NOVELË: BURGU NË DUAR TË BURGOSURVE (II)

(pjesa e parë)

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Kur rregullat thyhen nga pushteti, pushteti kalon te të mbyllurit

Tafo, pushtuesit nuk çanin kokën fare për rininë që na u kalbej burgjeve, nëpër kanale e qeli. Ata kishin vetëm një qëllim: ta shkatërronin rininë shqiptare, të shëndoshë, të pastër e idealiste; duke përdorur çdo mjet dhune, për ta përkulur, që ata ta devijonin rrugën e lirisë. Me tortura donin t’ua shuanin idealet dhe t’i shndërronin në të nënshtruar. Por nuk ia dilnin dot.
Koha kalonte. Torturat, frika, hija e dhunës ishin bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Vdekja na qëndronte më afër se buzëqeshja. Kishim harruar kur kishim qeshur për herë të fundit. Fytyrat tona ishin shndërruar në skelete, sa që na tmerronte pasqyra. Na kishin thyer kockat, nofullat, dhëmbët, na kishin çarë trupin me kamxhik. Por ajo që nuk arritën ta thyenin, ishte qëndresa. Ideali për liri mbeti i pathyeshëm.
Bacë, a e dinte populli se bijtë dhe bijat e tij po torturoheshin në mënyrat më çnjerëzore? Dhe ku e gjenim atë forcë për të jetuar në mes asaj beteje për jetë a vdekje?
Pyetjet tua më godasin thellë, Tafo. Janë kujtime që të rrëqethin edhe vetëm t’i kujtosh, e lëre më t’i përjetosh. Përgjegjësia nuk ishte vetëm morale, ishte më shumë se kaq. për jetë a vdekje. Një gabim i vetëm, dhe dikush e paguante me jetë.
Ishte një luftë për mbijetesë. Shpesh mbroheshim duar thatë, ndonjëherë me thikë apo shufër hekuri, nga të dënuarit ordinerë serbë. Vetë policia i nxiste ato përleshje, për t’i përdorur pastaj si justifikim për dhunë edhe me të egër.
Tafë, më fal, por më duhet të ndez një cigare. Për inat, nuk kam hequr dorë prej saj.
Mendon se cigarja të ndihmon të harrosh të kaluarën apo të përballosh të tashmen? E di që është ves, por s’ të gjykoj.
Thonë se cigarja ka nafakë… Çfarë nafake, Tafo! Vetëm e djeg paranë me dorën tënde. Është më shumë ves se nevojë.
Pastaj, për një çast, heshtëm.
E tani?
“…ku e lamë e ku na mbeti
Vaj vatani e mjerë mileti…”

Kështu ka thënë Noli, bacë. ia ktheu Tafa
Ashtu është. Fjalët e Nolit, Migjenit, Gurakuqit e Hasan Prishtinës nuk ishin fjalë të zbrazëta. Ishin amanete, histori të skalitura për t’i lënë brez pas brezi, të mos e lëmë kurrë atdheun në mëshirë të robërisë.
Të mos largohemi shumë, bacë. Le ta çojmë rrëfimin deri në fund, për brezat që do vijnë.
Do ta çojmë, Tafo, të premtova.
Burgjet e Jugosllavisë ishin skena të tmerrit. Por pati një ngjarje që tronditi krejt sistemin: të burgosurit shqiptarë morën kontrollin e burgut të Nishit. Ishim të organizuar mirë, të bashkuar kundër gardianëve dhe bandave serbe. Shkëndija u ndez pas mbytjes së Hashim Zajaqit në bodrumin famëkeq “Bella Kuqa”, më pas e varën në gypa të ngrohjes. Ajo padrejtësi e tmerrshme na shtyu drejt vetëmbrojtjes.
Nuk kishim më rrugë tjetër: ose jetë, ose vdekje.
Ne e dinim mirë se ç’po ndodhte jashtë grilave. Për këtë kishim vendosur që herët: ta çlironim popullin dhe do bashkoheshim me Shqipërinë, edhe sikur të na kushtonte me jetë.
Në burg na arrinin gazeta nga Shqipëria – sakrificë e madhe, por e domosdoshme. Familjarët rrezikonin shumë për të na i sjellë. Ato futeshin fshehurazi: ndërroheshin kopertinat me ato të gazetave në Prishtinë. Brenda burgut shpërndaheshin vetëm ndër shokët e besueshëm. Ishte lidhja jonë emocionale për Shqipërinë, për atdheun e bashkuar.
Populli ynë ka mençuri, guxim, e zemër të madhe. Jo si macja që i thonë se ka shtatë shpirtra, por shqiptari, që kur e ngucin, s’lë gur pa lëvizur për të mbijetuar e për t’u mbrojtur.
Edhe urtia e popullit t’i mëson rrugët edhe kur mendon se s’ka më rrugë.
Si në atë tregimin e vjetër:

“Një djalë përtac kur shkon për të pre dru. Para se të niset, pyet të atin:
Po nëse më prishet qerrja, kush do më ndihmojë?
I ati i përgjigjet:
Biri im, vetëm thirre nevojën, ajo do të vijë.
Kur qerrja iu prish vërtet, dhe ai thirri nevojën, por askush s’erdhi. Më në fund, i detyruar, e rregulloi vetë qerren. Kur u kthye në shtëpi, e pyet babën pse nuk erdhi nevoja.
I ati qeshi dhe i tha:
E rregullove vetë, bir. Kjo është nevoja.”

Ashtu është, lumë Tafo. E tillë është forca e shqiptarit.

Vijon…...(shtyp për ta lexuar pjesën e III-të)