RËNDËSIA E MËSIMIT TË GJUHËS AMTARE NË MËRGATË

Shkruan: Hamza Halabaku

Hamza Halabaku

Të flitet sot për rolin dhe rëndësinë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e mërgimtarëve tanë në botë mjafton të kujtohet fakti se arsimimi dhe edukimi kombëtar janë një prej çështjeve më madhore për kombin. Gjithashtu duhet kujtuar edhe faktin tjetër se sot në botë mbase më shumë ka shqiptarë ose të atillë që tash e ndejnë vetën me origjinë shqiptare se që ka në trojet tona etnike.

Organizimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe në disa mjedise të shteteve të Evropës Perëndimore gjatë tri dekadave të fundit, ndonëse i përcjellë me sfida të mëdha, pa dyshim është dëshmuar si digë e fortë kundër asimilimit të brezit të ri të bashkëkombëseve tanë. Rëndësia e këtij mësimi konsiston në faktin se deri më tash shkollën me mësim plotësues në gjuhën shqipe e ndoqën shumë breza nxënësish, të cilët u pasuruan me njohuri nga gjuha amtare, historia e gjeografia kombëtare, arti dhe kultura shqiptare në përgjithësi. Në mesin e këtyre nxënësve kishte edhe prej atyre që kanë lindur në trojet tona etnike, ishin rritur larg vendlindjes vetëm me ëndrrat për ta parë një ditë atdheun e tyre.

Çka e bën sot krenari këtë traditë të shkollës shqipe me mësim plotësues në diasporë dhe çka e dëmton imazhin e saj?

Janë për t´u çmuar lart përpjekjet e mëdha, sfidat e pareshtura, sakrificat e vetëmohimet e atyre bashkatdhetarëve tanë për formimin e shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe, e cila tashmë ka një traditë të mirë dhe mbi rrënjët e forta e të thella të saj mund të priten suksese edhe më të mëdha. është për t´u çmuar edhe kontributi i subjekteve arsimore të shteteve përkatëse dhënë shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe, të cilat krijuan parakushte të volitshme duke ofruar lokalin shkollor, mjetet mësimore, madje edhe pagesat (jo çdo ku) për kuadrin tonë arsimor.

Mësimi plotësues në gjuhën shqipe për mërgimtarët tanë është i nevojshëm aq sa edhe buka që e hanë dhe uji që e pinë. Pa këtë mësim fëmijët e tyre nuk mund të kenë të ardhme të ndritur. Sepse, nuk mjafton që fëmijët e tyre vetëm të dinë se janë shqiptarë, por ata duhet të marrin dituri nga gjuha amtare, historia e gjeografia kombëtare, arti e kultura dhe tradita jonë e begatshme. Ata nëpërmjet këtij mësimi duhet të frymëzohen me atdhedashurinë dhe të pajisen me njohuri që lehtësojnë rrugën e angazhimit të tyre për kauzën e mirëfilltë kombëtare. E të gjitha këto edhe po të duan e dinë nuk mund t´ua ofrojnë fëmijëve vetëm prindërit pa arsimtarin që ka këtë mision dhe pa tubimin e nxënësve në klasën e mësimit. Sepse, vetë tubimi i nxënësve në një klasë ku flitet e mësohet shqipe ka atë magjepsin e vet, nxit tek nxënësi ndjenjën e atdhedashurisë e të afrimit ndërmjet tyre, si dhe shton oreksin për njohuri sa më të shumta nga kultura, trashëgimia dhe geni shqiptar, komponente këto që kanë siguruar mbijetesën tonë si popull e si komb nëpër vorbullat e ndryshme të qindvjeçarëve.

Mirëpo, prindërit nuk mund të pohojnë se e kanë kryer detyrën dhe obligimin e tyre moral e kombëtar vetëm me dërgimin e fëmijëve të vet në shkollën shqipe të mësimit plotësues po qe se nuk i kushtojnë kujdes më të madh punës edhe në familje së paku për përvetësimin e asaj që mësohet në shkollë. Sepse, kontakti i fëmijës vetëm një herë në javë me arsimtarin shqiptar dhe me mësimin shqip është i pamjaftueshëm për t´u arritur qëllimi që synohet dhe rrezikon që nxënësi ta humb interesimin. Pra, këtu ka rëndësi të madhe trekëndëshi: prindi – nxënësi – arsimtari. 

Është i gabueshëm botëkuptimi i disa prindërve se në mërgim janë përkohësisht dhe nuk i kushtojnë rëndësi të duhur gjuhës amtare me motivacion se së shpejti do të kthehen në atdhe dhe fëmijët e tyre do të kenë mundësi të mësojnë mjaft. Mirëpo, praktika ka dëshmuar se ajo përkohësi  në mërgim ka zgjatur me dekada dhe pasojat për fëmijët e tyre kanë qenë shumë të mëdha. Më ka rënë të takoj fëmijë në familjet shqiptare që dinë të komunikojnë vetëm në gjuhën e huaj (gjermane), ose fëmijë që gjuhën shqipe e flasin të përgjysmuar, me barbarizma të shumta nga gjuha në të cilën ndjekin mësimin e rregullt. Te grupacioni i dytë kam vërejtur më shumë shqetësimin shpirtëror të fëmijëve pse nuk mund ta flasin mirë e rrjedhshëm gjuhën e vet amtare. Ky shqetësim pa dyshim se trondit thellë dhe dëshpëron pa masë secilin njeri të arsyeshëm.

A duhet t´i japin llogari dikujt prindërit e këtyre fëmijëve ?! Sigurisht se po. Në radhë të parë ndërgjegjes së vet. Me fëmijën nuk bën të luhet. Çdo gjë e ka një kufi.

Themelet e shëndosha hidhen herët!

            Shkalla e zhvillimit dhe e forcimit të kulturës kombëtare është treguesi më i mirë dhe i mirëfilltë për ecjen ose ngecjen e një populli drejt qytetërimit që synon të arrijë secili popull. është shumë i gabueshëm dhe fatal botëkuptimi i disa prindërve se fëmijët e tyre më lehtë do të integrohen në shtetin ku jetojnë dhe në qytetërimin evropian duke mësuar vetëm në shkollat e rregullta të atyre shteteve dhe duke mos ruajtur asgjë nga kultura, trashëgimia e geni shqiptar! është i mjerë ai prind që mendon se fëmija i tij mund të integrohet e afirmohet më shpejt në qytetërimin bashkëkohor duke lënë peng identitetin e vet. Nesër ai prind, pa dyshim, do të akuzohet pikërisht nga fëmija i vet, i cili me kalimin e kohës do ta ndiej në shpirt zhveshjen e komponentës kombëtare dhe shpirti i tij do të jetë i zhuritur për (mos) identitetin e tij kombëtar. Po kështu janë në lajthitje edhe ata prindër që fëmijët e vet nuk i dërgojnë në shkollën shqipe me arsyetimin se një herë në javë nuk mund të arrihet shumë dhe se kjo vetëm sa mund t´ua ngatërrojë fëmijëve mësimin në shkollat e rregullta. Ata prindër duhet ta dinë se edhe punët e vogla, në shikim të parë, nesër japin rezultate të mëdha, sikurse që edhe ngecjet e vogla nesër mund t´i kenë pasojat e paparashikueshme. Prandaj, është për çdo gjykim fakti se në shumë raste vetë prindërit bëhen pengesë dhe ua mohojnë fëmijëve të tyre mësimin shqip duke bërë një krim shumë të madh në cenimin e të drejtës njerëzore dhe etike të fëmijëve për të mësuar gjuhën e vet amtare.

Brengos fakti se krahas këtyre prindërve arsimin shqip në diasporë nganjëherë e atakoi edhe faktori politik shqiptar i përçarë duke e anashkaluar ose duke tentuar ta përdorë për marketing politik të një grupimi politik a klanor. Ky atakim shpeshherë u bë në mënyra e forma aq të sofistikuara  sa vështirë është të mendohet se këtu nuk ishte dora e zgjatur e armiqve tanë shekullor. Bazë për këtë dyshim mund të merret edhe fakti se gjatë dy dekadave të fundit, të shekullit të kaluar, një makineri e tërë shtetërore serbe ishte ngritur kundër shkollës shqipe në Kosovë, ndërsa punëtorët arsimorë u bënë heronj të vërtetë. Së këndejmi shtrohet si nevojë e domosdoshme që organizimi i mërgatës shqiptare të bëhet në baza kombëtare e jo politike. Organizimi mbi këtë bazë do të nxirrte në pah një potencial më të madh intelektual e kombëtar, i cili do të kontribuonte të shtohet interesimi i mërgimtarëve tanë që fëmijët e tyre krahas shkollimit të rregullt në gjuhën e shtetit ku jetojnë, ta vijojnë edhe mësimin plotësues në shkollën shqipe. Ky organizim do të mund të intensifikojë edhe më shumë punën me rininë shqiptare në aktivitete të ndryshme kulturore-argëtuese dhe sportive pa ndasi politike. Kjo do të kishte rëndësi të shumëfishtë për ruajtjen dhe kultivimin e atyre vlerave pozitive të traditës tonë kombëtare, të cilat janë të bollshme edhe për t´u krenuar para të tjerëve. Nga ana tjetër puna më me përkushtim me rininë shqiptare do të ndikonte që të rinjtë të shmangen nga ato gjëra që do t´ishin turp i madh për ne. Kështu do t´i kontribuohej përmirësimit të imazhit nganjëherë të vrarë tek të huajt.

Ja edhe diçka nga thesari shqiptar për gjuhën!

                                 „GJUHA RUHET ATY KU SHKRUHET“ (Popullore)

THEMELET E SHËNDOSHA HIDHEN HERET!

Arsimimi dhe edukimi kombëtar janë një prej çështjeve më madhore për kombin!

Arsimi është at i Atdheut !

„Mësojini fëmijët tuaj të dinë më shumë se ju, se ata janë për një kohë më tej nga koha juaj“ – Naim Frashri