Nga Mimoza Hysa

Romani “Të poshtëruarit: Të jetosh në epokën e ekstremeve”, i Lea Ypit i përgjigjet kulturës së poshtërimit në rrjete sociale jo me zhurmë, por me stil; jo me kundërfyerje, por me lartësim. Ky libër rikthen dinjitetin e një figure dhe, në mënyrë të padukshme, edhe dinjitetin tonë si lexues: na fton të mos ia heqim tullën nën këmbë tjetrit, por t’i vendosim një tjetër poshtë kur e meriton të ngjitet.
Nëse poshtërimi është virusi i epokës digjitale, ky libër është vaksinë estetike: kujtesë, vetëpërmbajtje, humanitet.
Dhe mësimi i fundit, i thjeshtë, por më i vështirë: dinjiteti është një zgjedhje e përditshme, në jetën që bëjmë, në fjalët që themi, në gjurmën që lemë pas për t’u mbajtur mend.
Titulli si kompromis gjuhësor, kuptimor dhe kulturor
Titulli është gjithmonë porta e parë që hap një libër. Dhe jo rastësisht, tek Lea Ypi kjo portë ndryshon kur kalojmë nga anglishtja në shqip, si në librin e parë ashtu edhe në të dytin. Këtë e vërej edhe për shkak të “deformimit” tim profesional: si përkthyese e kam të vështirë të lexoj një vepër të shkruar në dy gjuhë pa e menduar menjëherë në termat e përkthimit. Në fakt, këtu nuk kemi të bëjmë mirëfilli me një përkthim, por me një shkrim, apo rishkrim, në dy gjuhë nga e njëjta autore. Pikërisht për këtë arsye, ndryshimi i titullit bëhet edhe më domethënës: afërmendsh që një autore me formim të thellë filozofik nuk i lë vend rastësisë, çdo zgjedhje është e situr mirë.
Libri i dytë i Lea Ypit titullohet në anglisht: “Indignity: A Life Reimagined”. Në shqip, më natyrshëm dhe më saktë, do të tingëllonte: “Poshtërim: Një jetë e rikrijuar”. Në anglisht, titulli është i thjeshtë dhe konceptual: Indignity: poshtërim, përdhosje; A Life Reimagined: një jetë e rikrijuar, e rindërtuar, e ripërfytyruar. Është një lakonizëm tipik i anglishtes letrare bashkëkohore, ku një fjalë e vetme bart një ngarkesë filozofike dhe ku nëntitulli udhëzon drejt përmbajtjes. Për lexuesin perëndimor kjo mjafton: duket si një premtim reflektimi mbi dinjitetin e humbur, mbi jetën e rindërtuar apo rikrijuar të një personazhi nga fragmentet e kujtesës dhe dokumenteve arkivore. Ndërsa në shqip titulli është zgjeruar ndjeshëm: “Të poshtëruarit: Të jetosh në epokën e ekstremeve”. Nuk kemi më vetëm një kalim nga njëjës në shumës, por një zhvendosje thelbësore nga abstraksioni në konkretizim. Indignity është një emër abstrakt, që emërton një koncept e shenjon një gjendje, një emërtim i patrupëzuar.

Të poshtëruarit, përkundrazi, është një etiketim: jo më një gjendje, por njerëz të gjallë që mbajnë damkën e poshtërimit. Fjalës i jepet trup, sy, fytyrë. Titulli në shqip nuk rri më në rrafshin filozofik, por të drejton menjëherë drejt përvojës konkrete, drejt atyre që e kanë provuar historinë në kurriz. Konkretizimi duket si një akt i qëllimshëm qartësimi, një mënyrë për t’ia bërë lexuesit vendas dramën më të prekshme e më të afërt. Zgjedhja lidhet ndoshta edhe me pritshmërinë e lexuesit shqiptar. Një titull i shkurtër e abstrakt si: Poshtërim ose Përdhosje do të tingëllonte me gjasa i ftohtë, disi i padepërtueshëm që në nisje. Një titull i zgjeruar, që lidhet drejtpërdrejt me historinë kombëtare, ngjan më komunikues, më shpjegues. Është një dritare që hapet menjëherë mbi panoramën e epokës, pa lënë vend për dykuptueshmëri. Ndërhyrja vërehet edhe më dukshëm te nëntitulli: në anglisht shpjegon konceptin e kryetitullit, ndërsa në shqip ndjen nevojën ta vendosë jetën personale në një kornizë historike, në “epokën e ekstremeve”.
Ky titull më i gjatë e më shpjegues në shqip, përtej ndryshimeve gjuhësore apo zgjedhjeve editoriale, hamendësoj se lidhet edhe me rrethanat nga të cilat ka lindur vetë romani. Shkëndija e parë qe një akt fyerjeje publike në shqip: një fotografi e gjyshes së autores, e shpërndarë në rrjetet sociale dhe e shoqëruar me akuza politike. Poshtërimi, pra, nuk erdhi nga jashtë, por nga bashkëkombësit e saj. Pikërisht për këtë arsye, kur Ypi ia drejton librin lexuesit shqiptar, ajo ndjen nevojën të jetë më e qartë, më e drejtpërdrejtë: jo thjesht histori personale e një gruaje, por dëshmi e një epoke ekstremesh, ku breza të tërë kanë përjetuar poshtërimin. Kështu, titulli në shqip kthehet në një gjest të vetëdijshëm komunikimi: një mesazh i hapur se ky libër nuk është vetëm për gjyshen e saj; por është për të gjithë ata që kanë mbajtur dhe mbajnë mbi vete këtë peshë, këtë baltë që shpesh hidhet dendur, vend e pa vend, në zullumtinë e rrjeteve sociale.
Nga këndvështrimi i përkthimit, ky mund të quhet një rast tipik kompromisi: humbet eleganca e lakonizmit të origjinalit, por fitohet më shumë qartësi dhe një hapësirë më universale. Në anglisht romani duket si reflektim mbi dinjitetin, në shqip bëhet dëshmi për poshtërimin kolektiv. Zgjerimi kuptimor këtu nuk është thjesht gjuhësor: është politik, moral dhe emocional.