RRËNJËT NUK THAHEN

Shkruan: Sylejman Qyqalla

Libri Rrënjët nuk thahen”

Kur vargjet ngjizen e shkrihet me brum popullor,  patjetër që poezia del e arrirë, madje e këndshme, si një bukë sapo e dalë nga furra. I tillë është poeti, Mustafë Krasniqi, që tërë krijimtarinë e tij e brumosi me taban popullor. Ai, si një krijues shumë energjik, udhërrëfyes, gjithnjë e ka zërin e popullit, djersën, gjakun, idealin e tij për liri e përparim kombëtar.

 Poeti, Mustafë Krasniqi, përgjatë vargjeve të tij, na shfaqet me një gjuhë të bukur, të thjeshtë e të kuptueshme, për të gjitha moshat e për të gjitha nivelet sociale, ku shquhet për një alegori të mprehtë, që të rrëmben e të fut në një botë magjike të ëndrrave të poetit për një botë më të bukur, për një Atdhe të përparuar, duke i marrë si protagonistë luftëtarët e lirisë të të gjithë brezave, duke e lidhur deri në Luftën e fundit të Kosovës.

 Poeti, Mustafë Krasniqi, është autor i shumë veprave (vëllime poezish, antologji, intervista), por është dhe përfaqësues i shumë aktiviteteve kulturore-arsimore, ndërsa kësaj radhe na shfaqet me vëllimin me poezi “RRËNJËT NUK THAHEN“, ku autori na dhuron tabllo nga katër diapazone: atdhedashuri-histori-dashurinë bashkëshortore-moralin njerëzor, ku, përmes personifikimit të figurave, na jep mësim se si duhet të jemi si njerëz, si atdhetarë e në familje, ku poeti, për bërthamë lëshon zërin deri në kupë të qiellit me: “Koha po na vret”, “Mbytja e ëndrrës”, “Brezi që po humb udhë”-si brenga të kësaj kohe të prapët, ku qenia njerëzore dhe kombëtare u tjetërsuan tmerrësisht! Prandaj, poetin e trazon kjo gjendje dhe, përmes vargut troket pa pushim, si një kambanë.