Mustafë Krasniqi – SHPIRTI I POETIT

shkruan: Mustafë Krasniqi – Poeti Sylejman Qyqalla,  na vjen me librin e radhës “Rrënja”, vepër kjo që përmbush normat e një poeti të mirëfilltë, me të gjitha cilësitë dhe veçoritë krijuese. Konkretisht përmes vargut dhe përkushtimit të madh dhe të sinqertë në ndërtimin e vargu të vlerave na del thjesht i kompletuar.

Në këtë dimension kohorë, poeti trajton tematika të gërshetuar dhe të pasuruar me motive të ndryshme: Me ato lirike e thumbuese, që shpesh i dëshpëruar flet me vargje mallëngjyese, po dhe shpërthyese ndaj vesit të keq që e ka kapluar atdheun e poetit, sikur dhe thotë: “Mos më duaj kurrë ,o popull, në të gënjefsha/ dhe nëse bëhem “i madh”, një palo “poet”…

Poeti, Qyqalla thjesht hyn në botën e artit me një përkushtim të veçantë, si një krijues i pasionuar pas vlerës, shprehjeve metaforike e figurative, që zënë vend në vargun e tij; andaj, me të drejtë e them se poeti, Sylejman Qyqalla, poezinë e trajton natyrshëm, edhe atëherë kur e shfaq rebelimi ndaj atyre që i bëjnë bisht atdheut të vet.

Poeti, te libri “Rrënja”, shpërthen dufin e mbledhur në shpirt përmes vargut që me guxim imponohet para lexuesit, duke i dhënë vlera të veçanta. Andaj, poetit sikur nuk i mjafton qielli, toka, lulishtja, shkëmbi dhe mali, po me mjeshtri të lehtë hedhet vrullshëm në buzë dhe tullumbace….

Krahas këtyre figurave, fabulave padyshim se në vargun e tij vend të rëndësishëm zë motivi i dashurisë, lirika që e mbizotëron librin e tij, siç na shfaqet me këto vargje:

Je bërë e egër, vajzë, me thimth, si bleta

s’e jep dot faqen, o e egër si kaça!

Përmes këtyre dy vargjeve dialoguese, poeti shprehë fuqishëm emocionin e tij, mbase dhe e josh lexuesin me një thjeshtësi të vargu të gdhendur e të stilizuar mirë, që ka një fuqi të depërtimit deri tek lexuesi i thjeshtë, si:

Jam mal i paprerë…ende s’di ç’është jeta…

       më rrëmbe! Më vraftë zoti në mos t’i dhaça!

Në tërë poezitë e tij, përpos figurës, rimës, simbolit, krahasimit, melodisë, shtjellimit dhe  temës së kapur, shpesh poetin e shohim të mbushur mllef dhe shpërthyes, me vargje pëlcitëse, ndaj dukurisë së keqe të shpërfaqur në shoqërinë e sotme, si një dukuri shqetësues, mbase dhe tepër të rrezikshme, kundruall ndërgjegjes që e kishte dikur shqiptari.

Andaj, poeti sa di të jetë i butë, aq di të jetë i pamëshirshëm ndaj atyre që ia djegin atdheun, ia zënë frymën, dritën e diellit shqiptarit të ndershëm, atdheut, ku dhe thotë:

Mos qofsha njeri nëse hesht përballë të njomit gjak,

mos më thënçin NJERI e kurrë mos pafsha dritë!

Ngrihuni, o popuj të fjetur, për engjëjt të merrni hak…

goditni bishat, që engjëjve të mjerë-u zunë pritë!

Përmbledhja poetike “Rrënja”  është tërësisht e ndërtuar dhe veshur me një lirikë, të shoqëruar me fabula dhe figurat tjera letrare, që e mbizotërojnë tërë krijimtarinë e tij. Kurse pjesën më të madhe të përmbledhjes së tij e përbëjnë poezitë me tematikë të larmishme, ku kujdesie të veçantë ka për heroin, shokët që kontribuuan për atdheun:

Na thoshin, o Dan…e ç’nuk na thanë për Shqipërinë;

një valë e fortë vinte e sillte vetëm erë gjaku!

Po zemrat tona kishin ëndrra të bardha për lirinë….

vetëm shqiptarisht të ndezë e të na tymojë oxhaku!

Me këto vargje jo vetëm që vë në pah qëndresën e një heroi të gjallë, shokut të idealit, po përmes këtij ndërtimi ka dhënë një fuqi të vargut me vlera artistike. Me këtë fuqi shpirtërore e artistike, përmes këtyre vargjeve të thjeshta, të kapshme, dhe melodike, poeti lexuesit i jep porosi, përpos vlerës krijuese, se si duhet ta duan lirinë, bashkimin e kombit me mëmë Shqipërinë.

Poeti nuk heziton pranë së keqes, fuqishëm i godet përmes vargut, ata që i bëjnë hile kombit, e shfaqen si hije e shterur në popull. Po aq i revoltuar është ndaj atyre që kanë harruar lotët e derdhur lum, të nënëlokeve, motrave, fëmijëve në zonën e vdekjes për jetë, amanetin e heroit, dashurin për mëmë Shqipërinë:

Kurrë s’ta fal, o popull, që mbylle veshë e sy;

për parti, në fund të pusit vure Ushtrinë!

“Rrnoftë ai gjarpën”,-thoshe,-“që s’të ha ty!”

si “Shtet tjetër”…”fqinj”-ma bëre Shqipërinë!

Ndaj këtyre dukurive dhe qasja e poetit, për të kaluarën dhe të sotmen, shikohet me një shqetësim të madh, ku përmes vargjeve poetike mundohet të hyj i arsyeshëm në popull, duke përshkruar gjendjen e dhimbshme e shpirtërore në kuptimin e tërësisë, mbase dhe thumbon fuqishëm ata që mundohen për ta poshtëruar kombin me lindjen e një kombi tjetër “kosovar”,  thotë:

Mos gënje më, o shqiptar, mos u jargis,

ti u bëre një tortë e keqe, me shumë ngjyra!

Iu dhe armiqve- kujtdo, që t’u vardis…

na u veshe si korba-turp ke nga fytyra!

Mos gënje, o hibrid, o kombi kosovar;

je një sallatë, por kurrë s’dukesh shqiptar!

Në fund autorin e përgëzoj dhe i uroj suksese në krijimtarinë e tij poetike, krijimtari që do të hyjë në botën e poetëve të vlerave!

Mustafë Krasniqi