Shkruan: Mustafë Krasniqi

FOLA ME BILBILIN
Të dielën, në mëngjesin e hershëm,
Kur dielli ende fshihej pas reve,
Me kohë të mërrolur, shi të imtë,
Pranë dritares m’ rrinte bilbili krahëhapur.
I fola në gjuhën time të bukur,
I thashë se Shiroka, Ndre Mjeda, Noli,
Unë dhe shumë poetë të tjerë,
Kemi shkruar për zërin tuaj të ëmbël.
Si tingëllonte fjala ime në shqipen e bukur,
Bilbili, kokëlartë, lëvizte pranë dritares,
Më shikonte, ndërsa flisja me mall,
Sikur më thoshte: “Spitali është për njerëz.”
Të mërkurën, prapë më erdhi te dritarja,
Shi i imtë, pa ndalur, vazhdonte të binte,
U gëzova shumë, fillova të flisja me të,
Ai më shikonte, unë flisja si me mik.
E pyeta: “Ku ishe të hënën dhe të martën?”
Sikur më tha shumëçka me lëvizjen e krahëve,
Papritmas, erdhi bilbili tjetër, dhe u përqafuan,
Pastaj fluturuan, duke më thënë lamtumirë.
Lamtumirë, o bilbil, miku im i dashur, ia ktheva,
U ndamë si miq të vjetër, ai mori qiellin e lirë,
Unë u ktheva në krevatin e spitalit ku rrija i shtrirë.
Në qiellin e mërrolur, me shi të imtë,
I përcolla deri sa më ikën nga sytë.
PUTHJET E VJEDHURA
Sa herë shkrova për ty, kaçurrelë
për syrin e zi, vetullën si krah bilbili
për takimin në Gërmi, pa lekë në xhep
për buzët e tua, belin e hollë që ma kishe.
Shkrova për zërin tënd të ëmbël
për arrën te pusi i ujit në fshat
për kafen që ma solle me llokum
për skuqjen kur të putha në buzë.
M’ kujtohet kur më the:
“ik ore i çmendur
po na sheh katundi, bëhemi hor”
për inat të botës t ‘putha edhe njëherë.
M’u kujtuan kulumbria te selishta e vjetër
binte borë, fjolla- fjolla, dhjetor ishte
e fshehur pas meje rrije e ndrojtur
thoshe: Jam nuse, na shohin komshitë.
Puthjet në buzët e tua dot nuk m’i ndal kush
ata…le t’ mbyllin sytë e t’ mos na shikojnë.
u rrëzuam në borë padashje tonë
ik or i çmendur, thonë nusja çekna lazdrake.
Të dy harruam si ishim shtri në borë,
qeshëm si fëmijë lazdrisur
E puthjet s’ i ndalnim dot.
MËSUES MOS E FSHEH LOTIN

E pse Luli vocërr s’kishte këpucë
këpucë siç kemi ne mësues,
s’kishte xhaketë e pantallona
çantë ku ta vendoste fletoren e grisur?
E pse Migjeni shkruante për mjerimin
Zenelin, Lulin dhe fshatarin e varfër
për fëmijët lypsar me lot faqeve
zotërinë që skllavëronte fëmijë varfanjak?
E pse u mungonte kafshata e bukës
buzëqeshja, loja e fëmijërisë
në Shqipërinë e bukur të Arbërisë
në folën e shqiponjave tona?
E pse mësues ne jetojmë jashtë atdheut
belbëzojmë gjuhën e bukur Arbërore
sikur me ne qeshin dhimbeshim shkronjat
duke lexuar tregimin për Rozafën?
A do të shkruante Migjeni për kohën tonë
belbëzimin e shqipes së bukur që bëjmë
ikjen nga atdheu, lënë të shkret kullat tona
për asimilimin e fëmijëve mërgimtarë?
Mësues mos e fsheh lotin, dhimbjen
ta shohim edhe ne fëmijët mërgimtarë
se shpirti i juaj po derdhet me sakrificë
ne të mos e harrojmë gjuhë mëmë!
BASHKOHUNI….
N’ përplasjen e kohës shtrigë
n’ lumëgjakun e shekujve valë
ende tymi i zi shllungë rri
në bardhësinë e reve të bardha.
Fishkëllimat e sirenave të egra
n’ të ikur varre lanë
nga frika dhe fëmijë vranë.
Plaka e moçme e degdisur
me të vjetrën zanat e harlisur
thikën dytehësh në valle e la
pëllumba të përgjaken.
Për hile u thanë
të garantuara vende për minoritete
edhe për ata që ju vranë
të barabartë në vendimmarrje.
Pse ju gjaku i arbrit s’flisni me një zë
fyeni njëri – tjetrin
harroni kush la thikën mes jush?
O ju të zgjedhurit e popullit
bjerini kokës o të mjerë
mos e hani njëri- tjetrin si hiena
e vrastarët e listës t’ i përkëdhelni!
Bashkohuni….
mos na e koritni kuvendin!
UDHËVE TË NATËS

Në rrezet e hënës përftoi një vetëtimë
ra një yll mbi lum, thanë u shua
mbi re fluturonte një kalë i bardhë
e ngrehur lart mbi të një engjëll rrinte.
Udhët e prushta ishin, me baltë
diku uji i kishte marrë, harruar ishin
ura si në përrallë qëndronte
përtej burimit të zanave.
U përplasën shpatat
kali i bardhë morri udhë
engjëlli nxori një zë tingulli
u dridhen malet e tha:
mos e vritni vetveten.
I përhumbur isha n’ këtë udhë
pëllumbardhi m’tha:
engjulli ishte princesha jonë.
Mbaje mend se që të tha:
mos e vritni vetveten
t’ma shkatërroni folën mua.
Një valë lumi ma nxori gjumin.
ME PIKTURËN E ËNDRRËS

I përhumbur në shikimin e thellë,
përplasur mbi letrën e bardhë,
pikturës i dhashë një fuqi zjarri,
flokët e kaçurreles era sikur i mori.
Të kuqet faqe si mollëza,
sytë e zinj të saj
n’ portret e buzëqeshur m’ dilte.
Djersët e ballit ia përfytyroja n ‘pikturë,
fshehur m’ iknin lot n’ mjekër
lapsi më ligështohej tek tëmbla buzë,
heshtjen ma theu fuqia e dorës së saj.
Buzëve mos u shto shumë ngjyrë t ‘kuqe,
hedhe fuqinë e zemrës tek zemra ime,
duart vejë mbi gjoksin tim, si princ
poshtë pikturës le të ecë lumi Drin.
Era ma mori fletën e bardhë,
u zgjova duke e kërkuar pikturën,
mantelbardhi zgjohu më tha,
ma fshiu lotin në gushë.
Isha me pikturën e ëndrrës,
mes rrezeve të mëngjesit
hyri e buzëqeshur princesha ime!