Nga Berat Luzha
Sapo të kaloni Vlorën në udhën drejt jugut, drejt Orikut, ju kaloni nëpër bregdetin e fshatit Radhimë, njërin nga destinimet kryesore turistike në Gjiun e Vlorës në fund të Adriatikut. Radhima është një fshat i Bashkisë Orikum, rrethi i Vlorës, që gjendet mes qyteteve Orik e Vlorë, pothuaj i bashkangjitur me qytetin e Vlorës. E shohim në shpatin e malit të Lungarës, 10 km në jug të Vlorës dhe 6 km në veri të Orikut.
Ky fshat i Labërisë është i vendosur në një kodër dominuese mbi Detin Adriatik. Fshati sot paraqitet në dy pjesë apo në dy pamje krejtësisht të kundërta, pjesën rreth detit, që është në zhvillim e sipër dhe pjesën e vjetër lart në kodër, pothuaj i tëri i braktisur.
Në fshatin Radhimë janë zbuluar varre të hershme, me të cilat vërtetohet se kemi një vendbanim të periudhës antike të vjetërsisë mbi 2000-vjeçare, që nga shek. III – II p.e.r. Emri Radhimë është i shënuar për herë të parë në një hartë të vitit 1118. Pas vdekjes së Skënderbeut në Radhimë janë vendosur shqiptarët e ikur nga vatrat e tyre para se të emigronin në jugun e Italisë. Mirëpo, një pjesë e tyre mbetën përgjithmonë të jetojnë aty. Gjatë Perandorisë Osmane Radhima ishte pjesë e Vilajetit të Kaninës dhe Sanxhakut të Vlorës. Deri në vitin 1975 kishte 80 familje e më vonë erdhën edhe shumë të tjera nga anë të ndryshme. Kështu, fshati i vjetër në kodër, në kuotën 150 – 180 metra mbi nivelin e detit dhe 1100 metra larg detit, u zgjerua ngadalë duke zbritur drejt bregut të detit, ku u hapën objekte të shumta hoteliere e turistike. Sot Radhima ka rreth 250 shtëpi me 1000 banorë.
Fshati Radhimë ka klimë mesdhetare, ka dimra të butë e verëra të freskëta me diell, me gjelbërim tërëvjetor. Banorët e fshatit, duke pasur klimë e pozitë të mirë gjeografike, janë marrë me bujqësi e blegtori; me kultivimin e ullirit, vreshtarinë, bërjen e shajakut etj. Sot Radhima përmendet për prodhimin e agrumeve e të ullirit, për vreshtari e turizëm. Interesant është se, edhe pse ndodhet pranë detit, nuk është marrë me peshkim.
Radhima ka bregdet të gjatë 7.5 km. Përgjatë tërë bregdetit përshkon rruga nacionale Vlorë – Orik – Sarandë, një rrugë panoramike me qarkullim të dendur, sidomos gjatë sezonit turistik. Në këtë segment, që nga Tuneli në Ujin e Ftohtë e deri në Marinën e Orikut është transformuar rruga, duke u zgjeruar edhe me shëtitore në bregun e detit dhe me korsi për biçikleta. Sivjet përgjat vijës bregdetare po realizohet pjesa e fundit e “Lungomare 3”, në relacionin Radhimë – Orik, që është projekt i rëndësisë së veçantë, me të cilin do të bëhet transformim urban, ekonomik e social i bregut të detit, që nga Vlora në Orik.
Pas ndryshimeve politike të vitit 1990, fshati zbriti në shpatin e malit drejt bregut të detit me ndërtime hoteliere e turistike. Gjatë verës tërë bregdeti i Radhimës pushtohet nga pushues që vijnë nga anë të ndryshme të vendit e nga jashtë tij.
Sipas shkrimtarit të njohur, Odhise Grillo, të parët e Jeronim De Radës janë shpërngulur në Itali nga Radhima. Ngjarjet, gjatë rezistencës ndaj pushtuesve osmanë, të paraqitura te “Këngët e Milosaos”, janë vendosur në këtë fshat rreth vitit 1420. Sot fshati Radhimë e bartë zyrtarisht emblemën e familjes së Radajve, që ishte e gdhendur në portën e shtëpisë së tyre në Maki, Kalabri.
Edhe pse në bregdet e me perspektivë të mirë ekonomike, braktisja e fshatit dhe emigrimi ka vazhduar pandërprerë, duke bërë që fshati i vjetër i Radhimës të zbrazet nga popullsia e saj. Rreth 70 për qind e banorëve të fshatit të vjetër janë larguar përgjithmonë drejt vendeve tjera. Këtë gjendje e kanë shkaktuar mungesa e perspektivës për jetesë, papunësia, infrastruktura e dobët, mungesa e ujit të pijshëm etj. Në fshatin e vjetër shumica e shtëpive janë të vjetra dhe të braktisura, ku kanë mbetur të jetojnë banorë të paktë, kryesisht persona të moshuar. Këtë fakt më së miri e ilustron shkolla 9-vjeçare e Radhimës, e cila para dy – tri viteve është mbyllur shkaku i rënies së numrit të nxënësve. Tash mbi 20 nxënës të fshatit detyrohen të udhëtojnë rreth 8 km deri në Orik, duke hasur probleme e vështirësi të mëdha gjatë udhëtimit të tyre.
Fshati i Radhimës, me ajër të pastër dhe klimë të butë, paraqet një panoramë të bukur mbi detin. Qëndron si një ballkon mbi Gjirin e Vlorës, që nga Oriku, Gadishulli i Karaburunit dhe Ishulli i Sazanit. Radhima, me plazhet e bukura mes rërës e shkëmbinjve sot është një qendër e rëndësishme turistike. Territori i saj është i pasur, pos me bukuri natyrore, edhe me vlera historike e arkeologjike. Duke qenë pjesë e Gjirit të Vlorës, Radhima ka ujëra të qeta dhe një atmosferë të përshtatshme për pushim, ka qetësi të dëshirueshme mes detit e kodrave të gjelbëruara. Aty, në një vend kemi detin dhe diellin, kodrën dhe malin, plazhet e vogla dhe restorantet e hotelet e shumta.