Në SHBA, përmes platformës online, u mbajt seminari V-të i mësimdhënëseve të gjuhës shqipe në shkollat e Diasporës.

Shkruan: Dritan Mashi.

“Njeriu mëson derisa të marrë frymë”

Më 30 janar 2022, në drejtimin e znj. Drita Gjongecaj, përmes platformës online, është mbajtur seminari i V-të për mësimdhënësit e shkollës shqipe në diasporë. Seminare (ato të vërtetat), të cilat janë shumë të rralla, të vlefshëm, të domosdoshëm, novativë, e inkurajues dhe mbi të gjitha kur janë të realizuar janë frytdhënës. Sepse seminari, karakterizohet: nga hulumtimet, prezantimet, dialogu(debati) dhe ngritja profesionale.

Në këtë seminar pasqyrohet një metodë ndryshe nga vitet e mëparshme, të prezantuar nga anëtarë profesionistë të AADLC, Children of the Eagle, USA, të drejtuar nga moderatorja, mësuese e gjuhës shqipe, Drita Gjongecaj. Në këtë seminar kontribuuan, me punimet e tyre, edhe mësimdhënësit e shkollave shqipe në Zvicër, Greqi dhe Bavari të Gjermanisë.
Ajo që zgjoi një interesim të theksuar dhe më se të nevojshme ishte ligjërata e mbajtur nga dr. Vaxhid Sejdiu, me temën: “Si ta masivizojmë shkollën shqipe në diasporë”. Sejdiu foli mbi përvojën, format, mënyrat, organizimin dhe funksionimin e shkollave shqipe në Zvicër; hapat e ndjekur dhe vendosmërinë në realizimin e objektivit të vënë në hapjen, mësimdhënien dhe drejtimin e tyre.
Me interes të veçantë u prit nga të pranishmit “ora e mësimit për mbiemrin”, e organizuar nga mësuesja e Greqisë, zj. Eriketa Qorlazja, ku spikati formën, mënyrën e organizimit, konkretizimit të orës së mësimit, si dhe komunikimin e vazhdueshëm me nxënësit, me implikimin e tyre.
Tema “miqësinë postare” në shqip, e trajtuar nga Enela Shehu Markja , mësuese në republikën e Bavarisë (LAPSH) në Gjermani, e cila arriti qëllimin dhe komunikimin frytdhënëse të temës në fjalë, përmes teknikës metodologjike që paraqiti para mësimdhënësve pjesëmarrës. Përmes këtij pilot-projekt Markaj synon dhe ka për qellim ngritjen e vetëdijes, njohurive për atdheut, gjeografinë, historinë dhe kulturën shqiptare, me të gjitha kompetencat gjuhësore; në të folurit, dëgjuarit, lexuarit dhe në të shkruarit, te grupmoshat e fëmijëve mërgimtarë, të cilat po ballafaqohen me rrezikshmërinë e humbjes së gjuhës amtare.

Tema: “miqësinë postare” nga Enela Shehu Markja

I veçantë ishte edhe hulumtimi i temës: “klasa digjitale dhe përdorimi i saj” nga Drita Gjongecaj dhe Mirjana Lukiç, e cila do jetë ndihmesë dhe shumë funksionale për llojin e mësimdhënies që përdorim ne.
Në këtë seminar, si e veçantë e saj dhe e frytshme ishin diskutimet, mbi metodat e prezantuara nga mësimdhënësit. Dhe nuk munguan diskutimet mbi problematikat e ndryshme të mësimdhënësve. Ndërhyrjet ishin të gjithanshme dhe të frytshme, si ajo e Aurela Konduri (KKAD), (Etleva Etleva Gerbi Mançe (Gjermani), Pjerin Lleshi (Greqi), Irena Vuka Mashi (Itali), Mustafë Krasniqi (Koordinator i LAPSh-it në Bavari dhe anëtar i KKAD) etj.
Në këtë seminar ishin të pranishëm shumë mësimdhënës, mes tyre ishte edhe z. Nuhi Gashi, i cili ka organizuar dhe drejtuar seminaret të shumta mbarëkombëtare të gjuhës shqipe për vite me radhë.
Seminari zgjati 4 orë, përpos ligjëruesve të cilët kishin tema të caktuara, pati edhe diskutimet, mendime të ndryshme, por të frytshme nga pjesëmarrësit, të cilët i dhanë një karakter studimor e pedagogjikë seminarit.

Tema: “klasa digjitale dhe përdorimi i saj” nga Drita Gjongecaj

Pjesëmarrës në këto diskutime ishin: Aurela Konduri (Greqi), Jerida Kulla (Greqi), Irena Mashi (Itali), Klarita Selmani (Greqi), Mustafë Krasniqi (Gjermani), Valdete Cenalia (New Jersey), Eriketa Qorlazja (Greqi), Etleva Mance (Gjermani), Pjerin Lleshi (Greqi), Ergisa Bebja, Enela Markja (Bavari), etj.
Jemi të vetëdijshëm se nevoja për përditësime, seminare, bashkëpunim me njëri-tjetrin, bën që puna jonë të jetë dhe të japë frytet që dëshirojmë. Asnjë nga ne, që kemi mbaruar për mësuesi, nuk kemi studiuar këtë lloj mësimdhënie, por është moderuar dhe sofistikuar ndër vite në terren. Është e nevojshme të përmirësohet çdo ditë, çdo javë dhe çdo vit. Si arrihet?
Që t’u mësojmë të flasim shqip fëmijëve dhe të pretendojmë që kemi arritur diçka duhet të kemi parasysh:
1- Bashkëpunimin
2- Komunikimin dhe
3- Respektin.
Krejt në fund doli si kërkesë e përsëritshme dhe e domosdoshme, nga pjesëmarrësit e këtij seminari, të kemi përkrahje dhe bashkërendim me institucionet tona, në drejtim të ruajtjes së gjuhës amtare dhe të vetëdijesimit të bashkëkombësve mërgimtarë, për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollën shqipe.