PORTA E FUNDIT

Hamdi Reqica

Nga Hamdi Reqica

PORTA E FUNDIT

Papritur u gjenda para portës hijerëndë
të shkëmbtë të mbyllur

Dryni i saj i ndryshkur
tallte deri në shpërvetim qenien time
të mbetur bosh

Nëpër plasat e portës përbirohej mjegulla e kujtimeve
e terrrtë
verbuese për sytë e mi që kërkonin dritë

Ecja labirintheve të pafundme të gërbellës
mes lulesh e gjembash
herë me të tyren aromë dehesha mallshëm
hërë shpirtit gërryhesha përgjakshëm

I etur për nektar e shtrat me dafina
me eshtrat e kërrusur që kërcisnin nga dhembjet
udhën e shketëtirës e trupova
lumin për ta gjetur
oazën me mollëzat e gishtrinjve për ta prekur

Aty
nga çep i pavdekësisë të pija eliksirin
hijet e palmave të më flladisnin
gurrat e mjaltit të jetës të pëlcisnin

Dhe qeshë me fat
humbëtirave të rërës së prushtë
gjeta një varkë

Zhagmitur në të e hipa hijen time
edhe ëndrrën

Atë çast
një diell shtegtar shigjetoi orbitën time
pamëshirshëm dogji me ç’pat
edhe hijen
edhe ëndrrën

Ç’të shihja pastaj
një portë madhështore
e bardhë e fildishtë
kishte vënë pritë
para vogëlsisë sime bënte rojë

E nisa me shpresë e zemërim
e godisja bërtisja
shqyhesha e shqelmoja
hidhesha e tundesha
e grushtoja
po ajo as lëkundej

Nuk hapej

U ndala
Mbështetur në bastunin e palcës prita
dhe dergjesha

Pak pa u thyer dita
një siluetë leshtrathinjur
mbështjellur me dritë
u fanit prej askundit

Ballit të brazdtë largoi me dorë retë e murrme
një buzëqeshje e luledielltë iu shkri

Nuk foli
Shikimi i tij i bruztë
prajshëm më ra damarëve të gjoksit

Qetas çeli perdet e bebëzave të mia
e pa bëza
qiellit të përflakur u përhumb

Përhumbtas pa shkallë
zbrita në brendësinë e vetes time
një pemë kurorëmadhe pashē

e bekuara në vend të frutave lidhur kishte çelësa
çelësa gjithfarësh

Zo’ qenë ata
me të cilët çelur kisha të gjitha deriçkat
dyert
të ferrit e të parajsës së kësobotshme

dhe e dita
edhe kjo portë
e fundit
do të hapej cijatshëm
në çastin që do ta vrisja
frikën time

e ta shndërroja atë në çelës
për ta varur në pemën kurorëmadhe

Leave a Reply

Your email address will not be published.