“Përkushtimi, dashuria e devotshmëria që mësueset e gjuhës shqipe tregojnë çdo ditë ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare, fryma pozitive e këtij seminari, tregoi se kontributi i mësuesve për të bërë më të mirën për ruajtjen e gjuhës fillon nga vetja.”
Nga Anila Berbei

Ditën e shtunë më 18.10.2025 mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Itali, zhvilluan përmes platformës Google Meet seminarin me temë : “Problematikat e organizimit të mësimdhënies dhe zbatimit sa më efektiv të programeve didaktike me tekstin “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” i organizuar nga znj. Anila Berberi me drejtuese znj. Aurela Konduri, mësuese e gjuhës shqipe në Greqi, njëkohësisht nënkryetare e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), edhe recensuese e paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli I”.
Me përvojën dhe njohuritë e saj të thelluara në fushën e mësimdhënies së gjuhës shqipe, znj. Konduri ofroi ndihmën dhe përvojën e saj për mënyrën e organizimit dhe të përmirësimit të planeve mësimore, të sistemimit të dokumentacionit mësimor si edhe të harmonizimit të përmbajtjes së mësimeve me nevojat reale dhe konkrete të fëmijëve shqiptarë në shërbim të cilësisë së orës së mësimit.
Ndër të tjera seminari u ndal në disa nga çështjet praktike, por edhe sfiduese që shoqërojnë procesin mësimor në kurset e gjuhës shqipe në diasporë.
Ky seminar nuk ishte vetëm një mundësi për të marrë udhëzime e këshilla, por edhe për të ndarë përvoja, shembuj praktikë duke rrahur e diskutuar bashkarisht me njëri – tjetrin ide të mira. Përvoja e çdo mësuesi është një pasuri më vete, dhe kur këto përvoja bashkohen, krijojnë një rrjet të fortë mbështetjeje që na ndihmon të përparojmë të gjithë së bashku.
Diskutimet dhe përvojat që u ndanë mes mësueseve tregojnë edhe një herë se sa e rëndësishme është të mbahet gjallë fryma e bashkëpunimit e komunikimit. Ky seminar dëshmoi se qe një hap i dobishëm drejt forcimit të rrjetit profesional të mësuesve jo vetëm në Itali, i përpjekjeve të tyre të vazhdueshme dhe të përhershme për ngritje profesionale por edhe për përmirësimin e praktikave tona të përditshme kudo mësohet gjuha shqipe,
Një falënderim i veçantë shkon për znj. Aurela Konduri, për drejtimin e sesionit, për sqarimet profesionale dhe për ndarjen e përvojës së saj të çmuar. Këshillat dhe udhëzimet e saj janë një ndihmë për të punuar më me qartësi dhe me një ndjesi më të fortë qëllimi dhe sigurie në organizimin e mësimdhënies në klasat e shqipes në diasporë.
Seminarit iu bashkuan edhe znj. Liljana Picari dhe znj. Arjana Rama, qe prej pak kohëve kanë hapur shkollën e parë shqipe në Irlandë. Sigurisht që pjesëmarrja e znj. Picari nuk ishte e rastësishte, pasi fillimet e rrugëtimit dhe të kontributit në mësimdhënie të Liljanës shkojnë shumë pas në kohë pikërisht në Itali. Edhe pse sot jeton në Irlandë gjurma e punës dhe përkushtimit të saj ndihet tek ata që e kanë njohur.
Përkushtimi, dashuria e devotshmëria që mësueset e gjuhës shqipe tregojnë çdo ditë ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare, fryma pozitive e këtij seminari, tregoi se kontributi i mësuesve për të bërë më të mirën për ruajtjen e gjuhës fillon nga vetja.