Shkruar: Mimoza Legisi
Një lot që s’thahet
Sot mbi Kaçanik nuk po ndritka Dielli
mjegullnaja shtëpive gjithkund paska ra
ditë dhe natë së bashku i paska kthyer qielli
Nënë Azeminja s’mund po çohet ma
Bilbili mbi maja këngën ka ndaluar
qyqja po vajton mbi kulmin e çatise
rrugë te gjatë ka nisur Nënë Azeminja
përgjithmonë do dalë nga dera e shtëpisë
Tokën lagin lotët nga dhimbja e madhe
i madh dhe i vogel trishtimi i ka zënë
po i qajnë dertet qe jeta asaj i fali
luftës ia dhuroi kater djemtë e saj
Loke zemër trime sot qenke dorëzuar
mbi ktë shtrat te hekurt s’po fol asnjë fjalë
mos vallë mallë kishe për djemtë e shkuar
a për nusen tënde që vdekur ka ra
Trimereshë Kosove, zemra të tradhëtoi
peshës së dhimbjes s’i bëre dot ballë
loti yt i fshehur zgavrave të shpirtit
syve kurrë s’ka rrjedhur për djemtë e vrarë
Sot po i kthen shpinën shtëpisë tënde të vjetër
vajzës, farefisit ,Kosovës gjithkujt
varrit do t’i bindesh pranë nuses dhe djemve
mbi kokë do freskojnë te heshturat selvitë
Ndoshta do të përmallesh për tokën e shkelur
të kthesh kokën pas nuk do mundesh më
të qëndrosh nën hijen e pemëve të mbjelluna
kur këndon bilbili degë më degë pa nda
Mbi varret e juaja lulet do të mbijnë
për ju do vajtojnë motër dhe vëlla
dhimbja për vëllezër shumë e madhe është
por një lot për nënë nuk mundet me u tha.
Poezia që është pjesë e librit “Legjenda e Dhembjes se Heshtur ” të Autorëve z. Hasan Qyqalla dhe z. Mustafë Krasniqi. Libër që i kushtohet të rënëve të Familjes Salihaj me 13 .Prill 1999 në luftën e fundit në Kosovë!