Paqartësia e BE-së!

Nga Sylë Ukshini

Sylë Ukshini

Nëse BE-ja për agresionin serb në Banjskë akoma nuk ka qëndrim të qartë, për dinarin dhe strukturat paralele Brukseli është shumë të qartë: veprimi i Kosovës duhet të jetë në përputhje me kërkesat e Beogradi, ndryshe situata në veri mund të eskalojë!

Një qëndrim i tillë i BE-së duket i paimagjinueshëm në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës! Kërkesat e tilla, për ruajtjen e mbetjeve të regjimit të Milosheviqit, për rivendosjen e dinarit serb si valutë zyrtare, për ruajtjen e tabelave me targa të Serbisë, pasaporta serbe, leternjoftime serbe etj., mos u befasoni kur këta të kërkojnë edhe më shumë… po të mos ishte rreziku i luftës.

Me këto qëndrime që cënojnë shtetësinë e Kosovës a mundet BE-ja të jetë ndërmjetës i paanshëm. Ky qëndrim i BE-së është simfonia e fundit mortore e dialogut më absurd të iniciuar me një rezolutë OKB-së të sponzorizuar nga BE-ja dhe Serbia në shtator të vitit 2010. Pra, në momentin kur GJND-ja e vulosi ligjshmërinë juridike ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës, BE-ja në vend se të kërkonte njohjen nga 5 shtetet anëtare, mori përsipër një dialog ku Kosovën e trajton si çështje trafiku e herë si çështje shëndetësore apo ambientale.

BE-ja ka marrë një qëndrim të anshëm, ajo mbështet hapur strukturat paralele të Serbisë, të cilat janë mbetje të regjimit të Sllobodan Milosheviqit!

Për më tepër, këto struktura mirëmbajnë funksionimin në praktikë të strategjisë së Milosheviqit për ruajtjen e komunikimit të drejtpërdrejtë të serbëve të Kosovës me Beogradin. Në të njëjtën kohë të minohet çdo lojalitet ndaj institucioneve të Kosovës dhe që serbët lokalë të instrumentalizohen kundër shqiptarëve. Ngjashëm si Milosheviqi, edhe bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm, tashmë të konvertuar si demokrat, vlerësojnë se “mbrojtja” e serbëve të Kosovës duke i konfrontuar me shqiptarët dhe institucionet e Kosovës. Pra, strukturat paralele të shtetit serb, për të cilat paska vajtuar zëdhënësi i BE-së janë instrument për pengimin e integrimit të serbëve kosovarë dhe barrierë kryesore e bashkëpunimit të serbëve lokal me institucionet shtetërore të Kosovës.

Në këtë kontekst duhet pasur edhe funksionimin e strukturave paralele dhe terroriste serbe në Kosovës si dhe aksionin e tyre terrorist në Banjskë në shtatorin e kaluar. Dhe këtë linjë politike dhe këtë formë të organizimit paralel duhet kërkuar tek regjimi i Milosheviqit i cili i instrumentalizoi serbët e Kosovës si “kolonë e pestë” kundër shqiptarëve. Sipas ish-anëtares së Ekipit Kërkimor për Çështje të Udhëheqjes në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë (TPNJ), Nevenka Tromp, duke u mbështetur në procesverbalet e dëshmive në procesin kundër Milosheviqit lidhur me akuzën për krime kundër njerëzimit në Kosovë, konfirmon se popullata serbe dhe malazeze në Kosovë ishin armatosur qysh në vitin 1997. Ky fakt s’e konfirmon se ndërmarrja kriminale e Beogradit në Kosovë kishte për synim që në fushatën e spastrimit etnik në Kosovë të përfshinte edhe popullatën civile vendore serbe dhe malazeze.

Sipas Tromp, dëshmia në TPNJ e gjeneralit serb në pension Bozhidar Deliq, i cili ishte paraqitur si dëshmitar në emër të Milosheviqit, dhe pretendimet e tij në temën e tij të doktoratës, të shkruar me 1997, konfirmonin se Beogradi qysh në vitin 1997 u kishte dhënë serbëve dhe malazezëve të Kosovës “armë të lehta këmbësorie”.

Beogradi e ka kuptuar pozitën e vështirë të Kosovës, prandaj përmes vetviktimizimit është hedhur në aksion për të provokuar ndonjë reagim të vrullshëm të Kosovës. Shqiptarët duhet të operojnë me kujdes të madh dhe ta kenë parasysh këtë moment vendimtar në të cilin ndodhet Kosova.

Në momentin kur po ballafaqohemi me nacionalizmin agresiv serb dhe përpjekjet ndërkombëtare për të krijuar një simetri të krimeve të njohura në Kosovës së fundshekullin e kaluar. Veprimet e Kosovës duhet të jenë më mirë të paketuara diplomatikisht dhe medialisht.

Të paktën një gjë është e mirë, më në fund, ranë maskat, pasi BE -ja edhe zyrtarisht e bëri të qartë se ka qenë në dijeni dhe ka toleruar në vazhdimësi që paratë e saj të destinuara për Beogradin të shkojnë më pas edhe për strukturat paralele serbe, të cilat si dje edhe sot minojnë funksionalitet të brendshëm të shtetit të Kosovës. Zëdhënësi i BE-së sot doli krejt hapur dhe pa turp në mbrojtje të strukturave ilegale të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, Beogradi vazhdon aksionin agresiv për pengimin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë kuptim, strukturat paralele serbe janë në funksion të doktrinës serbomadhe (bota serbe), e cila nuk është dënuar asnjëherë dhe vazhdojnë të funksionojnë sipas strategjisë së vjetër serbe të vetviktimizimit!

Por, është tepër e çuditshme, derisa ambasadorët e vendeve perëndimore në Kosovë dhe BE-së tregohen të kujdesshëm për të reaguar për çdo rast qoftë edhe krejt minor, homologët e tyre heshtin dhe vetëm heshtin kur popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës reduktohet për çdo ditë si rrjedhojë çaktivizimit të adresave të shqiptarëve (spastrimit të heshtur). Kjo politikë serbe është pjesë e strategjisë së Serbisë, të cilën disa organizata për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar “spastrim etnik administrativ”.

Sipas një raporti të hartuar nga një studiuese shqiptare në Gjermani, 6 000 shqiptarëve u janë çaktivizuar adresat e tyre nga rajonin e Luginës, duke i bërë ata pa shtetësi dhe të paaftë për të blerë ose shitur prona, për të pasur akses në arsim ose kujdes shëndetësor, për të votuar ose për të ushtruar të drejta të tjera themelore. Pse ky qëndrim me standarde të dyfishta?