
Në Bernë u mbajt takimi i konsultimeve për hartimin e Projektligjit të Diasporës, ku të pranishëm ishin anëtarët e grupit të punës nga MDIS-i, deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe përfaqësues nga Ambasada e Kosovë në Bernë.
Në këtë takim, pas prezantimit të Projektligjit për Diasporën, u diskutuan çështje themelore të ligjit, u përmendën marrëveshjet me Shqipërinë, organizimi i mësimit plotësues, hapja e QKK-ve dhe statusi i tyre si pjesë e misioneve diplomatike, përfshirja e të rinjve dhe studentëve të diasporës në universitetet tona.
Po ashtu, u diskutua për rëndësinë e Projektligjit, në veçanti për rregullimin e raporteve dhe fuqizimin e lidhjeve të diasporës me institucionet e Kosovës.
Ndërkohë anëtarët e komisionit Time Kadrija ,Glauk Konjufca, Doruntina Maloku dhe Fitore Pacolli diskutuan rreth përfshirjes së diasporës në politikëbërje, angazhimin e ekspertëve si këshilltarë në institucione dhe në ndërmarrje publike, angazhimin e profesorëve nga diaspora në universitetet tona publike.
Qellim i këtyre konsultimeve është marrja e rekomandimeve të diasporës lidhur me këtë projektligj (shkrimi i marr nga faqja e M. Diasporës).