirtëror për t`u shëruar.
Ja si shprehet vetë Hyseni se ç` i kishte thënë doktori që kishte operuar, pasi ia kishte improvizuar dy gishta, meqë i madhi kishte mbetur u pa u cenuar:
“- Ceno mos u mërzit se ke gjysmëdore, me të do të bësh gjithçka që ke bërë deri tani. – Edhe gjimnastikë?!- pyesja unë.
– Edhe gjimnastikë me atë vrull që ke ti, – ma kthente ai me tërë optimizëm”.
Pas gjithë kësaj ai u kthye përsëri në ushtri, bëri stërvitje të stërmundimshme, gjimnastikë, mbaroi edhe fakultetin juridik, dhe një kurs radiozbulimi. Me kurajo dhe vullnet të çeliktë arriti të bëhet shef i shtabit ushtarak të shkollës së zbulimit, më vonë fillon detyrën e pedagogut të klasit të parë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Ka shfletuar edhe literaturën e huaj për operacionet mbrojtëse, mësymese, desante ajrore e detare, për të mbrojtur gradën për kandidat të shkencave. Hyseni arriti të bëhet edhe shef i Fakultetit Gjitharmësh.
Veçanti me shumë interes është edhe organizimi i pritave, improvizimi i çezmës artificiale, gurit artificial, apo lesës artificiale ose të përshtatur. Gjithë kjo punë bëhej për ta hutuar armikun, kur ushtarët e armikut të lodhur e të etur ndalojnë të për të pirë ujë te çezma e përshtatur dhe në ato momente kur ata mendojnë të çlodhen, ju dalin ushtarët mbrojtës nga toka, duke i hedhur leset e improvizuara në ajër, duke hapur zjarr mbi armikun, apo nga guri i improvizuar prej ku edhe mund të hapet e zjarr edhe mund të kapet armiku. Të njëjtën gjë do të mund ta bëjnë edhe ushtarët në prita të tjera duke vënë në zbatim ndërmarrje e veprime luftarake të ndërlidhura mirë. Këto mësime, pedagog Ceni ( Hysen Ymeri) dhe pedagog Kaçi ( Kastriot Hoxha ) i kanë shpjeguar dhe i kanë zbatuar me grupet e djemve nga ato viset shqiptare, që atëherë ishin nën Jugosllavinë.
Hysen Ymeri kësaj pjese ia ka kushtuar disa faqe, dhe ndër të tjera shkruan: “Qenia pedagog studentësh ushtarakë për disa vite, ka lënë gjurmët e veta në kujtesën time, por qenia mësues ushtarak luftëtarësh çlirimtarë (është fjala për disa nga luftëtarët e UÇK-së) mbetet për mua kujtimi më i madh e i pashlyeshëm në tërë karrierësn time ushtarake dhe në tërë jetën time.” Faqe 246.
Megjithëkëtë ka akoma shumë gjëra, shumë emocione, shumë aktivitete shumë përjetime, gëzime e dhembje për atë periudhë, që mbase është mirë t`i plotësojnë të tjerët.
Meqë edhe unë kam qenë një nga ushtarët e Komandant Cenit, pjesëmarrës në këto stërvitje, mbase mund të më lejohet edhe në këtë shkrim të shpreh respektin dhe nderimin tim të veçantë për të dhe për të gjithë pedagogët që na mësuan dhe u morën me neve, sepse na dhanë krah e forcë, sepse e shprehen ndaj nesh dashurinë vëllazërore, por edhe ne ndaj atyre dhe na bëhej zemra mal, që kishim veshur uniformën ushtarake shqiptare, që stërviteshim, që mësonim armët etj. Kurrë në jetën tonë nuk e kishim ndier veten më të sigurt e më krenar. Na ndritnin sytë nga gëzimi. Për ne ushtarët më të rinj Komandant Ceni sillej si njeriu ynë më i dashur, si prindi ynë.
Nuk mund të harrohen lotët dhe dhembja e oficerëve me rastin e ndarjes, kur ne po niseshim të armatosur për të kaptuar malet e për ta thyer atë akull në mes trojeve shqiptare. Po niseshim drejt Kosovës.
Në takimet e më vonshme me pedagogët tanë oficerë tregonin për dhembjen tyre të madhe ndaj neve dhe shqetësimi gjithashtu i madh kur na përcollën për në Kosovë, duke i bërë pyetje vetes, se a do të takoheshim edhe ndonjë herë tjetër. Në kujtimet tona kanë mbetur si shembujt më të mirë njerëzor e vëllazëror dhe kombëtar edhe pedagogët tjerë si Ylli Mici, Agron Dhimarko, pedagog Edi, specialisti i xhenjos etj. Kaluam një kohë shumë të mirë. Ata jo vetëm se na dhanë mësime, por edhe kohën lirë e kalonim së bashku, me biseda të shumta dhe të zjarrta. Janë gjithnjë të nderuar e të respektuar.
Edhe këto raste kanë dëshmuar se s`ka as gjë që mund të na ndajë. Më kot e ka politika përçarëse: “S` ndahet shpirti me gurë kufiri”, – shprehet këngëtari popullor.
Do theksuar se disa nga burrat e veçantë, siç qe Komandanti Legjendar i UÇK- së, Heroi i kombit, Adem Jashari, trimi dhe Heroi tjetër legjendar Zahir Pajaziti ngelën në kujtesën e këtyre oficerëve të shkëlqyer, si simbolet më çmuara e historisë më të re shqiptare. Edhe këta dy heronj morën mësime të nevojshme pikërisht nga pedagogët oficerë, prandaj komandant Ceni e quan librin e tij: “Stërvitëm edhe Adem Jasharin”.
Shkrimi për këto stërvitje mund të jetë shumë i gjatë, prandaj do të doja aq sa kam mundësi t`i hedhi në letër përjetimet e mendimet e në një rast tjetër. Jeta për Komnadant Cenin pas viteve 90 u tregua e ashpër, atë e pushuan nga puna. Një dekan fakulteti u detyrua të dilte në treg për të shitur këpucë. Vetë lexuesi mund të gjykojë se në ç`udhë mund të shkojë një shoqëri kur pedagogët, shkencëtarët, oficerët etj. dalin në treg për të shitur dhe përballen me vështirësi madje edhe të ekzistencës.
Më vonë Hysen Ymerin do ta shohim aktiv edhe si ushtarak. Në tetor të viti1998 ai fillon punë në Ministrinë e Mbrojtjes. Më pas do ta emërojnë komandant i Batalionit special të Ushtrisë.
Ai kishte filluar punën po atë vrullin profesional e shpirtëror si më parë, por pasi e emëruan Komandat ai e profesionalizoi batalionin, fitoi edhe përvojë dhe ushtarët e tij u bënë sikur të ishin luanë.
Gjatë kohës së luftës heroike të UÇK- ës, komandant Ceni së bashku me ushtarët e tij shkoi në Has, Kukës e Tropojë për të siguruar kufirin. Në këtë drejtim ishte edhe një qëllim tjetër madhor kombëtar, sepse atje shkoi ai me ushtarët e tij edhe për t`ju bërë të pamundur forcave çetnike, e fashiste serbe t`ju dilnin mbrapa krahëve luftëtarëve trima të UÇK-së.
Pas disa vitesh shohim se Hysen Ymeri nuk punon më si oficer. I lidhur shpirtërisht me Kosovën me luftën, me luftëtarët e UÇK- së me heronjtë e dëshmorët, me Komandantin Legjendar Adem Jashari, me trimin e Heroin e malësisë së Gollakut dhe të gjithë kombit shqiptar Zahir Pajazi, ai merr pjesë në shumë manifestime, përkujtime, vizita në familjet e dëshmorëve, duke bërë homazhe pranë varre të tyre.
Kemi pasur rastin të shkonim disa herë nga Tirana për në Prishtinë së bashku me komandant Cenin, me oficerin e kryeredaktorin e shquar të revistave e gazetave ushtarake Halil Katanën edhe ky i lidhur me mish e shpirt me Kosovën. Kemi qenë bashkë në takime të shumta me shokë e dashamirë, në manifestime e përkujtime, në familjet e dëshmorëve.
Kudo ka shkëlqyer fjala e tyre, puna e tyre dhe vepra e tyre.
Në fund të këtij shkrimi do të doja të theksoja se libri u botua edhe me përkujdesjen e kolonel Halil Katanës, redaktor i librit, i cili ka bërë një punë të madhe dhe të shkëlqyer.
Hysen Ymeri na ka dhënë në duar një libër që ka vlera për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen