Qemal Stafa dhe shëmbulli i të tjerëve si ai që duhet të bëjë me turp “feudalët” shqiptarë të kohëve të reja

Nga Pëllumb Xhufi

5 Maji, dita e Dëshmorëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, nuk është një datë thjesht konvencionale, e njohur si “Dita e Dëshmorëve të Atdheut”. Është dita kur në betejë me fashistët e milicët e qeverisë kuislinge u vra Qemal Stafa, Hero i Popullit.

Qemal Stafa ishte mishërimi më sublim i luftëtarit antifashist shqiptar. Ishte djalosh i ri, as 22 vjeç kur ra theror për lirinë e atdheut. Të rinj si ai ishin djemtë e vajzat që mbushën radhët e njësiteve guerile e më tej, të formacioneve partizane.

Qemali ishte i ri, por pesha e rëndë e përgjegjësive historike që binin mbi shpatullat e tij e të mbarë rinisë shqiptare, e kishin pjekur para kohe dhe e kishin bërë të dukej një burrë në moshë, të rëndë e serioz.

Qemali ishte një intelektual i formuar, edhe pse ende student. Kishte shkruar artikuj, tregime, skica e poezi, ku shquhet shqetësimi e pasioni qytetar për temën sociale e atë kombëtare. Ishte fort mirë i ndërgjegjshëm për vonesën historike të shoqërisë shqiptare dhe bënte përgjegjëse për këtë elitën e vjetër, të korruptuar, antipopullore e antikombëtare.

Qemali ishte një student i ri qytetar, idealist e vizionar, që hoqi dorë nga rinia e tij dhe në çastet më të vështira të atdheut, iu përkushtua luftës për çlirimin e tij nga pushtuesit fashistë. Ai e shokët e tij të idealit, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi, Margarita e Kristaq Tutulani, Shyqyri Ishmi, Tom Kola, Shejnaze Juka, Nazmi Rushiti, Xhoxhi Martini e plot shoqe e shokë të tjerë, të rinj studentë si ai, me çmimin e sakrificës së tyre sublime e tronditën ndërgjegjen e përgjumur të shqiptarëve, duke u treguar atyre rrugën e vetme të nderit e të dinjitetit: atë të luftës pa kompromis kundër pushtuesit fashist.

Këta heronj të orëve të para, ajka e rinisë shqiptare, me shembullin e tyre tërhoqën në luftën për liri gjithë brezin e ri, të qytetit e të fshatit. Para disa vjetësh, një nga drejtuesit e “Ballit Kombëtar”, Sejfi Protopapa, gjithsesi një shqiptar i mirë, me moral e integritet, e ka përshkruar me një frazë të vetme raportin e forcave të krijuar në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore. “Partia Komuniste”, thotë ai, “e fitoi betejën me Ballin Kombëtar qysh nga momenti që tërhoqi në gjirin e saj rininë e shkolluar e patriote të qyteteve”.

Ata djem e vajza, që braktisën jetën e lehtë të piknikeve e të klubeve që u ofronte pushtuesi dhe qeveritë kuislinge, që iu kushtuan jetës së vështirë e plot rreziqe të ilegalitetit, që u arrestuan, u torturuan u vranë e u ekzekutuan në burgjet e fashizmit, në rrugët e sheshet e Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Korçës, Elbasanit e Gjirokastrës, ata të rinj heronj shokë të Qemal Stafës, e përmbysën sensin e historisë, të një historie të plogësht, që hiqej zvarrë prej shekujsh dhe që i kishte lënë shqiptarët peng të shtypjes, të varfërisë e të veseve të tyre.

Për herë të parë në historinë shqiptare u braktisën “baballarët e kombit”, paria turkoshake e bejlerëve dhe e bajraktarëve apo politikanët e korruptuar “të 100 flamujve”, që i shisnin interesat e vendit në klubet, në sallonet apo në zyrat e fashos.

Drejtimin e betejave kombëtare e morën në dorë të rinjtë me ide progresiste, komunistë e jo komunistë, por që të gjithë antifashistë. Në atë kohë lufte, kriteri i së drejtës, i së moralshmes dhe i kombëtares ishte një e vetëm një: antifashizmi.

Nëse Shqipëria pas lufte do të ishte komuniste, kapitaliste, liberale, konservatore, republikane apo monarkiste, kjo në vitin 1939, 1941 apo 1943 nuk ishte në axhendën e ditës, ishte një bisedë që i përkiste të ardhmes.  Prioritetin absolut të antifashizmit si imperativ të kohës, e shpalli as më shumë e as më pak se Winston Churchill në fjalimin e tij të 22 qershorit 1941 në Dhomë e Komuneve, fjalim që shënon lindjen e aleancës së madhe anglo-sovjeto-amerikane.

Kjo e sotmja”, tha ai mes të tjerash, “është një luftë për jetë a vdekje me fuqitë e Boshtit. Ndaj, kush rreshtohet me ne në këtë luftë, është aleati ynë, kush rreshtohet me armikun, është armiku ynë”.

Ndryshe nga ç’ndodhi në vendet e tjera të pushtuara nga Italia fashiste e Gjermania naziste, në Shqipëri e vetmja forcë politike dhe e vetmja organizatë që e bëri të vetën programin e luftës pa kompromis kundër okupatorëve nazi-fashistë, ishin PK dhe FANÇ.

Këtë fakt e nënvizonin vazhdimisht edhe anëtarët e misionit ushtarak britanik në Shqipëri, edhe pse Churchilli dhe MPJ britanike, nga mesi i vitit 1943, kur fatet e luftës tashmë dukeshin të vendosura, filluan të vinin në zbatim agjendën e pas-luftës, që synonte mënjanimin e forcave të majta dhe katapultimin e forcave të djathta në pushtet.

Dhe kjo, pavarësisht se në disa vende, dhe vendi më tipik ishte Shqipëria, forcat e djathta, të ashtuquajtura “nacionaliste” e “antikomuniste”, kishin bashkëpunuar hapur me gjermanët. Atë kohë për këtë çështje lindi edhe një konflikt midis amerikanëve e britanikëve, dhe midis vetë ushtarakëve e politikanëve britanikë. Këta, me kryeministrin Churchill e ministrin e jashtëm Eden,  i kritikonin të parët që insistonin të mbështeteshin me armë vetëm forcat e FNÇ, të vetmet që përlesheshin me gjermanët.

Këtë situatë të dyzuar brenda vetë administratës britanike, e ilustron raport i majorit Bill Tilman, i 10 majit 1944: “…Politika jonë për të mbështetur LNÇ”, i përgjigjej ai kritikave që vinin nga Londra, “ ështe e ndershme dhe e drejtë, pasi Fronti është e vetmja palë në Shqipëri që ka po ato objektiva luftarake si edhe tonat dhe që është i  gatshëm për të bërë sakrifica për arritjen e objektivave në fjalë”.

Më tej, në mënyrë sintetike, majori Tilman rreshton disa karakteristika, që sipas tij i jepnin FNÇ një epërsi morale të padiskutueshme, si organizatë mbarëkombëtare. “Ndryshe nga BK e Legaliteti”, raportonte ai, “Fronti Nac. Çl. nuk është një grumbull krerësh fisnorë ose feudalë me pasues personalë, por një forcë e organizuar, që përfaqëson të dy besimet fetare, te dy ndarjet krahinore dhe të paktën 75% të popullsisë në Shqipërinë e Jugut e të Mesme”.

Me mjaft mprehtësi, Tilman kap këtu një nga problemet më akute që u shfaq në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore, atë të ndarjes midis Veriut e Jugut, që është kthyer edhe sot në një fantazmë që helmon marrëdhëniet mes shqiptarëve.

Gjatë Luftës, ideologjinë e përçarjes Veri-Jug e mbollën pikërisht përfaqësuesit e qeverive kuislinge e të ashtuquajturit “krerë nacionalistë”, dhe nuk përbën një çudi fakti, që në këta vitet e fundit përçues të kësaj ideologjie vrastare janë bërë pinjollët gjenetikë të kuislingëve e kolaboracionistëve të djeshëm.

Në kujtimet e tij, oficeri britanik Julian Amery tregon, se si në ditët e fundit të luftës, ndërsa bëhej gati të linte atdheun, Abaz Kupi i kishte thënë atij: “Për njëmijë vjet ne Gegët kemi sunduar mbi Toskët dhe tani, me sa duket, ka ardhur radha e tyre të sundojnë mbi ne”. Për Abaz Kupin, pra, Lufta II Botërore në Shqipëri nuk paskësh qenë gjë tjetër, veç një kacafytje mes Veriut e Jugut!

Ky koncept antirilindas dhe antishqiptar, që faktorizonte armiqësinë mes Veriut e Jugut në një moment kur vendi ishte i pushtuar nga gjermanët, kishte qenë artikuluar qysh herët në nivelin e një platforme ideologjike nga kuislingu Mustafa Kruja. Në vitet 1920, Sejfi Vllamasi e akuzonte Mustafa Krujën si “teoricienin e flaktë të filozofisë idiote të luftës mes Gegëve e Toskëve”.

Me pushtimin fashist e më tej nazist të Shqipërisë, Mustafa Kruja e kuislingët e tjerë shqiptarë urdhëruan krijimin e dërgimin në Jug të forcave mercenare nga Dibra, Kosova për t’u përgjakur me “bishat nga Toskëria e largët”, siç shprehej plot mllef Mustafa Kruja.

E pra, një njohje edhe e përciptë e historisë së LANÇ dhe e forcave pjesëmarrëse në të, do bindte gjithkënd për karakterin kombëtar të asaj lufte, që në një moment kritik për kombin, risolli frymën e viteve të Rilindjes, kur Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi i drejtoheshin njeri tjetrit me fjalët “i dashur vëlla”, “biri im” e “i dashur at”.

Për luftëtarët antifashistë Shqipëria ishte një atdhe i vetëm, njëlloj e dashur dhe e shtrenjtë në çdo cep e centimetër të saj. Të tillë e mendonte atë vlonjati Perlat Rexhepi, që ra në luftë me fashistë e milicë në Shkodër. Të tillë e mendonte edhe heroi kosovar Xheladin Beqiri, që populli i Labërisë e bëri birin e vet, Gjok Doçi nga Lura, që mbeti i vrarë në betejë me nazistët në Mallakastër, apo Kajo Karafili, që lindi në Pogradec e ra theror në Kavajë.

Shëmbulli i tyre duhet të bëjë me turp “feudalët” shqiptarë të kohëve të reja, të cilët veç mëkateve të tjera, kanë mbi supe edhe atë të përpjekjes për ta parcelizuar Shqipërinë në ngastra të vogla, të ndara nga armiqësi e urrejtje që ata vetë i kanë mbjellë për të siguruar pushtetin e tyre (nga gazeta “Levizja”).