Për Heroin e LPK – UÇK – së, Qerim Kelmendin – Shpirtmadhin

Nga Bedri Islami

Fjala e Kryetarit të Lëvizjes Popullore të Kosovës (1998 – 99), autorit të shumë librave, shkrimeve analitike, etj., Bedri Islamit, në Akademinë që Shoqëria LËVIZJA organizoi në Pejë për ta kujtuar dhe nderuar Heroin e LPK – UÇK – së e të Shqipërisë, Qerim Kelmendin në kuadër të 40 – vjetorit të themelimit të LPK – së…
Për Shpirtmadhin
.

Ata vranë Qerim Kelmendin, por Dema i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shpirtmadhi i shqiptarisë do të jetojë sa të jetë jeta!
Të nderuar miq,
Dy vite më parë, pikërisht më 27 shkurt, ne, të gjithë, morëm mandatën e vrasjes së Qerim Kelmendit. Askush nuk e kishte menduar se në një ditë si kjo do të ndahej nga ne , nga familja, miqtë, shokët dhe Kosova njëri nga djemtë më shembullorë të saj, njeriu që e mbrojti – kur shumë po e braktisnin; biri që i dha jetë- duke mos e llogaritur jetën e tij ; luftëtari ndër të parët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që e shikonte vdekjen duke qeshur dhe jetën në robëri e përbuzte si të padenjë; militantin e Lëvizjes Popullore të Kosovës që shikonte tej e përtej së ardhmes dhe e përgatiti të ardhmen përmes sakrificës;
nuk e kishim menduar se hasmi nuk do ia falte kurrë aktin e tij të shpresës, pasi ai vetë e kishte falur hasmin e pasluftës;
nuk mund ta dinim se Qera, ashtu si gjithnjë, plot jetë do të kishte ndërprerjen e jetës së tij si shenjë e rijetësimit dhe përkushtimit të pafund ndaj Kosovës.
Jeta dhe rënia e Qerimit nuk mund të kuptohet pa atë që kishte ndodhur në Kosovë dhe pa atë që pritej të ndodhte. Emrat e mëdhenj takohen lehtësisht, takohen në jetë dhe takohen në histori; ata e bënë luftën si gjënë më të natyrshme në botë dhe, më e rëndësishmja, e bënë këtë në kohën e duhur. Jo çdo njeri është i aftë të mbisundojë kohën, ti japë asaj emrin e tij, emrat e tyre, të bëhen pjesë e një ideje të madhe, jetësore, më të madhen që kishte njohur kombi ynë në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar dhe, nga vizioni e gjaku i tyre, më të suksesshmen. Historia e kombit tonë, sidomos historia e Kosovës shqiptare nuk njeh akt më madhështor, më fatsjellës, më të dobishëm dhe plot sukses, se sa ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e themelueses së saj, organizatore dhe drejtuese, Lëvizjes Popullore të Kosovës.Këto djem dhe vajza, vizionarë në mendim dhe luftëtëtarë në veprim u bënë dalzotsit e Kosovës, ata që e gjykuan kohën jo si qyqarë, por si njerëz të luftës.
Historia e Kosovës nuk mund të përcaktohet pa tri gjëra themelore, të cilat kanë në thelb të njëjtën gjë: Lëvizjen Popullore të Kosovës, Lëvizjen Studentore dhe, mbi të gjitha, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Thelbi i tyre është Lëvizja. Përcaktimi i tyre është Lëvizja. Korifejtë e Lëvizjes janë nderi i Kosovës. Liderët e saj, në vite të ndryshme, mbajtën zjarrin e atdhedashurisë, kur të tjerët po e shuanin atë.

Ajo ringriti vetëdijen kombëtare, si organizatë, dhe, përmes krijesave të saj.

Ringjalli shpresën. Riktheu besimin dhe bëri të mundur Kosovën e mëvetsishme. Shumë gjak derdhi ajo dhe shumë gur hodhën mbi të, por të vërtetën nuk e shuajnë dot, ajo mbetet dalzotsja e Kosovës, mendimi e shpirti i saj. Qerim Kelmendi ishte njëri nga djemtë vizionarë, që, kur të tjerët kërkonin paqen e vdekjes, ai donte luftën epër jetën; kur mposhtja po bëhej ves, ai kërkonte virtytin e luftës; është njëri nga militantët e Lëvizjes që solli frymën e kryengritjes dhe e cilësoi si të vetmen rrugë mbijetese, si popull e si komb. Historia njeh raste të tilla, megjithëse të pakta, kur rruga e fati i një kombi ndryshon nga vendosmëria e disa burrave, që e përceptojnë historinë jo si ngurrim,por lëvizje. Historia e Kosovës ndryshoi pikërisht atëherë kur , nga poshtë, drejt trupës drejtuese u përcaktua qëndrimi për filimin e luftës, kur krijimi i UÇK-së u kthye në një proçes gjithnjë e më madhështor, pa ngelur një akt fillestar, kur , fillimisht, një grusht burrash vendosën të ia kthejnë pushkën shtetit fashist serb, të bindur se do të vriten, do të burgosen, do të eleminohen.

Pa këtë Lëvizje dhe njerëzit e saj gjërat do të ishin ndryshe. 90 për qind e përmendoreve të Kosovës janë pikërisht për djemtë e vajzat e Lëvizjes, për ata që bartën idetë e saj dhe i transferuan te njerëzit, ashtu si mundën.

Thelbi i Lëvizjes nuk ishte ideologjia. As partia si qëllim në vetvete.

Ajo shikoi më gjërë se kaq, përmes një vizioni që ishte, sa i domosdoshëm e jetik, aq edhe i perspektivës.

ASNJË organizatë tjetër në Kosovën e 100 viteve nuk kishte suksesin e saj.

Asnjë organizatë tjetër nuk arriti suksesin e saj. Askush tjetër nuk u bë partnere me NATO-n, shtetet perëndimore, askush tjetër nuk mblodhi në një tryezë gjithë fuqitë botërore në Rambuje për të vendosur për të ardhmen, dhe, e rëndësishme, për herë të parë në historinë e saj, Aleanca më e madhe Ushtarake e Botës sulmoi një shtet të pavarur, sepse ishte agresor fashist, dhe se po bënte gjenecid në popullin fqinj.

Kjo nuk ndodhi as në Luftën e Bosnjes, as në Kroaci.

Lëvizja bëri të mundur që të mos degradohen vlerat, dhe këtë e bëri jo përmes konferencave të shtypit, por përmes luftës, gjakut dhe vizionit. E themeluar në 17 janar 1982 ajo vulosi me jetë atë çfarë do të ishte themeli i së ardhmes.

Janë të panumërt pjestarët e kësaj Lëvizje që kanë bërë vite të gjata burgimi në burgjet serbe, ashtu si të panumërt janë heronjtë e saj!

Ismail Kadare do të shkruante se :

” Kur populli i Kosovës u gjend kështu, grigjë e pambrojtur përpara kasapit serb, UÇK-ja u bë DALZOTËSE e saj.

Disa mund të mos jenë në një mndje me disa ide të saj, me stilin e deklaratave, me mënyrën e nderimit, etj etj, por askush s’mund t’ia heqë dot KURRË emrin e madh ” DALZOTS”.”

Lëvizja, në vitet epikë 1998 – 1999 në Kosovë, dëshmoi se populli shqiptar, pavarësisht nga gabimet që ka bërë, pavarësisht nga cenet, nga keqkuptimet, ruajti në thellësitë e vete aftësi të pashterrshme regjenerimi.

Pesë shtylla të mëdha e bartën jetën e Qerim Kelmendit :
Familja, pasi , e gjithë familja Kelmendi u bë pjesë e Lufts çlirimtare,
Miqtë e tij, dhe është një konfiguracion tejet interesant : miqtë e tij janë në të gjithë trevat shqiptare, Adem Jashari, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Fehmi Lladrovci, Xheva Lladrovci , Mujë Krasniqi , Hashim Thaçi e shumë të tjerë, në Drenicë, Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci , Sabri Kiçmari në Llap, Ardian Kasniqi në Pejë, Nait Hasani në Prishtinë, Ali Ahmeti , Fazli Veliu, Musa Xhaferi, Haxhi Baba – Musa Demiri në viset shqiptare nën Maqedoni, Kadri Veseli në Mitrovicë , Halil Selimi në Preshevë, Luan dhe Ramush Haradinaj në Dukagjin, Hazir Malaj dhe Sulejman Krasniqi në Tropojë, vllezërit Xhemajli në Ferizaj, fisi Elshani në perëndim, të panumërt ishin ata , me të cilët bashkëpunoi, dhjetra shtëpi u hapën për të, të pafund kullat që e pritën, dhe un nuk di asnjë njeri që nuk e deshi Shpirtmadhin.
Së treti, Lëvizja Popullore e Kosovës – ishte vatra ku fara e lirisë u rrit më shpejt se sa mund të endohej dhe bashkoi idealistët më idealistë që kishte pasur Kosova.
Së katërti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndoshta epika më e lavdishme e historisë sonë, ku ai ishte ndër themeluesit e saj, njeriu i sakrificave të mëdha dhe i heshtjes , po aq tëmadhe, udhëtari i logjistikës nëpër bjeskët e veriut, në dimrat e ashpër, dhe, si mund të ndodhte me secilin, i plagosuri i parë i kësaj lufte.
Shtylla themelore e tij ishte Shqipëria natyrale, ku Kosova, si pjesë e saj dhe bartëse e mendmit adhetar, irredentist, do e përceptonte qartë të ardhmen.
Në këto pesë shtylla u mbështet jeta e tij dhe u bënë motivi përse jetoi dhe përse e vranë.
I largët është viti kur e kam takuar për herë të parë Qerim Kelmendin. Në shtëpinë e dikurshme të vëllait të tij. Nuk e kam ditur atëbotë se ishte i plagosur dhe, për më tepër, i plagosuri i parë i UÇK-së.

Më shpesh e thërrisnin ” Demë”, ky ishte emri i tij i luftës dhe, vetëm më vonë, mësova se ai ishte njeriu me tri emra, sepse kishte tri zemra! E them pa droje, ai ishte njeriu që kishte zemër për të gjithë dhe në atë pjesë të trupit të tij mund të ishin të gjithë.

Në Lëvizjen Popullore të Kosovës kishte qenë Njeriu që nuk e donte më statukuonë; ai donte ndryshimin, kërkonte të lëviznin gjërat dhe të kishte një shpresë.

Rrallë herë emri i gjetur prej tij në Lëvizje ” Shpirtmadhi” ishte kaq i njësuar me njeriun që e kishte zgjedhur apo ia kishin zgjedhur.

Në fakt, kur e njoha më vonë, shumë më tepër se njohja fillestare, kur miq u bëmë dhe vinte edhe në shtëpinë time në Shkodër, në ndenjat e gjata dhe bisedat e pafund, kam mësuar mbi të gjitha se Njeriu që kishte qenë në themelet e UÇK-së, ashtu si ishte, njeri i shpotitshëm, gazmor e shpirtplot,

që nuk merrej kurrë me anësoret,

që falte edhe kur nuk e falnin,

që linte kokën pas shokëve,

që fjalët i kishte gjithnjë të duhura,

që duke qeshur thonte të vërteta,

që të donte pa hile dhe nuk ti duronte hilet,

që e dinte se ku gabonin shokët, por nuk çirrej,

që i dhembte Kosova dhe nuk ia vinte re se kishte nisur harresa; miku më i afërt i tre herojve të shquar , Zahirit, Ilir Konushevcit dhe Ardian Krasniqit;

i dënuar me 15 vite në mungesë nga gjyqet e Serbisë dhe nuk ia ndjeu kurrë,

i përndjekur nga një skotë udbashe, të cilët shihnin tek ai njeriun e zakonshëm që, pasi kishte bërë histori , ishe kthyer në familjen e tij,

njeriu që kishte çarë borën për vite me rradhë, duke shprishur kufijtë e dhunshëm dhe ndërtuar historinë e re,

që kishte pasur në duar qindra mijra marka e kishte mbetur i varfër, i pabindur ndaj së keqes ,por i shtruar në punët e mira;

i rënë në prita dhe i dalë prej tyre i përgjakur;

që kishte idhull Adem Jasharin e mbi të gjitha donte Shqipërinë;

i papërkulur në thelbësoret dhe që linte anash mëritë;

më i miri, më i dashuri, më i sinqerti dhe më i ndershmi i Kelmendve ( më i ndershmi mes të ndershmëve);

mikpritës dhe i drejtpërdrejtë,

ky ishte Qerimi që kam njohur, që kam ndër mend,

që e kam dashur më shumë se gjithë Kelmendasit e tjerë, megjithëse me të isha njohur përmes Ibrahimit dhe të cilit, Shpirtmadhit, nuk ia prisha kurrë.

E kam pasur dhe e kam për nder që isha mik i tij, që e kisha mik në familje, që e donte Nënën time dhe ajo e donte jashtëzakonisht, tashmë Hero i Kosovës, ishte nga ata njerëz që e merrnin jetën seriozisht dhe vdekjen duke qeshur!

Pushon në mesin e shokëve të tij!

Një jetë e nderprerë brutalisht!

Por një jetë e bukur, fisnike, njerëzore, që nuk do të mund të harrohet!

Pusho në paqe, miku ynë!

Prej kohe kam dashur të tregoj një ngjarje që më ka mbetur në mendje si një përjetim i veçantë, që, me kalimin e viteve, është riardhur tek unë, përherë e njëjtë dhe e përjetuar si asaj dite.

Zhvillohej në një cep të Zvicrës, në majin e vitit 1998, Mbledhja e Përgjithshme – Kuvendi i Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Gjithçka ishte mes ankthit, enigmës dhe solemnes, pasi lufta kishte filluar në Kosovë, gjërat po transformonin botën politike shqiptare dhe, shumë nga ata që ishin në sallë, por edhe qindra të tjerë që kishin deleguar shokët e tyre, kishin qenë pjesë e ngritjes së strukturave të Luftës. Ishte gjithçka e ankthshme, si është një fillim lufte dhe e nesërmja do të kishte të papriturat e saj.

Çfarë do të ndodhte më tej: rruga ishte e vështirë, gjakimi do të ishte ndoshta i papërballueshëm, problemet që do të rriteshin mund të ishin të shumta – çka edhe ndodhi, por, si asnjëherë tjetër, Kosova kishte një strukturë të armatosur, djem vizionarë dhe prijës , që do të ishin më pas lavdia e saj.

Isha në pjesën e drejtimit të Kuvendit. Pesë vetë ishim zgjedhur të drejtonim: Adnan Asllani, Bardhyl Mahmuti, Bedri Islami, Mehmet Bislimi dhe Musa Xhaferi.

Për një rastësi të habitshme përfaqësonim thuajse të gjitha trojet: Adnani nga Kosova Lindore – Preshevë, Mehmeti nga Drenica, Musa Xhaferi nga shqiptarët në trojet e tyre nën Maqedoni, Bardhyli, aq sa ishte tetovar, ishte edhe prishtinali, ndërsa unë nga Shkodra.

Salla ishte e madhe, gjithë dritë dhe portën e hyrjes e kishte në një cep të saj, në të kundërtën e qëndrimit të Trupës drejtuese të Kuvendit, përpara ishte një kopsht i vogël, një çezme dhe as nuk e dija se si quhej vendi ku ishim mbledhur.

Në sallë ishin 89 delegatë. Para fillimit të Kuvendit kisha qëndruar me profesor Hasan Ukhaxhën dhe Fazli Veliun. Ishte një pritje e zgjatur, pasi pjesëmarrësit do të vinin në orare të ndryshme.

Kur Kuvendi filloi, atëherë e ndjeva se ishte një ditë e veçantë, ndoshta më e veçanta e jetës sime!

Kishte nisur një debat, që për mua, ishte i habitshëm, kur befas, në hyrjen përballë meje u shfaq Qerim Kelmendi.

I hequr në fytyrë, mjekra ishte e rritur, më është dukur më i gjatë se kur e kisha takuar për herë të parë dhe asaj nate nuk ia mësova emrin si duhet, se e thërrisnin, Qerë, por që e dija se ishte nga Kelmendët.

Salla heshti pak dhe unë dëgjova zërat :

Qerimi, tha dikush.

Në të njëjtën kohë:

-Paska ardhur Dema!

Dhe përsëri, nga ana e majtë e vendit ku rrija dhe ku ishte ulur Muhamet Kelmendi, Ali Ahmeti, Gafur Elshani, dëgjova njërin, nuk e di se cili, që tha:

-Shpirtmadhi.

Më është dukur se po flisnin për tre vetë njëkohësisht, kur në sallë kishte hyrë vetëm një.

Qerim KELMENDI.

Sot është përvjetori i dytë i vrasjes së tij. Dy vite pa Shpirtmadhin, pa Demën dhe pa Qerimin.

Në fakt, ai, para se të ishte Qerimi – një emër i vendosur nga i ati, ishte Shpirtmadhi dhe, më pas, Dema.

Sepse jetën e tij ia kushtoi Demës dhe Shpirtmadhit dhe shumë pak, Qerimit.

Ishte miku më i afërt i Zahirit, Ilirit dhe Adrianit! Mik i shtrenjtë i Luan haredinajt dhe bashkëndërlidhës me Ramushin. Në të njëjtën llogore me Ali Ahmetin dhe Hashim Thaçin. Mik për kokë me Fehmi Lladrovcin dhe Ilaz Kodrën.

Vetëm ky fakt e madhëron në një piedestal të paarritshëm për të tjerët.

I plagosuri i parë i UÇK-së. Njeriu që e thyente kufirin përmes borës, gjithnjë buzagaz.

E kishin thyer atë dreq kufiri , kur gjithçka dukej e mbyllur dhe kur fare pak vetë besonin se kishte ende djem që donin t’ia kthenin pushkën Serbisë. Ishin, si do të thonte Adem Jashari, “buka e UÇK-së”.

Mes tyre Qerim Kelmendi. I lëvizshëm si pak kush, serioz si shokët e tij.

Punët i bënte serioze, vetë ishte i qeshur, hokatar, i gatshëm për të bërë një mjedis të gëzueshëm!

Ishin tre vetë në një!

Një njeri i trefishuar.

Për herë të parë e preka këtë të vërtetë në një Kuvend, që do e kishte për nder ta kishte në mesin e tij.

Më pas, ndër shumë vite, e kam njohur shumë më mirë, e kam pasur mik shtëpie dhe në shtëpinë time, tek nëna ime, ku shkonte sa herë që ishte në Shkodër, ishte si në shtëpinë e tij.

Kishte shkuar edhe më parë, do të ishte deri disa javë para vrasjes.

Është e pamundur të ketë gjëra të tjera për të.

Ruaj një letër të tij, nënshkruar “Shpirtmadhi” , për një ecuri të luftës, ku shpirti i tij duket aq i pastër, ashtu si ishte, dhe zemra e tij aq e ndjeshme, si shpirtmadh që ishte!

Dy vite më parë do të vritej në pusi. Të mirët dhe trimat vriten edhe në pusi! Lufta, si duket, ende nuk ka mbaruar!

Menduan se e vranë!

Në fakt, mund të kenë vrarë Qerimin, por Demën e UÇK-së dhe Shpirtmadhin e Lëvizjes, nuk e vrasin dot kurrë!

Sepse ai ishte si ato gurët e mëdhenj të vendosur në qoshen e një godine të madhe dhe të gurtë, që nuk mund të zhbëhet nga vrasja.

Pusho në paqe, miku im i mirë.

Miku ynë, i të gjithëve!

Mburrem që isha miku yt dhe që nëna ime të quajti BIR!.

Ishe djalë i denjë!

Ishe shok i shkëlqyer, o më i miri i Kelmendve!
Lavdia është bashkudhëtarë me Ju! (Nga Portali Gazeta “Lëvizja”)

Leave a Reply

Your email address will not be published.