Ekzaltimi me kryeministrat shqiptarë

Nga Xh. Gjini

Ballkani me tre kryeministra shqiptarë

Zgjedhja e Dritan Abazit Kryeministër i Malit të Zi ka ekzaltuar një pjesë të bashkëkombësve tanë… Nuk janë pak ata që zgjedhjen e tij e kanë quajtur “historike”. Te tjere, si Kryeministri Edi Rama, thonë se “nuk do të mund t’i shkonte mendja kujt që do t’i kishim tre kryeministra shqiptarë në Iliri (Ballkan)”, etj. Lajme, shkrime, komente, vështrime ekzaltuese gjithandej mediave e rrjeteve sociale…

Pak kush prej bashkëkombësve tanë ndalet e shikon dhe mendon për anën tjetër të medaljes dhe për atë gjendjen dhe pozitën e kombit dhe të Shqipërisë sonë të copëtuar që shpreh numri i 3 kryeministrave shqiptarë. Populli shqiptar i ka dhënë shumë perandorë Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine, shumë kryeministra e pashallarë Perandorisë Otomane, kryeministra, gjeneralë e kryetarë shtetit helen dhe një kryetar federatës pushtuese jugoserbe, por pak burrështetas për Atdheun e tyre, Shqipërinë! Populli shqiptar ka dhënë gjithmonë ushtarë, luftëtarë, mercenarë e strategë për perandori e shtete të huaja, por shumëherë më pak për lirinë e Atdheut të tij dhe për shtetin e tij – bashkimin e Shqipërisë së tyre në një shtet! Prandaj, shqiptarët nuk duhet t’i gëzohen faktit që sot kanë 3 kryeministra shqiptarë, sepse kjo tregon faktin e dhimbshëm e tragjik të copëtimit të Atdheut të tyre, Shqipërisë… Fakti që kemi tre kryeministra shqiptarë (mund të bëhen edhe katër…) do të duhejë t’i ndërgjegjësonte shqiptarët për pozitën e Atdheut dhe të kombit të tyre në Iliri dhe në Evropë… Përpjekjet, zotimet dhe betejat e popullit shqiptar (pjesa atdhetare) gjatë gjithë shekujve të robërisë janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen për një Shqipëri, një Flamur, një Shtet, një Kryetar e një Kryeministër… Atëherë dhe vetëm atëherë shqiptarët me të drejtë do të ndjeheshin krenarë, të nderuar nga fqinjët e nga bota dhe me mundësi të mëdha zhvillimi e përparimi…