Në nderimi të vëllezërve, Rrahman dhe Bajram Bahtiri, u zbulua pllaka përkujtimore në përvjetorin e 40-të të rënies në altarin e lirisë, të heroit Bajram Bahtiri

Nga Ramadan Avdiu

Në shenjë nderimi e përkujtimi të vëllezërve Rrahman dhe Bajram Bahtiri.
Në përvjetorin e 40, të rënies në altarin e lirisë të heroit Bajram Bahtiri, sot u zbulua pllaka përkujtimore dhe ndërtimorë, në shtëpinë ku u rritën dhe zhvilluan veprimtarinë çlirimtare heronjtë e kombit!
Fjalën e mbajtur në këtë manifestim po e ndaj me ju!
Të nderuar anëtarë të familjes Bahtiri,
Të nderuar pjestarë të familjeve të heronjëve dhe dëshmorëve të kombit,
Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë
Të nderar të pranishëm,
Në vazhdën e aktiviteteve të shoqërisë Lëvizja dhe shoqatave atdhetare si ; Shoqata e veteranëve, shoqata e familjeve të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës, Shoqata e të burgosurve politk etj, për rifreskimin e kujtesës sonë historike, shënimin e vendeve, shtëpive dhe familjeve të cilat kanë pasur rol të rëndësishëm gjatë rezistencës dhe luftës sonë çlirimtare, jemi tubur sot këtu, të përkujtojmë dhe nderojmë heronjët e kombit Rrahman dhe Bajram Bahtiri, të evidentojmë këtë shtëpi dhe të falënderojmë familjen Bahtiri për kontriburtin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në organizimin, shtrirjen, zhvillimin dhe intensifikimin e rezistencës dhe luftës sonë për liri.
Në periudhën e vështirë për popullin tonë pas luftës së dytë botërore, sikurse në të gjitha trojet e okupuara nga pushtuesit serbo-jugosllav edhe treva e Gallapit iu nënshtrua një dhune të paparë të ushtruar nga pushtuesit. Dhuna dhe represioni ndaj popullsisë shqiptare në fshtrat përrreth kufirit me Serbinë ishte sistematike dhe shumë e egër, si nga regjimi ashtu edhe nga serbët të yshtur nga pushteti që përmes represioneve e plaçkitjeve të detyronin shqiptarët të shpërngulen nga vatrat e tyre për në Turqi dhe gjetiu.
Këtë dhunë kryefamiljari i familjes Bahtiri, bacë Hajrushi e përjetoi si i ri. Ai përgjatë gjithë jetës së tij i ka mbajtur në kujtesë dhe jo rrallë evokonte kohët kur në varfëri të skajshme pushtuesit me dhunë ua kishin grabitur të gjitha të mirat materiale që i kishin pasur në fshtatin Brainë. Me fshisë na e kanë fshirë miellin në magje. Asnjë pulë nuk na e paten lënë thuajse të gjitha familjeve në zonë. E kemi përjetuar zinë e bukës e cila kohë nuk mund të harrohet kurrë thoshte xha Hajrushi, ashtu siq nuk harrohen kurrë torturat që iu i bënë të gjithë burrave të fshatit në kohën e aksionit të armëve.
Në ato kohë të vështira të mbuluar nga skamja, në njërën anë dhe represioni i pushtuesve në anën tjetër Hajrushi martohet me Nailen, me të cilën i lindën, rritën dhe edukuan në frymë atdhetare tetë fëmijë.
Kur ishin bërë prindër të tre fëmijëve të lindur në Brainë ; Hamides, Rrahmanit dhe Mihrijes, Hajrushi kishte gjetur punë në ndërmarrjen Ramiz Sadiku. Në vitin 1959 vendoset në Prishtinë. Fillimisht në Kodër të Trimave, pastaj pas një konsolidimi të vogël ekonomik vendoset në këtë truall në vitin 1969.
Në Prishtinë kanë lindur Mihanja, Bajrami, Zethanja, Rrahimi dhe Fatimja.
Edhe pas vendosjes në Prishitnë Bacë Hajrushi dhe Nënë Nailja nuk e kishin të lehtë përballjen me varfërinë dhe sfidat e kohës. Me shumë mundime u kujdesen dhe bënë çmos që t’i shkollojnë fëmijët. Djali i madh Rrahmani i lindur 6 Mars 1954, sapo mbaroi shkollën e fillore për të gjetur punë më shpejtë regjistrohet në një shkollë profesionale të cilën e përfudon në afat rekord. Ai për të ndihmuar babain për zbutje të varfërisë vendosë të punësohet shumë i ri. Paralelisht me punën ndoqi edhe mësimet në shkollën e ekonomisë sepse ëndrrën e kishte të bëhej ekonomist.
Trajektorja nepër të cilën kishte kaluar familja, formimi intelektual dhe rrethi shoqëror kishin ndikuar tek Rrahmani të kuptojë drejtë pozitën e robëruar të popullit tonë dhe kishte filluar të mendojë për të punuar në drejtim të ndryshimit të gjendjes.
Oda e familjes Bahtiri, që ishte objekt veçuar nga pjesa tjertër e shtëpisë, filloi të frekuentohet nga shokë të Rrahmanit, atdhetarë e revolucionarë, ku zhvilloheshin debate e lexohej literaturë që në atë kohë ishte e ndalur. Kështu në debate e sipër lind ideja dhe gradualisht fillon të merrë formë me trajtë të organizimit të fshehtë kundër regjimit pushtues.
Në vitin 1978, Sejdi Veseli, Rrahman Bahtiri me shokë të tjerë vendosin të krijojnë një organizatë të fshehtë antipushtuese të cilën e emruan Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Në vitin 1980 FNÇ, gjen shtrirje në shumë pjesë të Kosovës. Në shumë takime e debate merrte pjesë edhe Bajrami i cili tashmë ndonëse i ri ishte brymosur me ide atdhetare e revolucionare, për çka filloi të flasë me moshatarët e tij, të cilëve u ofronte libra që lexoheshin fshehtas dhe që pasqyronin realisht gjendjen e robëruar të popullit tonë.
Në demosntratat e vitit 1981 Rrahmani pati rol të rëndësishëm në organizimin dhe mobilizimin e punëtorëve të ndërmarrjes Ramiz Sadiku të cilëve iu priu në demonstratat e 1 dhe 2 Prillit 1981 në Prishtinë.
Edhe Bajrami ishte shumë aktiv në demonstratat e 26 Marsit dhe një Prillit, kurse më 2 Prill 1981, Bajrami bashkë me disa demonstrues të tjerë, orgaizuan barrikadimin e rrugës kryesore në Kodër të Trimave dhe me armë në dorë gjatë tërë ditës e ka mbrojtur barrikadën duke mos e lejuar marshimin në qytet të njësive policore e ushtarake të ardhur nga Serbia për të shtypur demonstratat.
Angazhimi vetmohues në demostrata kishte bërë që Bajrami të binte në sy si demostrues aktiv. Disa ditë pas demonstratave policia pushtuese e kërkoj për ta arrestuar. Bajrami kishte shkathtësi të jashtëzakonshme dhe iu shmang arrestimit. Deri në fillim të muajit maj, Ai fshihej kryesisht nepër shokë të lagjes dhe në malet në veri të Prishtinës. Në maj arrestohet dhe torturohet mizorisht nga policia pushtuese. Përkundër torturave dhe moshës së re si njëzet vjeçar Bajrami nuk flet asnjë fjalë. Megjithatë e denojnë dy muaj burg për pjesmarrje në demostrata .
Pas daljes nga burgu i Smrekovnicës, Bajrami ishte shumë i kujdesshëm në komunikim. Ai u përkushtua me gjithë qenien e tij për të krijuar rreth shokësh të organizuar dhe për të shtrirë organizimin në gjithe Kosovën. Po ashtu pas demostratave edhe Rrahmani i la anash planet e studimeve dhe u përqëndrua në shtrirje të organizimit dhe të rritjes së rezistencës antipushtuese. Në këtë angazhim Rrahmanit i ndihmonte jo vetëm Bajrami që ishte 7 vite e dy ditë më i ri, por edhe gjithë anëtarët e tjerë të familjes të cilët ishin angazhuar në rrugën e lirisë.
Demonstratat e vitit 1981 përveq që ndikuan në vetdijësimin e popullit tonë për pozitën e tij prej të robëruari, ndikuan dhe ishin një katalizator i rritjes së shkallës së organizimit të fshehtë antipushtues. Kishte organizata që vepronin me platformë të njejtë por nuk njiheshin dhe nuk kishin komunikim mes vete.
Ato fillojnë të kërkojnë njara tjetrën, të komunikojnë dhe bashkërendojnë aktivitetet. Pasi kishin filluar bisedimet mes organizatave për krijimin e një organizimi të vetëm mbi bazën e një platforme pason një fushatë e madhe e arrestimeve të veprimtarëve që kishin vepruar gjatë viteve shtatëdhjetë dhe fillim të viteve tetëdhjeta.
Organizimi klandestin në Kosovë dëmtohet ndjeshëm. FNÇ në krye me Sejdi Veselin e Rrahman Bahtirin, kishte ruajtur strukturën ngase nuk ishte dekonspiruar. Akcionet e veprimtarëve të Frontit Nacionalçlirimtar, dhe të disa grupimeve të tjera, në vitet 1981, 82, 83, dëshmonin për kontinuitetin e veprimtarisë antipushtuese….
Bisedimet për rritjen e cilësisë së organizimit vazhdojnë jashtë vendit nën drejtimin e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekes dhe Ibrahim Kelmendit. Si rezultat i këtyre bisedimeve në janar 1982, krijohet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi më vonë LPK… Në aktivitet e sipër Bajrami njihet dhe takohet me Nuhi Berishën.
Në vitin 1983 me ndërmjetësimin e Bajramit, fillon një komunikim intensiv për bashkimin e organizimit dhe bashkërenditjen e veprimeve antipushtuese në mes Sejdi Veselit dhe veprimtarëve të Lëvizjes Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Osmani.
Kur praktikisht ishte arritur bashkimi në kuadër të Lëvizjes për Republikën Shqiptare, dhe forcimi i radhëve të organizuara antipushtuese, UDB-ja u bie në gjurmë dhe i bënë një rrethim të hekurt jo vetëm shtëpisë së Sejdi Veselit ku ishin Rexhepi, Nuhiu dhe Kadriu, por tërë lagjes dhe natën mes 11 dhe 12 Janarit 1984, duke luftuar me armë në dorë bien heroikisht Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, arrestohet Kadri Osmani, Sejdi Veseli dhe vëllezërit e tij. Fushata e arrestimeve vazhdon në të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës dhe viseve të saja.

Më 27 Janar 1984, arrestohen edhe Rrahmani në vendin e tij të punës dhe Bajrami në këtë shtëpi. Pas tre ditësh Bajramin e lirojnë nga burgu të torturuar e të dërrmuar fizikisht. Kurse Rrahmani bashkë me shumë të arrestuar të tjerë mbaheshin në burg nën hetime dhe tortura instnsive.
Një javë më vonë, më 8 shkurt 1984, pra sot e 40 vjet më parë, policia pushtuese sërish e rrethon shtëpinë e Hajrush Bahtirit për ta riarrestuar Bajramin. Ai sapo kishte dalur nga burgu një javë më parë, ishte betuar se i gjallë më nuk i dorëzohet pushtuesve. Kështu pasi qëllon për vdekje një bashkëpunëtorë të tyre, Ai arriti t’i shmanget rrethimit dhe të largohet disa qindra metra nga shtëpia e tij, deri tek vendi i quajtur Majdeni i Bullakut, ku qëllohet nga breshëritë e policisë pushtuese që e ndiqte pas. Bajrami nuk dorëzohet. Ai vendos të rezistojë i vetëdijshëm se nuk mund të ia dal kundër asaj force policore që e kishte rrethuar. Në rezistencë e sipër bie me armë në dorë në altarin e lirisë…. Në këtë kohë fillon golgota për familjen Bahtiri. Arrestoehen bacë Hajrushi, Zet’hanja maltretohen nënë Nailja, bashkëshortja e Rrahmanit Zyhrija të gjithë anëtarët e tjerë ë familjes, duke mos i kursyer as fëmijët.
Derisa nën masa të rrepta policore bëhej varrimi i Bajramit, në zyrat e UDB-së torturohej mizorisht Rrahmani. Ai me stoicizëm kishte përballuar dhembjen për vëllain e vrarë. Jemi në luftë, me vetëdije të plotë i kemi hyrë kësaj rruge që kërkon sakrificë u thoshte Rrahmani shokëve në burg kur e ngushëllonin për Bajramin.
Në muajin Qershor 1984 fillojnë proceset gjyqësore kundër veprimtarëve të arrestuar. Në të gjitha gjykatat e qarkut, në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, në Shkup e Tetovë u dënuan mbi 300 veprimtar antipushtues nga 1 deri në 20 vjet burg. Në procesin gjyqësor kundër 20 anëtarëve të FNÇ, në mesin e të cilëve edhe heroi i kombit Afrim Zhitija, Rrahamni u dënua me 13 vjet burg. Në një proces tjetër ndaj të rinjëve të mitur, u dënuan edhe gjashtë anëtarë të FNÇ tre nga të cilët, Rrahman Dini (Hero i Kosovës), Bedri Bajrami dhe Hajrullah Salihu isjin nga kjo lagje.
Rrahmani burgun e mbajti në Prishtinë, Shabac dhe në kazamatin e Pozharevcit. Pas më shumë se 7 vite qëndrimi në burg u lirua në vitin 1991. Menjëherë pas daljes nga burgu Rrahmani u përfshi në organizimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe u përqëndrua kryesisht në përgatitje të veprimtarëve për luftë të armatosur. Shtëpia e familjes Bahtiri sërish u bë çerdhe e pritjes dhe përcjelljes së veprimtarëve antipushtues. E gjithë familja ishte përfshirë sërish në aktivitete. Pas arrestimi të Sejdi Veselit për herë të dytë në fund të vitit 1991, dhe pas betejës së parë të hapur mes familjes Jashari dhe forcave serbe në Prekaz, Rrahmani kalon në fshehtësi të thellë dhe vazhdon aktivitetin e tij për aftësimin e të rinjve me njohuritë bazike ushtarake deri në gjysmën e dytë të vitit 1992. Për shkak se vazhdimisht kërkohej nga policia pushtuese ai u detyrua të largohet nga vendi dhe bashkë me familje shkon në Gjermani. Edhe në ekzil menjëherë përfshihet në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës në Këshillin Popullor në qytetin Lorah ë Gjermanisë. Pas intensifikimit të luftës çlirimtare, Rrahmani në vitin 1998, kthehet në Kosovë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lufton me përkushtim e disiplinë të lartë deri në çlirimin e vendit.
Pas luftës Rrahmani e la pushkën dhe iu rrek ndërtimit të paqes dhe përkujdesjes ndaj familjes. Ai filloi punën në Institutin kombëtarë të shëndetit publik, ku punoi me zell e përkushtim çfarë e kishte edhe gjatë aktiviteteve të tij antipushtuese. Sapo kishte filluar të sanojë pasojat e luftës dhe ti përkushtohet punëve ai u ballafaqua me sëmundje e cila iu bë pengesë serioze për realizimin e planeve dhe ambicieve që kishte. Rrahmani përballoi sfida, furtuna e krajata, por nuk arriti ta mundë sëmundjen e cila filloi ta rëndoi nga viti 2006. Vdiq në moshë relativisht të re 56 vjeqare, më 30 Prill 2010.
Emrat konspirativ që përdorën në aktivitetet çlirimtare Rrahmani- Shpendi dhe Bajrami Besniku, i bartin sot me krenari dy djem të Rrahmanit.

Populli shqiptar në përgjithësi, veprimtarët e luftëtarët e lirisë, dhe Shoqëria Lëvizja në veçanti, përjetësisht do t’i jenë mirënjohës familjes Bahtiri për kontributin e dhënë në rezistencë e luftë për liri. Një falënderim të veçantë dedikohet bashkëshortes së Rrahmanit Zyhrijes, e cila u përkujdes për rritjen dhe edukimin e fëmijëve, Xhaferit, Shpendit, Besnikut dhe Dafinës. Ajo priti dhe përcolli shokët e bashkëluftëtarët e Rrahmanit sikur të ishin vëllezërit e saj…
Kjo shtëpi dhe kjo familje e mbruajtur me taban të fortë atdhedashurie, e bastisur, e survejuar, e terrorizuar, e burgosur, e vrarë gjeti gjithmonë forcë për t`u ringritur, dhe për të qenë në nivelin më të lartë të aktiviteteve çlirimtare e antipushtuese.
Heronjët, Bajram dhe Rrahman Bahtiri dhe përgjithësisht familja Bahtiri me angazhimin e tyre vet mohues në rezistencë dhe në luftë për liri, kanë lënë gjurmë në historinë tonë dhe janë pjesë e pandashme e saj.
Andaj sot në përvjetorin e 40 të rënies së Bajramit, përkatësisht në prag të 14 vjetorit të vdekjes së Rrahmanit, e shënojmë këtë shtëpi , për të gravuar në memorien tonë kolektive kontributin dhe sakrificën e familjes Bahtiri…
Lavdi Heronjve të kombit Rrahman e Bajram Bahtiri!
Lavdi të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit që u flijuam për lirinë tonë!
Respekt i pafund për familjen Bahtiri!