OBELISK

Fotografia e Xheladin A. Çitaku

shkruan: Xheladin A. Çitaku

OBELISK

( Afrim Zhitia – hero i kombit )

*
Në qiellin e atdheut një yll shëndriti
feksë në horizontet e zjarrta baladash
në thellësi shekujsh si meteor rrëshqiti
në rrudhat e ballit portretim krajatash.

*
Buçimë kushtrimi nga vrulli i ndezur
flakadan lirie në muzgun e dendur
në ngrohtësinë e tokës farën hedhur
shpirt i përflakur në ëndrra ngarendur.

*
Orgji resh të zeza eklipsojnë shpresat
ashpër hungrijnë në qiellin e ndriçuar
për agun e ditës i mprehin këmesat
që rrezen në lindje për ta shuar.

*
Koha hedh vickla në vrapin pa fre
që t`shuaj filizat në hov të lulëzimit
por dielli nuk shuhet kur hyn ndër re
as zemra e zjarrtë në gjoksin e trimit.

*
Në shtigjet pafund janë vetëm fillimet
pa parë nga prapa n`histori hapëruar
në yllësi orbitash skaliten përjetësimet
në obelisk madhështie idealin latuar.

xh. a. ç.