Mustafë Krasniqi- POEMA E RIBASHKIMIT-Zeqir Gërvalla

Fejtoni nr. – VI –

Mustafë Krasniqi

Përmbledhjet poetike të poetit Zeqir Gërvalla, këtij  atdhetari dhe frymëzuesi, i përkushtuar tërësisht për jetësuar mbarëvajtjen e Shqipërisë Etnike, na vijnë me një ligjërim të thjeshtë poetik. Por nëpërmes forcës së shpirtit atdhetar të poetit dolën në dritë vepra të çmuara atdhetare duke vënë në pah vlerën artistike. Zeqir Gërvalla nuk është prej atyre poetëve që vijnë me frymëzimin aventuresk apo me surrealizmin kozmopolitizmit, e as me një përkulje e përkëdhelje siç bëjnë disa sahanlëpirës pushtetesh. Po është prej atyre poetëve që poezinë e ka ndërtuar nëpërmes dhimbjes së shpirtit të tij. Ai është një nga ata poetë me ndjenja realiste, prandaj i shfaqi shqetësimet e veta përmes vargut të krenarisë, e dhembjes deri në shpirt, mallit që e djeg dhe përvëlon. Prandaj shprehi bindjen time se tërë krijimtaria e tij poetike përçohet me një patetikë të lartë. Forcën frymëzuese atdhetare e gjejmë sidomos te përmbledhja “Poema e bashkimit”.

Ndonëse te poeti, Zeqir Gërvalla, kjo edhe hetohet lehtë, sidomos shfaqet si kronike në trupin e tij dhimbja për shqiptarin, gjendja nën robëri, dashuria për atdheun, Shqipërinë Etnike, lashtësia e atdheut, dhimbja për nipin, motrën etj.

Patosi i udhës së tij ishte arritja e qëllimit dhe synimit të tij për të ardhmen e kombit dhe mu për këtë kishte shkruar e shkruar pa u ndalur asnjëherë.  Këto janë përmbledhjet e tija që e fisnikërojnë, njëherë si burrë i atdheut, pastaj edhe si poet.

Krahas vështirësive poeti ynë na ka paraqitur këto përmbledhje: “Prania e Sfiksit”, “Daullet e pranverimit”, “Det e moçal ballë për ballë”, “Ekspozita e mëmëdheut”, “Në rrugën e dritës” etj.

  Ndërsa kur ndalim te “Poema e Ribashkimit” autori na vjen më ndryshe se të veprat e tija të mëparshme, qoftë për nga figura, rima, vargëzimi, apo figuracioni dhe angazhimi dhe strofa e ndërtimit të poezisë së tij. Një veçanti që e karakterizon këtë libër është edhe përkushtimi i madh i tij për ta nderuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë edhe përmes kësaj përmbledhje, e cila ka ngritur zërin e arsyes, prandaj edhe këshillon se para popullit, kombit nuk duhet ketë fryrje si gjela, sepse atdheu dhe populli do një zë të arsyeshëm e burrërorë, ndaj poeti thotë:

Ja ky ishte fati im i rëndë….dhe i (Z)emëroJonë-Kosovë
Ah! Mbi një shekull… robëruar e ndarë… nga Nëna Shqipëri.


Me këtë libër autori, Zeqir Gërvalla, paraqet shpirtin e tij të dashur për mëmë Shqipërinë dhe bashkimin e saj, po përveç kësaj ndjenje shpirtërore që na e paraqet në librin e vet, ky përmes vargjeve poetike sikur rebelohet dhe thotë:


Andaj mjerë (ata-ato( që këtyre vlerave
Gjith(Ë)njerëzore s’ua ndjejnë…s’ua SHIJOjnë…B-U-K-R-I-N
Apo 
Humbës janë të gjithë armiqtë e Drejtësisë:
Që Kombit tonë Shqiptar-Shqipërisë-përpiqen t’ja
Mohojnë të Drejtën Legjitime për Ribashkim
Gjithandej ku i ka k-u-f-i-j-t ë….

Ndërsa të mjerët janë:


Ata (shqiptar e shqiptare)që vetvetes i thonë “shqiptar”(!)
E në realitet: për ndonjë interes… vetjak-mjerak…
Janë kundër Ribashkimit Kombëtar…!!!

Autori paraqet në krijimtarinë e vet një kthjelltësi të   vargjeve, përmes së cilave fton bijtë dhe bijat e kombit, të ecin pa frikë drejtë rrugës së lirisë, pa i lënë anash pjesët e copëtuara nga bishat sllave. Kjo thirrje e poetit ka vetëm një gjuhë, ajo padyshim është gjuha e zemrës për Bashkimin Kombëtar, që shumë qartë përmes krijimtarisë shpirtërore e përçon te masa.

Këtë ndjenjë për mëmë Shqipërinë, siç duket poeti e përçon te miqtë e kombit tonë amerikanë, për të cilët shpreh simpatinë.

Për Uroj DyPërvjetor: në këtë rrugë drite…
236 vjetorin e Amerikës Mike: në Pavarësi
Si dhe 100-vjetorin e Nënë Shqipërisë Etnike;
….. Edhe ne…..
Të bëhemi Unikë: -për RibaShkim në RrugëDrite…

Krijimtaria e tij lidhet fort tek veprimtaria dhe momentet akteve heroike të dëshmorëve të Atdheut si tërësi  shqiptare, prandaj për  luftën e UÇK-së e ngre zërin fuqishëm në dimensionet poetike dhe shkruan për heronjtë e saj duke i krahasuar si dragonj që nuk mposhten kurrë. Kështu ndër të tjera shprehet:

“…. Gjithnjë me në ballë: Roje Nderi-Flamuri-Kombi-Atmëmëdheu…”

Autori përmes figuracionit, stilit të tij të shkruarit po edhe përmes veprimtarisë së tij aktive në përgjithësi paraqet denjësisht në sipërfaqe qëllimin dhe heroizmin e atyre që u sakrifikuan, për pavarësinë e Shqipërisë, për bashkimin e trojeve të shqiptare që i pushtuan serbët malazezët, maqedonasit dhe grekët.  Libri ngërthen në vete ide të mëdha, të cilave poeti iu përkushtohet dhe i ngre në lartësi letrare përmes metaforës, figurës, krahasimit, dhe kështu i ka dhënë një dimension artistik veprës. Kështu natyrshëm shohim se sa me kujdes  të veçantë dhe të fuqishëm e ka lidhur  shpirtin e heroit me atdheun, dhe sa bukur e përcakton imagjinatën e tij poetike. Ndonëse në këtë përmbledhje poetike “Poema e ribashkimit” sikur poetin e gjejmë të mbështetur edhe në fuqinë e Zotit, sikur thotë edhe vetë:

 “… Falënderoj krijuesin Një, të Lumin Zot…”

Meqë kjo përmbledhje është edhe për nder të 100 vjetorit, autori përpos figurës, stilit pak sa më ndryshe nga 10 veprat e mëparshme, sikur nga emocionet e tepërta nganjëherë duke kërkuar më të thjeshtën për lexuesin dhe më të madhërishmen për heroin apo kombin, popullin e tij, sikur pa dashjen e tij i zbehet vargu, por kjo mund të jetë madje e zakonshme edhe tek shumë poetë të tjerë.. Por ajo që e bën më të veçantë Zeqir Gërvallën nga autorët tjerë, është qasja e ndërthurjes artistike, porosia, guximi dashuria me afshin e shpirtit për një Shqipëri të Bashkuar,  siç e quan dhe vetë poeti gjithnjë për mëmë Shqipërinë.

Po edhe një veçori tjetër hetojmë te autori i këtij libri “Poema e Ribashkimit”, kur i këndon dhimbshëm atdheut nga largësia, duke qenë vetë një nga mërgimtarët e ndjeshëm, shfaq një mall dhe dhimbje, prandaj shpesh i përlotur thotë:

 “Edhe nëse vdes toka ime mos m’i lë eshtrat të humbur”, meqë edhe pse e do Amerikën mike, ai dëshiron që eshtrat e tij të pushojnë në atdheun, vendlindjen e tij, ku ka përjetuar lloj-lloj torturash nga policia serbe, që kur e kanë ndjekur dhe pranguar. Duke qenë prapa grilave famëkeqe të burgjeve fashiste të ish-Jugosllavisë bashkë me Adem Demaçin dhe shumë shokë të tij, me të ndjerin Selman Berisha, me të cilin edhe ishin vëllazëruar, vuanin nëpër ato burgje dhe ndiqnin vetëm një rrugë: atë të Bashkimit të Shqipërisë Etnike.

Libri “Poema e Ribashkimit” që nga fillimi e deri në përfundim të saj ka një porosi të qartë “rrugën mos e ndalni deri te realizimi i bashkimit të kombit dhe çlirimit të të gjitha trojeve të okupuara dhe jetësimit të Shqipërisë Etnike si shtet.”. Libri “Poema e Ribashkimit” ia ka arritur qëllimit të saj, ndonëse edhe për letërsinë shqipe kohëve të fundit është një krijimtari vargjesh që te poetët tjerë nuk e gjejmë. Ndaj, sikur qëllimisht poeti na vjen me këto vargje, me një ligjërim të thjeshtë pak sa të ikur nga ai i vargut i rregullt  e ritmik.

Megjithatë, këtu shohim se poeti për nga nuancat dhe asonancat e vargut të tij afrohet më tepër me  gjuhën e artit popullor, ku edhe e trajton emocionet e tij në këtë frymë duke ruajtur karakterin e vargut, qoftë përmes vargut të rregullt, apo ati të thyer.

Për Uroj Dy Përvjetor: në këtë rrugë drite…
236 vjetorin e Amerikës Mike: në Pavarësi
Si dhe 100-vjetorin e Nënë Shqipërisë Etnike;
….. Edhe ne…..
Të bëhemi Unikë: -për RibaShkim në RrugëDrite…

Tek kjo poezi kemi thjesht një ligjërim poetik, që afrohet me tepër me një ligjërimi i zakonshëm, sidomos te dy vargjet e para kemi një varg që lexuesi e merr të gatshme si diçka  më shumë prozaike. Ndërsa te vargjet e fundit autori sikur porosit bashkatdhetarët e vet që përmes vullnetit të arrijmë Bashkimin, e sidomos në pjesën e parë të vargut të fundit-Të bëhem Unikë- sikur tërë dashuria e poetit bie mbi këtë varg.

Zeqir Gërvalla sikur mbështetet edhe te një varg tjetër

“… Falënderoj krijuesin Një, të Lumin Zot…”,

Varg që më tepër është emocional dhe as që i shkon natyrës poezisë ashtu, por përmes këtij vargu të lirë e të çiltër ka dashur të ketë një lidhje që atij i duket e nevojshme, duke u mbështetur në edhe në fuqinë e “të Lumin Zot…”Ai kështu ka arritur ta shfaq botën shpirtërore të tij.

Ky varg nuk është i rastësishëm te autori i 10 librave Zeqir Gërvalla, po si duket qëllimisht ka ardhur me vargje më ndryshe për ta shprehur më thjesht anën shpirtërore të tij para lexuesit e siç thotë:

“Ja ky ishte fati im i rëndë….dhe i (Z)emëra Jonë-Kosovë”

Ndonëse vetë poeti ishte njëri nga ata atdhedashësit, apo roje e kombit, që u bë mish e thua i atdheut, u trajtua si rob i tij, me vetë-dëshirë, e siç del në vargun e tij:

“Roje Nderi-Flamuri-Kombi-Atmëmëdheu…”

Megjithatë, poeti ndien edhe dhimbjen, ndaj edhe na përshkruan të kaluarën përmes vargjeve:

“Ah! Mbi një shekull… robëruar e ndarë… nga Nëna Shqipëri”.

Kështu vihet re se  poeti ka ndërruar formën e të shkruarit e tij dhe ka nxjerrë në dritë krijime poetike duke shkruar vargje më ndryshe, e duke pasur dëshirën e mirë për ta arritur fuqinë shpirtërore që ta zbërthejë atë tek lexuesi, ashtu siç e ndiente vetë thjesht e popullorçe, që nganjëherë i tejkalon të gjithë kufijtë.

 Po ai megjithëkëtë  qëndron brenda vargut, emocionit  artistik dhe del më i plotë, më i fuqishëm në tërë hapësirën shqiptare, si krijues, poet. Kështu ai bëhet i dashur për lexuesin  librat e tij i imponohen lexuesit me të gjithë përbërësit letrar. Zeqir Gërvalla është një poet që ka lënë gjurmë në krijimtarinë letrare dhe atë artistike, poezia e tij herë ka dalë në dritë me emrin e vetë autorit, herë me pseudonim, ngase  poeti ishte i ndjekur fizikisht nga pushtuesi i kohës, të cilit pushtuesit përpos lirisë fizike, dëshironin t’ia burgosnin edhe lirinë e të shkruarit, e të menduarit shqip. Ndërsa te libri i parafundit “Me orë Kosove”, poeti thjesht na vjen me një krijimtari artistike, me atë mjeshtëri që di ta bëjë poeti, atdhetari, veprimtari, Zeqir Gërvalla. Libri tij ndahet në cikle dhe për nga forma, shtjellimi janë të motivuar me motive të ndryshme, e me nuanca të theksuara patriotike, që nga motivi i Lirisë, atdhedashurisë, për heroin, vendlindjen dhe të afërmit e tij., poeti sikur e fuqizon me të gjitha elementet përbërëse krijimtarinë e tij, duke i shtuar edhe anën emocionale, por nganjëherë sikur edhe e gjejmë poetin të rebeluar sidomos te cikli “Ora e (I)lirisë” te poezia “Dilemë shekullore” ku edhe thotë:

A ta bëjmë penën pushkë?

Apo pushkën penë?

Zor me të dyja!

Zor pa të dyja!

Rob se rob shqiptari

E copëtuar se e copëtuar Shqipëria!

Në këtë poezi e kemi përpos rimën, qëllimin, figurën, simbolin kemi të pranishme anaforën ku përmes saj ka arritur ta fuqizojë realitetin e poezisë. Dy vargjet e para vargje pyetëse, por të përkushtuara dhe të realizuara artistikisht, sidomos rebelimi i tij vjen mu në dy vargjet e para fundit të strofës së fundit, ndjeshëm shfryhet poeti dhe sikur kombit i drejtohet me këto fjalë:

………………..

Po s’pate guxim të hysh

Prit edhe njëqind vjet!

Në dukje është një ligjërim i thjeshtë, por jo, është një varg i fuqishëm artistik. Atdheu dhe malli për të është i madh dhe i pa-përshkruar, siç e gjejmë te poezia “Dialog me një zog në kafaz”, poezi ndërtuar nga katër vargje, duke rrjedhur ritmikisht, ajo ka figura, simbole dhe krahasime, mbi të gjitha ka tërë atë fuqi dhimbje. Kështu përmes vargut e shpalos  shpirtin dhe zjarrin e tij që e djegë siç edhe shkruan për atdheun e tij:

……

Për mua më e mirë është një ferrë

Nën qiellin e lirë pranë lumi e behari…


Ndërsa në kapitullin e dytë “Dita e parë në Amerikë“ dhe “Diell mërgimi” sikur është shkrirë nga malli, prandaj e shohim se si digjej për vendlindjen, Shqipërinë Etnike poeti ynë, Zeqir Gërvalla. Paraqitjet e tij shpirtërore, lexuesit i sjellin një krijimtari poetike malli edhe pse ka admirim për shtetin ku ai mërgoi, por prapëseprapë ëndërron dhe shkruan me pietet për truallin e gjyshërve, aty ku e ka bekuar nëna, atje ku gjyshi ia ka mëkuar shpirtin shqiptarisht. Është mirënjohës për pritjen e ngrohtë që i bëri populli amerikan poetit Zeqir Gërvalla dhe refugjatëve shqiptarë. Te poezia “ Në perëndim të diellit”, sidomos te vargjet e kësaj poezisë sikur poetin e shohim me një gjendje shpirtërore të thyer dhe thotë:

 Oh! Sa larg u largova prej teje, Kosovë,

apo në vargun e fundit na del disi melankolik

…………..

Ndjen të ftohtë

Është me buzë në vaj…

Lëngon

Lëngon

Lëngon

Nuk është e rastësishme që poeti shkruan se si e ndjehet Uni i tij shpirtëror, sidomos te poezia “Të rrahurat e zemrës t’i dëgjoj”, është një poezi me vargje të thyera, poezi me një fuqi artistike dhe ku thotë në vargun e parë e të fundit:

“Jam aq larg…

…………………

Të rrahurat e zemrës

Atje t’i dëgjoj…”

Tek poezia  “Me orë Kosove”  që është edhe vetë titulli i librit poeti na vjen me vargje karakteristike, sa përshkruese aq edhe metaforike, sidomos  metafora e zogut  dhe e fluturës janë figura që e simbolizojnë këtë poezi dhe e shfaqin anën më artistike të poetit dhe shpirtit të tij, ndërsa te poezia “Diell mërgimi” hasim një metaforë tjetër të fletës, e siç thotë

…..

E, sikur diç më fletë… më fletë

Ai diell… në këtë qiell

Apo figura e krahasimi te kjo poezi si:

Dielli…Dielli që përditë përqafon

Edhe vendlindjen time.

Në poezinë “Me orë Kosove” në mënyrë të veçantë poeti ka shpjeguar botën e brendshme të tij duke përshkruar përmes orës: kohën

 Unë orën time nuk e ndërroj

Me asnjë orë të botës!

  Këtu shihet fuqia e poetit, si për nga emocionet e tij, ashtu edhe për nga vlera e ndërtimit të poezisë. Ndoshta për lexuesin do të jetë risi,  meqë ca vargje të poetit i ka krijuar me një thyerje të rregullit krijues, por këtë nuk e ka bërë pa qëllim, ai megjithëkëtë përmes këtyre vargjeve ka dashur t’i thotë lexuesit, se na duhet edhe një poezi të tilla të reja, ndërsa ne mund të themi këtë, se sa mund të jenë të qëlluara këto vargje më së miri do ta thotë në një të ardhme kritika letrare, por ajo që e bën të nevojshme për ta lexuar librin e tij është vlera e përkushtimit, shpërthimi i unit të tij, figura, simboli, krahasimi, ngjyrimi dhe muzikaliteti që i ka dhënë vargut.

Poeti si një mjeshtër i rrallë ju ka qasur krijimtarisë poetike me një thesar përplot figurash stilistike edhe elemente të tjera letrare. Stili i Zeqër Gërvallës lë mundësi për interpretim poetik, sepse mendimi i tij është shumëdimensional dhe njëkohësisht na vjen me vargje të reja në poezinë e sotme shqipe, sidomos në përdorimin e kllapave, si edhe me shkronjën e madhe në mes të fjalës, po ashtu hasim edhe te ndarjet  e fjalës në tinguj e në disa raste edhe në rrokje.

Te poezia“Buzëqeshje (i)lirie e përgjysmuar”,  e trajtoi poezinë në mënyrë të veçantë përmes personalitetit  të heroit që edhe është lidhur ngushtë me emrat e tyre, si:

Ti je gjaku dhe loti ynë…ne jemi mishi dhe kocka jote…

Poeti, Zeqir Gërvalla, i këndon trimit, heroit, shokut, veprimtarit, dashurisë si dhe mbi të gjitha atdheut dhe lirisë së saj. Përmes poezisë “Kanjushë e verdhë krenare” trajton në thelb qëndresën e tre martirëve të kombit, përmes simbolit figurës dhe anaforës, këtë e gjejmë te vargjet:

 kanjushë…Kanjushë e verdhë/Ti mbete përherë/ lajmëtare e (I)lirisë/Kanjushë e verdhë…