Rusia putiniste po tronditë themelet e rendit dhe të paqes botërore

Nga Xhevat Gjini

Popujt e vegjël e të copëtuar, si populli shqiptar dhe shtetet e tyre të vogla, nuk duhet të përkunden në ëndrrat e tyre të një mbrojtjeje dhe sigurie të “huazuar”… Por, duhet të mos i zërë gjumi, të kenë mendjen dhe të “shtrëngojnë rripin” fort e më fortë në këtë kohë tronditjeje e pasigurie globale. Sot, asnjë luftë nuk duhet konsideruar larg pragut të shtetit ose shteteve tona… Tirana (sidomos) e Prishtina zyrtare nuk do të duhej të bënin gjumë e të “shlodheshin” me konfrontime e budallallëqe të brendshme shterpe, duke shpenzuar energjitë e kombit e duke shthurur kohezionin kombëtar!…

Rrethimi rus, me mbi 180 000 ushtarë dhe me mjetet e armët shkatërruese, kulmoi me agresion në kufijtë dhe tokën e Ukrainës. Me sulmin ushtarak ndaj Ukrainës Rusia putiniste po trondit themelet e rendit botëror dhe po kërcënon paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e botës.

Lufta Rusi – Ukrainë është prova më e mirë se shtetet nuk konfrontohen e nuk luftojnë për arsye ideologjike, fetare e kulturore, por për arsye ekonomike, gjeopolitike e territoriale. Ukraina dhe Rusia kanë sistem të njëjtë ekonomik (ekonomi kapitaliste), kanë të njëjtën fe – religjion dhe i takojnë familjes së popujve sllavë… e, megjithatë, jo vetëm nuk merren vesh, sepse Rusia nuk dëshiron marrëveshje, por do të luftojnë për jetë a vdekje!

Nuk është rasti i parë që provon se kapitalizmi është i pashpirt, në natyrën e tij është i egër dhe vrastar… Kapitalizmi është armiku më i madh i natyrës dhe kërcënimi më i madh i jetës në tokë. Shtypja, shfrytëzimi, pabarazia, pangopësia, konflikti dhe lufta janë në natyrën e tij. Rusia putiniste nuk është më socialiste. Megjithatë,  mosmarrëveshjet, konfliktet dhe krizat deri në luftë të armatosur janë shpeshtuar. Rusia e sotme kapitaliste po kërkon t’i rikthejë vendet dhe rajonet e ndikimit të saj të dikurshëm… T’i rikthejë republikat dhe rajonet që kishte “humbur” pas shpërbërjes së BRSS – së. Rusia putiniste po këmbëngul ta rikthejë pozitën e humbur prej superfuqie, që kishte dikur. Dhe, për ta rifituar statusin e një superfuqie (xhandari) në botë, me mësymjen ushtarake ndaj Ukrainës, po tregon se është e gatshme ta rrënojë rendin dhe paqen botërore dhe ta kërcënojë e rrezikojë, si asnjëherë pas LDB, sigurinë globale…

Themelet e këtij trimërimi rus duhen kërkuar te armët e saj bërthamore dhe te fuqia e tyre shkatërruese në përmasa planetare. Rrënjët e këtij trimërimi duhen kërkuar edhe te njëfarë hezitimi dhe pavendosmërie e vendeve Perëndimore dhe e NATO -s. Vendosmëria e Perëndimit (kryesisht e SHBA – ve) dhe e NATO -s për ta mbrojtur Ukrainën (të joshur prej tyre) me të gjitha mënyrat dhe mjetet, edhe ushtarakisht, i dha zemër Putinit të Rusisë. Jo më kot e testoi ai gatishmërinë dhe vendosmërinë e Perëndimit gjatë këtyre muajve të një rrethimi të hekurt që i bëri Ukrainës dhe popullit të saj. Testime të këtilla Rusia putiniste kishte bërë edhe me aneksimin e Krimes dhe me konfliktin që “sponzorizoi” dhe ndezi më vonë në Ukrainën Lindore…

Sigurisht që Fuqitë e Mëdha, si vetë rendi i tyre kapitalist e imperialist, nuk udhëhiqen në politikat e tyre nga morali dhe nga logjika e paqes, sigurisë dhe prosperitetit të popujve e të njerëzimit përgjithësisht… Ato, për interesa të tyre ekonomike dhe gjeostrategjike e gjeopolitike (për ndarjen e botës në zona interesi e influence), edhe nxisin konflikte dhe luftëra sa në një rajon e sa në një tjetër. Për këto qëllime antihumane, por jetike për to, ato përdorin vendet e vogla – satelite sa për të nisur një “bela” që do t’u hapte rrugën për ndërhyrje e prezencë, deri ushtarake… Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ndoshta i interesonte edhe Fuqive Perëndimore për ta angazhuar Rusinë në një luftë afatgjate dhe sfilitëse për Federatën ruse… Ndoshta?!

Burim i këtyre konflikteve dhe konfrontimeve midis popujve dhe shteteve janë padrejtësitë e mëdha që kanë bërë Fuqitë e Mëdha, sidomos gjatë shek. XIX e XX me kufijtë që u kanë imponuar padrejtësisht popujve… Megaburim tjetër pakënaqësie është pabarazia e thellë ekonomike (e përmasave kriminale e gjenocidale!) midis popujve, shteteve – rajoneve dhe kontinenteve. Për “administrimin” e këtyre megapadrejtësive dhe pakënaqësive shpërthyese, Fuqitë e Mëdha nxisin e “sponzorizojnë” konflikte e luftëra të “kontrollueshme” në vende e rajone të ndryshme të botës, kudo ku ka “kushte”!…

Mirëpo, lufta në Ukrainë është e një karakteri dhe përmase tjetër… Ukraina është shkasi, por shkaku i vërtetë i luftës në Ukrainë është testimi dhe konfrontimi Rusi – NATO (SHBA). Prandaj, kjo luftë, nëse përfshihet edhe NATO -ja ose SHBA – ja nuk dihet ku, kur dhe si përfundon… Sidoqoftë, Perëndimi dhe bota duhet të jenë në anën e Ukrainës dhe t’i thotë një ndal Putinit të Rusisë sot, sepse nesër edhe mund të jetë tepër vonë…

Popujt e vegjël e të copëtuar si populli shqiptar dhe shtetet e tyre të vogla nuk duhet të përkunden në ëndërrat e tyre të një mbrojtjeje dhe sigurie të “huazuar”… Por, duhet të mos i zërë gjumi, të kenë mendjen dhe të “shtrëngojnë rripin” fort e më fortë në këtë kohë tronditjeje e pasigurie globale. Sot, asnjë luftë nuk duhet konsideruar larg pragut të shtetit ose shteteve tona… Tirana (sidomos) e Prishtina zyrtare nuk do të duhej të bënin gjumë e të “shlodheshin” me konfrontime e budallallëqe të brendshme shterpe, duke shpenzuar energjitë e kombit e duke shthurur kohezionin kombëtar!… Nga portali Gazet “Lëvizja”)