Mustafë Krasniqi rrjedh nga një familje shqiptare, me tradita të shkëlqyera njerëzore dhe atdhetare. Qysh si i ri ishte rreshtuar në rrugën e veprimtarisë kombëtare rrugë kjo të cilën e vazhdon edhe sot.
Shkruan: Demir Reshiti
Të shtunën (10 shkurt 2024) kremton ditëlindjen e 58-të veprimtari i orëve të para të lirisë, mësuesi, shkrimtari e publicisti Mustafë Krasniqi. Me këtë rast në shenjë respekti e konsiderate për kontributin që ka dhënë e po vazhdon ta jep në të mirë të kauzës kombëtare, veçmas në luftën kundër rrezikut të asimilimit të fëmijëve shqiptarë në mërgatë, po e publikoj këtë shkrim në të cilin kam përmbledhur pjesë nga jeta dhe veprimtaria e tij.
Mustafë Krasniqi u lind në vitin 1966 në fshatin Shipitullë, Komuna e Kastriotit. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollën e mesmen drejtimin për gazetari mbaroi në Prishtinë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i përfundoi në vitin 1992 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Mustafa rrjedh nga një familje shqiptare, me tradita të shkëlqyera njerëzore dhe atdhetare. Stërgjyshi i tij ekzekutohet nga makineria serbo-sllave në vitin 1920. Qysh si i ri ishte rreshtuar në rrugën e veprimtarisë kombëtare rrugë kjo të cilën e vazhdon edhe sot. Ishte i angazhuar në aksionin e pajtimit të gjaqeve, me grupin e studentëve, si dhe kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) për Kastriot. Gjithashtu ishte kryetar i SHKA “Zëri i Kosovës” në fshatin Shipitullë dhe më vonë anëtar i SHKA “Rruga e Lirisë” për Kastriot.
Bashkëveprimtar me shumë atdhetarë e dëshmorë të kombit
Si shumë veprimtarë tjerë ishte dhe mbeti i angazhuar në çështjen e bashkimit kombëtar në një Shqipëri të vetme etnike, në kufijtë e saj natyralë. Mustafa dha ndihmësen e tij të pakursyer për lindjen dhe suksesin e UÇK-së dhe për vazhdimin e idealit të heronjve për atdheun e lirë. Ai pati fatin të vepronte me shumë atdhetarë – dëshmorë të kombit; ishte edhe njëri nga drejtuesit e demonstratës së vjeshtës së vitit 1989 dhe dha ndihmesën e tij në shumë procese të rëndësishme të ilegales dhe të luftës së fundit të UÇK-së.
Qysh si nxënës i shkollës fillore, duke mos u pajtuar me padrejtësitë që shteti i atëhershëm jugosllav bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës, disa herë ka grisur fotografitë e satrapit Tito dhe flamurin e atij shteti që për shqiptarët ishte njerkë. Shpeshherë aty ku kishte mundësi ka shkruar parullën “Kosova Republikë”. Motivimin për ta ndjekur këtë rrugë, Mustafa thotë se e kishte edhe nga Radiotelevizioni Shqiptar (RTSh) që atëbotë ndiqej me shumë vështirësi.
-Koha na kishte vu në rrugë të vështira, o të bënim veprimtari atdhetare, o t’i nënshtroheshim pushtuesit, thekson Mustafa duke shtuar se fati e kishte ndjekur që nga shkolla e mesme të jetë në mesin e shokëve dhe shoqeve atdhetare.
Një fakt zinxhiror, që e përcjell veprimtarinë e Mustafës ishte kyçja në organizatë ilegale që përbëhej në treshe, kjo që ishte për hir të konspiracionit, “vepro e mos u dikto”. Në radhët e organizuara Mustafa thotë se është futur përmes Bardhyl Mahmutit, me ç’rast kishte fatin të njihet me shumë atdhetarë, sot dëshmorë të kombit, si: Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Behajdin Hallaçin etj., dhe të veprojë së bashku me Xhavit Hazirin e shumë dëshmorë tjerë që sot prehen në altarin e lirisë.
“Kur e them të veproj me Xhavit Hazirin, nënkupton se lidhjet dhe veprimet i kam pasur drejtpërdrejt me të. Më parë isha i lidhur me Bardhyl Mahmutin, po me vrasjen e shokëve, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut dhe me arratisjen e shumë shokëve dhe të Bardhylit, ne kemi mbetur të shpërndarë, nga që lidhjet na u shkëputen, për këtë me insistimin tim dhe të Këshillit Popullor, që e udhëheqja morëm një nismë për gjetjen e lidhjeve dhe bashkimin e radhëve”, thekson Mustafa duke shtuar se nga Bardhyl Mahmuti iu besua që ta drejtojë demonstratën e vjeshtës së vitit 1989.
“Vrasja, burgosja dhe arratisja e shokëve ishte një goditje e madhe për organizatën, ne si Këshill Popullor, bëmë përpjekje për një demonstratë tjetër në shenj revolte për vrasjen e shokëve ku dhe kisha përgatitur një trakt, po mjerisht për ta shumëzuar nuk kishim mundësi, pasi që teknika e shumëzimit nuk e dinim se në cilin rreth kishte mbetur. Në bashkëpunim me Ramiz Lladrovcin kemi bërë përpjekje për të gjetur teknikë, po dhe lidhjet, kështu që në një ditë Ramizi ma gjen një numër të telefotit të Bardhyl Mahumutit, i cili kishte arritur të strehohet në Zvicër. Kontakti dhe biseda, përmes telefonit, me Bardhylin, i cili më njoftoi se brenda tri katër ditësh do ta kem në lidhje një shok, kështu që edhe u bë takimi me Ramadan Avdiun dhe Flamur Shala. Flamur Shalën e kisha dhe shokë, studionim bashkë kurse Ramadanin nuk e njihja në atë kohë”, thekson Mustafa.
Që atëherë, bashkë me shokët e sipërpërmendur, nis riorganizimin dhe zgjerimin e radhëve për formimin e Këshillave Popullore dhe të Rretheve, ku tashmë ishte kryetar i Këshillit të Rrethit të LPRK-së për Kastriot, ish Obiliq dhe Fushë Kosovë. Gjatë këtyre viteve, krahas veprimeve politike e propaganduese, organizohen aksione konkrete, sidomos në pengimin e bartjes së rrymës elektrike për në Serbi dhe Mal të Zi, po ashtu bënin përgatitje dhe ushtrime ushtarake. Këto ushtrime, Mustafa thotë se i bënin në Prishtinë, ku si përgjegjës të ushtrimeve teorike kishin Shemsi Veselin, ndërsa ato praktike i bënin në malin Qyqavicë. “Materialet ushtarake, një pjesë të tyre i kishim nga Këshilli Popullor i Bardhit të Madh, respektivisht nga Isak Qolli. Bënim grumbullimin e armatimit, ndërtonim strehimore dhe zgjeronim këshillat tona, me që ishim të vendosur se lufta ishte në prag dhe nuk kishte rrugë tjetër”, nënvizon Mustafa duke na e zbuluar për herë të parë një fakt të rëndësishëm: Në korrik të vitit 1993, në Tauk-Bashqe, Kryesia e Këshillit të Rrethit LPRK-LPK për Kastriot, Fushë-Kosovë me propozim të Xhavit Hazirit, ndahet në dy sektorë: Në sektorin ushtarak caktohen Isak Qolli, Ujup Thaçi dhe Emin Mirena ndërsa Mustafës i besohet detyra e personit për informim, propagandim dhe politikë…
Për fat të keq, në gusht të atij viti fillojnë arrestimet dhe përndjekjet veprimtarëve, ku u burgosën shumë prej tyre e ndër ta edhe Xhavit Haziri, me të cilin Mustafa ishte i lidhur drejtpërdrejtë.
Përndjekja që po ju bëhej veprimtarëve e detyron Mustafën që për muaj të tërë të kalojë në ilegalitet. Duke mos e zbuluar dot vendndodhjen e tij, organet policore serbe ia maltretojnë familjen madje ia marrin peng vëllain e tij të vogël, Muhamet Krasniqin! Ky presion e vë në rrezik qëndrimin e mëtutjeshëm të Mustafës në Kosovë dhe ai vendos që të shkojë në Shkup, e më vonë qëndron për një kohë në Tetovë prej nga kalon në Tiranë e më pas ia mësynë Gjermanisë ,ku edhe sot jeton e vepron.
Veprimtaria atdhetare në mërgatë
Rrugëtimin atdhetar Mustafa e vazhdon edhe në Gjermani. Në shtëpinë e të strehuarve politikë, ku ishin të pranishëm në këtë strehimore mbi 400 veta, Mustafa angazhohet në propagandim. Brenda asaj strehimoreje organizon një protestë në lidhje me situatën në Kosovë. Më vonë, po aty, organizon një peticion, të cilin ua dërgon të gjitha instancave më të larta shtetërore dhe medieve gjermane. Në një ditë tjetër në qendër të qytetit Lanzberg, me përkrahjen dhe solidarizimin e përgjegjësit të strehimores, policisë dhe përfaqësuesit e kishës, organizon një protestë ku paraqiten kërkesat e shqiptarëve. Po ashtu edhe në një komunë tjetër të Gjermanisë, Rosenheim, organizon një protestë në shenjë të revoltës për shkak të ekzekutimit të familjes së Jasharajve.
Nëpërmjet Afrim Eminit dhe Rexhë Iberdemajt, Mustafa caktohet ta përfaqësojë politikisht UÇK-në për Oberbajern. Kështu që në Rosenheim të Gjermanisë me një grup veprimtarësh dhe ish të burgosurin e ndërgjegjes, Ilmi Muzaqin, angazhohen në të gjitha drejtimet për ta ndihmuar UÇK-në.
Vazhdimi i “luftës” pas luftës!
Pas mbarimit të luftës, ndonëse ia kishin djegur shtëpinë, kishte vendosur të rikthehet në Kosovën e lirë. Por për shkak të problemeve shëndetësore me të cilat ballafaqohej, me sugjerimin e shokëve të idealit, konkretisht të Azem Sylës dhe Bardhyl Mahmutit, vazhdon të qëndrojë në mërgim.
Me probleme shëndetësore Mustafa u përball disa vite me radhë por falë vullnetit të tij dhe mjekësisë moderne, i rikthehet jetës së lumtur dhe veprimtarisë atdhetare.
Pas tejkalimit të problemeve shëndetësore, duke e parë për së afërmi se brezi i dytë i fëmijëve të mërgatës shqiptare kishin filluar ta belbëzojnë gjuhën amtare, iu përvesh misionit të shenjtë të hapjes së shkollave shqipe në mërgatë. Në vitin 2014, arriti të hapi pesë klasë të mësimit plotësues në gjuhen shqipe dhe në katër nga ato klasë e kryente vetë punën e mësuesit, gjithnjë në baza vullnetare.
Duke e parë se rreziku nga asimilimi i fëmijëve mërgimtarë është evident, Mustafa krahas angazhimit në mësimin plotësues, me përkushtim filloi të shkruante për dukuri të rrezikshme.
Misionin e tij atdhetar në luftën e pakompromis kundër asimilimit e shtriu në tërë Landin e Bavarisë ku arriti të krijonte një shoqatë e cila do të merrej me hapjen e shkollave shqipe. Falë këmbënguljes dhe përkushtimit dhe me ndihmën e disa veprimtarëve, arrin që më 23 prill 2017 ta organizojnë Kuvendin themelues të Lidhjes së Arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë (LAPSH) në Bavari.
Në këtë Kuvend me mbi 400 pjesëmarrës, ishin të pranishëm përfaqësues nga dy ministri të Republikës së Kosovës (arsimit dhe diasporës), dy konsullatave shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës). Kuvendin e përshëndeti dhe i dha përkrahje edhe Ministrja e atëhershme e Republikës Shqipërisë. Në këtë Kuvend, Kuvendi zgjodhi për kryetar pikërisht Mustafën, i cili me ndihmën e mësimdhënësve dhe veprimtarëve tjerë nga radhët e prindërve shqiptarë në mërgatë, ju përveshen misionit për hapjen e shkollave shqipe, mision ky që arritën ta përmbushin me sukses.
Në vitin 2020 një grup mësuesish, në krye me Dr. Adriana Bejko-Fishta dhe Dr. Vaxhid Sejdiu ndërmarrin nismën për themelimin e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD). Për t’iu bashkuar kësaj nisme ftua edhe Mustafa dhe në Kuvendin themelues ku ishin të pranishëm mësues shqiptarë nga shtete të ndryshme ku funksionojnë shkollat shqipe, Mustafa merr përkrahjen e delegatëve dhe zgjidhet nënkryetar, duke e vazhduar kështu me sukses misionin atdhetar, në edukimin e fëmijëve shqiptarë në mërgatë dhe luftës kundër asimilimit.
Veprimtaria letrare e publicistike
Mustafë Krasniqi qysh si nxënës filloi të merret me krijimtari letrare. Shkruan poezi, prozë, ese, etj. Merret edhe me histografi dhe me shkrime gazetareske, (analiza, kritikë, intervista…).
Ka botuar librat: “Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…”; “Lumëgjaku”; “Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së” (Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij); “Lojë Thikash”; “Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…” (ribotim); “Vështrim kritik për poetikën e krijuesve të diasporës”; “Mbrëmja e fundit”; Monografinë “Atdhetari i Shtigjeve të Lirisë- Xhavit Haziri”; “Eshtrat Pezull”; “Rrënjët nuk thahen”; “Legjenda e Dhembjes së Heshtur” si dhe revistën “Albumi Poetik”.
Shkrimet e tija letrare janë përfshirë në shumë antologji.
Është fitues i vendit të parë të dytë e të tretë, në shumë konkurse e manifestime letrare e gjithashtu i shumë mirënjohjeve e fletëfalenderimeve për kontributin letrar e atdhetar.
Mustafën e urojmë për ditëlindjen e tij të 58-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në veprimtarinë e tij atdhetare!