Në kujtim të Komandantit Mujë Krasniqi dhe bashkëluftëtarëve të tij

Nga Ramadan Avdiu

Sot e 23 vjet më parë, natën me terr e acar, në bjeshkët e Pashtrikut, duke u kthyer për në frontet e luftës çlirimtare, kolona me 140 ushtarë e ushtare të UÇK-së, në krye me komandantin Mujë Krasniqi-Kapuçi, bie në pritë të ushtrisë dhe forcave të tjera serbe. Ndonëse të zënë në befasi dhe në errësirë ushtarët trima të UÇK-së luftuan e nuk u dhanë. Në këtë natë, kur tashmë kishte filluar të dukej në horizont agu i lirisë, ranë heroikisht 41 dëshmorë përfshirë edhe luftëtarin e orëve të para të UÇK-së Komandantin Mujë Krasniqi. Gjaku i të rënëve për liri është në themelet e shtetit tonë. Pikërisht në këtë ditë 20 vite më vonë do të merr formë të mirëfilltë Ushtria e Kosovës. Sa herë të shohim ushtarët e Kosovës duhet të kujtojmë rrënjët e saj, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duhet të kujtojmë e nderojmë me pietet Dëshmorët që dhanë gjithçka që patën për lirinë tonë. Përjetësisht nder dhe Lavdi për Heronjtë dhe Dëshmorët e lirisë!