Prof. mr. EROLL SEJDIU: GJUHA E NJËSUAR SHQIPE, STANDARDI I SAJ ËSHTË PASURI E MADHE E POPULLIT SHQIPTAR

STANDARDI I SHQIPES ËSHTË VLERË KOMBËTARE

Siç dihet, për gjuhën e njësuar shqipe dhe për rregullat drejtshkrimore të saj, për gjuhën e përbashkët për gjithë shqiptarët u shqyrtuan në formë debati vlerat më të larta gjuhësore mbarëshqiptare në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, më 1972.

Ky tubim shkencor, që shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të popullit tonë, mblodhi forcat intelektuale nga të gjitha trojet shqiptare.

Dimë se objekt shqyrtimi i këtij Kongresi ishin “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”, që u botuan në Tiranë, më 1967 dhe qenë në diskutim publik plot 5 vjet.

Rezoluta e Kongresit e miratuar nga të gjithë delegatët me disa vërejtje është fakt i fortë se gjuha e njësuar shqipe është standardizuar dhe si gjuhë standarde po përdoret nga të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

Por, kjo gjuhë standarde, që ka mbështetje në mesin e shumë gjuhëtarëve dhe intelektualëve të tjerë, ka edhe disa kundërshtarë, të pakënaqur me disa zgjidhje gjuhësore, që kanë hedhur idenë e rishikimit, kinse të disa problemeve të pazgjidhura.

Janë këta disa nostalgjikë, të cilët kujtojnë të kaluarën, kohën kur janë përdorur të dy variantet letrare: varianti gegë dhe ai toskë, përkatësisht kërkojnë ringjalljen e tyre, duke mos u pajtuar me bazën e gjuhës së njësuar, pra me toskërishten letrare, sepse sipas tyre “gegërishtja është më e pasur se toskërishtja në sistemin fonomorfologjik”, se “toskërishtja është një dialekt dy herë më i varfër se gegërishtja edhe në leksik”,etj., që s’është e vërtetë.

Për bazë u mor toskërishtja letrare që në të bashkëveprojnë elementet e gegërishtes.

Të gjykojmë drejt! A duhet ta fajësojmë standardin e shqipes për mospërfilljen e atyre, që është dashur ta ndryshojnë atë, por s’e bënë dot?!

Në rezolutën e Kongresit, në pikën 2, shkruan qartë:

“Kongresi porosit që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha standarde shqipe gjatë zhvillimit të saj si edhe çështjet, që praktika gjuhësore, “Rregullave të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura”.

Nga citati i sipërm vërehet qartë se Kongresi nuk e “ka bllokuar” e as nuk e “ka bunkerizuar” gjuhën shqipe.

Ta respektojmë këtë vlerë kombëtare, gjersa nuk kemi tjetër.

Ta përvetësojmë sa më mirë standardin e gjuhës sonë, kjo ka rëndësi

Në qoftë se standardizimi i gjuhës shqipe është bërë në kohën e socializmit dhe nëse ky duhet të shpërfillet, sepse ishte krijuar në ato kushte, atëherë çfarë do të thoshin “këta” që e kanë nxjerrë këtë si pikë të parë (kritike), sikur standardi të ishte bërë në shoqërinë skllavo-pronare, ose në mesjetën e vonë sikur i anglishtes, i italishtes, i gjermanishtes dhe i gjuhëve të tjera?

Le të marrim konkretisht shembullin e mbiemrave. Çfarë problemi kemi aty? Një “ë”, që lëviz herë andej e herë këndej.

P.sh.: “i përbashkët” bën, por jo “i mbyllët”. Këto probleme janë krejtësisht teknike dhe (natyrisht) që mbështeten mbi ndonjë kriter, i cili nuk është e thënë të jetë gjithmonë shkencor. Kjo dihet (sepse gjithmonë do të ketë përjashtime).

Ose çfarë të themi për foljet? Gjejeni ndonjë problem. (A duhet tash) të themi “duhet të vijE” (me “e” të theksuar) sikur në të folmen e Kosovës e të trevave të tjera. Megjithatë mund të themi se gramatika e gjuhës shqipe tashmë ka bërë një traditë (dhe ajo duhet të respektohet). Problemi i shqipes në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Preshevë është se e kemi shqipen të serbizuar.

Nuk kemi problem me leksikun. Prurjet e reja leksikore nuk e prekin, por përkundrazi e pasurojnë standardin. Por nuk mund të thuhet “u ardhë”, “ashtë ardhë”, “osht ardhun”, por duhet të themi: KA ARDHUR.

Kohën e fundit bëhet fjalë për liritë e të shprehurit në gjuhë të tjera. Ne nuk kemi pasur asnjëherë dy gjuhë, ne kemi pasur vetëm NJË GJUHË. Dhe tani nuk është njësoj sikur një popull kur del nga robëria p.sh., në Afrikë a diku tjetër dhe e fiton të drejtën e gjuhës, dhe një vend sikur Kosova apo Shkodra që ta kërkojnë (tash në demokraci) gjuhën e tyre dhe ta bëjnë një standard (të vetin). Këto janë absurde. P.sh.: Serbia sot e ka standardin me rrënjë jashtë Serbisë. Dialekti bazë i standardit të tyre vjen nga jashtë. Madje edhe themeluesi ka qenë jashtë Serbisë. Dhe çfarë do të bëjnë ata tash, një gjuhë tjetër?

Ne nuk jemi shtypur nga gjuha standarde. Me gjuhën e katundit jemi shtypur nga policët e pashkollë në këto treva. Prandaj gjuha (amtare) nuk është mjet i shtypjes. Dhe, pse nuk e dimë standardin? Në një shoqëri të shthurur si kjo jona, ku nuk ka disiplinë, që nga vendi i punës e deri te studenti, duhet EDUKIMI të jetë ndryshe. PA EDUKIMIN NUK KA ASGJË.

Gjuha gjithmonë ka qenë një fushë shumë e madhe lëvrimi. Aty ka punë për të gjithë dhe gjithmonë. Duke nisur nga leksiku e deri te përdorimet funksionale, sinonimet, pastaj dialektet si burime etj.

Është e vërtetë se Enver Hoxha ka marrë pjesë në hapjen dhe mbylljen e Kongresit. Po sot (në demokraci), nuk mund të bëhet një manifestim më i vogli, e lëre më një me vlerë gjithëkombëtare (siç është një kongres i standardizimit të gjuhës), pa qenë aty kryeministri, kryetari e kryetarët e partive të pozitës e të opozitës.

Gjithmonë ka nevojë gjithçka të rishikohet e të rivlerësohet. Prandaj edhe folësit e SHQIPES, edhe autorët e përkthyesit apo gazetarët gjithmonë kanë nevojë të mësojnë. Kur LEXOJNË, duhet të marrin diçka, sepse ndryshe nuk bëhet përparimi. Të gjithë janë mësuar në bazë të mësimeve nga të tjerët dhe pastaj KANË ECUR VETË (Nga portali Shkolla Shqipe- Zvicër)