Në Rosenheim –  në kujtimin e ngjarjeve të “Marsit Shqiptar” u promovuan dy librat e autorit Mustafë Krasniqit dhe u mbajte orë letrarë

Nga Mislim Berisha

Në Rosenheim, më datë 06.04.2025, Shoqata BKSA “Shqiponja në Rosenheim së bashku me Klubi Letrar “Martin Camaj” në Munih, për nder të muajit mars, i cili cilësohet si muaji i sakrificës me ngjarje historike: 7 Marsi-Dita e Mësuesit, Dita e Nënave, demonstratat e 11- të marsit deri te dita e bombardimeve me 24 mars, të NATO kundër pushtuesit serbë, në shenj respekt organizuan promovim librash dhe orë Letrare me titull “Marsi Shqiptar”.

Programin e hapi moderatori Refki Tafa, duke filluar me e violinisten, nxënësen e shkollës shqipe Buna Morina, për të vazhduar me këngën nga Agneta Gucati dhe duke i dhënë një emocion programit me piano, nga Oltion Berisha.

Moderatori Refki Tafa, në hapje të promovimit të dy veprave të autorit Mustafë Krasniqi:

“Atdhetari i shtigjeve të lirisë” – Xhavit Haziri dhe “Rrënjët nuk Thahen”dha një rezyme për jetëshkrimin e autorit. Duke përshkruar për jetën dhe veprimtarin e tij, që nga persekutimi i familjes, shkollimi, veprimtaria e tij legale dhe ilegale, aktivitete humanitare e atdhetar, për krijimtarinë letrare, vizionin, misionin dhe pasionin e tij për shkollës shqipe, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut. Ndër të tjera tha: Ishte mësues i parë dhe kryetar i parë i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Bavari (LAPSH), tashmë kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, me vendimin e Ministres së Arsimit të Republikës së Shqipërisë Ogerta Manastirli. Të pranishmit i përshëndeti kryetari i Shoqatës BKSA “Shqiponja” Adem Veseli, Konsullja e Republikës së Shqipërisë znj. Miranda Kokona, mysafiri nga Kosova Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, poeti Malush Mrasori e Milazim Kajtazi dhe kryetari i Klubit Letrarë “Martin Camaj” Bashkim Halilaj.

Recensionin për librin “Atdhetari i shtigjeve të lirisë” – Xhavit Haziri e lexoi me ndjenja Shefqet Gashi, i cili ndër të tjera tha: …“Duke shfletuar monografinë e Mustafë Krasniqit “Atdhetari i Shtigjeve të Lirisë”, kushtuar atdhetarit dhe heroit të kombit Xhavit Hazirit, i cili duke qenë edhe vet bashkëveprimtar i heroit, na sjell para lexuesit një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë dhe angazhimit të atdhetarëve të kohës, gjatë viteve të cilët kishin vepruar. Kjo përpjekje padyshim nuk shteron burimin e madh të atdhetarizmit të atyre viteve, por hap një rrugë për studiuesit e ri, të cilët në rend të parë e kanë për obligim, që figurat e rëndësishme të rezistencës kombëtare t`i përshkruajnë me tërë origjinalitetin e tyre…..” .

Për librin e dytë “rrënjët nuk Thahen”, libër me poezi, foli poeti Malush Mrasori, i cili përmes recensionit të tij i dha një vlerësim librit në fjalë, duke e cilësuar si të arritur dhe të suksesshëm. Marsori thotë: Libri në brendësin e saj, përpos harmonizimit, metaforës, krahasimit, emocionit që i gjen me ngjyra të shumta figurative, poeti ka përzgjedhur tematikat të ndryshme, nga ato lirike e patriotike, e deri te ato poezi revoltuese kundër të padrejtës që i bëhet ushtarit të lirisë.

Për t’i dhënë një fuqi librit  “rrënjët nuk Thahen” u recituan dy poezi nxjerrur nga libri:

“E përulur bota” recituar nga nxënësja Buna Morina dhe poezinë “Ushtarin lakuriq ma lanë” recituar nga znj.Blerta Goçi-Morina dhe dy poezi tjera u interpretuan nga shkrimtari, poeti e gazetari i mirënjohur Demir Gjergji, realizuar nga studio “Derada”.

Pas promovimit të dy librave të Krasniqit u bë një pushim15 minutash, për t’u shërbye me ushqime tradicionale të përgatitura nga shoqata BKSA“Shqiponja” dhe për të vazhduar pjesa e dytë e orës letrare, nën drejtimin e moderatorit Mislim Berisha.

Ora letrare u hap nga poeti i mirënjohur Milazim Kajtazi, i cili mbajti një referat për rëndësinë që ka ora letrare për nxënësit, prindërit, mësuesit e gjuhës shqipe, poetët dhe mbarë mërgatën tonë. Ndërsa poezitë i recituan nxënësit e shkollës shqipe nga Rosenheim: Elina Neimi, Inara Rexhepi.

Kurse një poezi nga libri i Milazim Kajtazit e lexoi Adriana Mani, poezinë nga libri i Bashkim Halilaj e lexoi Shefqet Gashi  dhe Migena Hoxha. në fund poezitë e krijuara u lexuan nga poeti Malush Mrasori dhe Mustafë Krasniqi.

Në fund të programit u ndan Mirënjohje nga shoqata BKSA “Shqiponja” dhe Klubi Letrar “Martin Camaj” për kontribut kulturor e atdhetar: Mustafë Krasniqi, Shefqet Gashi, Milazim Kajtazi, Malush Mrasori, Valbona Roqi, Mislim Berisha, Refki Tafaj, ndërsa Klubi Letrarë “Martin Camaj” ndau tri mirënjohje për BKSA “Shqiponja”, Blerta Goçi-Morina dhe Ardiana Mani dhe Shoqatës BKSA “Shqiponja”.

Programi u përmbyll me dy këngë atdhedashurie për të pranishmit, përmes tingujve të sharkisë dhe zërit të ëmbël të atdhetarit Sheqfet Gashi dhe krejt në fund Blerta Goçi Morina dhe kryetari Ademaj e Halilaj falënderuan të gjithë vullnetmirët të cilët ofruan ushqim dhe pije falas për të gjithë pjesëmarrësit e këtij takim.