Nga Hazir Gashi
Reagim me shkas!
( Shpallja e vdekjes me afishe me shenja e kuptime turkootomane për vdekjen e një të riu shqiptar sot!)
Jemi njerëz ne? – Unë them se po!
Kemi të drejtë për shfaqjen dhe mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar si pjesë e komunitetit njerëzor në botën që njohim e ku jetojmë? – Unë them se po!
Kemi të drejtë të jemi, shfaqim e mbrojmë shpirtin, kulturën, traditën, gjuhën e të gjitha ato cilësi e virtyte që na krakterizojnë si njerëz të lindur e rritur me identitet kombëtar shqiptar? – Unë them se po?
Kemi të drejtë edhe ne si të tillë – të lindur shqiptarë pra – të besojmë apo edhe mosbesojmë në Zot, Perëndi, jetë e vdekje, ashtu si edhe njerëzit tjerë që jetojnë në këtë botë? – Unë them se po!
E nëse lindim e kemi lindur shqiptarë, atëherë pse, – pse more njerëz lejojmë që nga disa shërbyes fetarë që paguhen nga qendra të huaja interesi – fetare/politike/ekonomike – të ndikohemi në ndryshimin e identitetit tonë kombëtar, kulturor, gjuhësor e edhe fetar nëse doni – pse? Pse? Pse? Duhet të lindim shqiptarë e vdesim si turq, arabë, persianë, grekë e edhe latinë po deshi? Pse duhet që shpallja e vdekjes së një të riu shqiptar sot të shfaqet e shprehet me simbole turko/otomane në krye të shpalljes?! Pse ore, pse, se më vrat së gjalli? Po, pse e dhunoni shpirtin e gjallë e të vdekur të shqiptarit, duke ia tjetërsuar identitetin kombëtar e vrarë prindërit e paraardhësit e tij të gjallë e të vdekur me këto sjellje bizare e tradhtare, të ndikuara nga hoxhallarë të paguar nga dreqi i huaj? Po a jeni në mend more se çfar tradhtie e poshtërsie po bëhet e po lejohet të bëhet në ne e me ne për shkak të mësimeve e këshillave banale që i bëjnë disa hoxhallarë të ndikuar nga vendet e qeveritë ku kanë marrë mësim, janë shkollu, ndiku e pagu dhe paguhen sot?
Njëri ligjëron qysh e çka ka mësuar në medreset e qendrat fetare të Kajros e ne duhet përulur, pranuar e zbatuar!
Tjetri ligjëron qysh e çka ka mësuar në medreset e qendrat fetare të Riadit, ai tjetri qysh ka mësuar, është paguar e ndikuar nga qendrat fetare të Damaskut, Amanit e qendrave tjera arabe dhe ne duhet me u përshtat, me i dëgju e zbatu mësimet e ligjërimet e tyre pa “guxu” me reagu, se ashtu thotë Hoxha dhe Hoxha është njeri i Zotit! Pse Hoxha ka tradhtu nënë e baba dhe komb e atdhe dhe është pagu e ndiku nga qendra që s’na donë të mirën nuk e bëjmë dert! E po në Xhami vjen një Hoxhë që ka mësu në Teheran, Sanë, Bejrut e mëson e ligjëron krejt ndryshe nga ata të mëparshmit e ne duhet përshtat, dëgju e zbatu mësimet e tij!? Kështu disa bëhemi arabë egjiptianë, disa bëhemi arabë saudit, disa bëhemi arabë jordanezë, disa bëhemi turq e disa bëhemi persianë – iranianë! Pse? Sepse, kështu na mësojnë hoxhallarët e paguar nga shërbime e qendra të huaja ndikimi! Të gjithë ata hanë bukën e tradhtisë se paguhen e janë pasuru me parat e tradhtisë! Të gjithë ata janë më të pasur se unë dhe ti! Të gjithë ata kanë shtëpi e luks më të madh se unë dhe ti! Pse? Si, pa punu kurrë? Nga e morën gjithë atë pasuri? Ne, bijtë e Ilirëve, pasardhës të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që nderoi e krijoi këtë komb, duke luftuar për lirinë e pavarsinë e tij në tokat e trashëguara nga të parët, duhet të dëgjojmë, jetojmë e zbatojmë rregullat e mësimet e huaja që vijnë nga kultura e moral i huaj për ne!!!! Pse more, pse? Pse po bëhemi kaq të ligj e të dobët para vetes, para fëmijëve tanë, edhe para paraardhësve tanë, nëse doni, që e kanë luftuar pushtimin e huaj dhe asimilimin kombëtar! A s’keni frikë nga Zoti, në të cilin luteni, që po e tradhtoni duke u bërë diqka tjetër nga ajo që ai ju lindi, bëri e krijoi?! Kjo është e pakuptueshme, e papranueshme dhe poshtërsi e krim në të cilin po jetojmë e përjetojmë ne, o njerëz!
Të shpallësh vdekjen e një të riu shqiptar, të lindur shqiptar, me shenja turkoarabe, me gjysëmhanën e perandorisë ç’njerëzore pushtuese otomane, që na shkeli e robëroi, dhunoi, vrau e poshtëroi për pesëqind vjet është turp – turp për të gjithë ne – jo vetëm nga familja e tij!
Njerëz, vëllezër e motra shqiptare çohuni e thuani ndal ndryshimit e tjetërsimit kombëtar! Mos të lejojmë të na humbet gjuha, kultura, shpirti e besa e shqiptarit!
Çohuni e thuani ndal krimit shpirtëror që po lejojmë e përjetojmë vet me shpirtin e shqiptarit!
Ne që jemi të lindur shqiptarë le të rritemi, jetojmë e vdesim si shqiptarë e jo si turq e arabë!
Le t’u vëmë fëmijëve tanë emra shqip e jo emra me fjalë e kuptime të pakuptimta arabe, turke, persiane e edhe atyre greke, sllave, latine e çfardoqofshin ato! Asnjë popull i huaj nuk u vë fëmijëve të vet emra me fjalë e kuptime shqipe – pse ne t’u vëmë emra me gjuhë e kuptime të huaja fëmijëve tanë?! Nuk ka emra muslimanë!!!! Ka emra arabë, turk e persianë! Kaq, kaq e thjeshtë është kjo!
Zgjohuni nga amullia e apatia ku jeni ra se po humbim e vdesim së tëri jo vetëm individualisht, por edhe kombtarisht!
Unë jam i lënduar e zhgënjyer nga pamja e zymtë e ralitetit jetësor në Kosovë e trojet shqiptare sot!