Nga Gazeta Shqiptare
Këtë fundjavë u mbajt në Selanik seminari për mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Tema e këtij viti ishte “Shkëmbim përvojash , orë praktike mësimore në shërbim të rritjes së cilësisë së mësimdhënies, kryesisht për mësuesit e Greqisë”
Në seminar morën pjesë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shqipërisa, Kosova dhe pushteti lokal në Selanik.
Ndër temat që u prezantuan me shumë interes sidomos për mësuesit e mësimit plotësues në Greqi, ishte prezantimi i studimit “ Shqipja dhe greqishtja, ndikimi te njëra tjetra, duke u nisur nga përvoja e mësimdhënies te fëmijë dygjuhësh”, studim i përgatitur nga Aurela Konduri, mësuese e gjuhës shqipe, studiuese për çështje të dygjuhësisë dhe shumëkulturës në arsim dhe në shoqëri dhe prof.as.dr. Rozana Rushiti, Pedagoge e Sintaksës, Departamenti i Gjuhësisë, Universitetit i Tiranës.
“Objekti i studimit është parë brenda dygjuhësisë së emigracionit që karakterizohet nga fakti se fëmijët dygjuhësh (tipike për fëmijët dhe moshat e reja) duhet të përballojnë jashtë mjedisit familjar, përgjithësisht, njëgjuhësh (monoling), një gjuhë të ndryshme, që nuk e flasin domosdoshmërisht prindërit e tij ose që e flasin keq. Bëhet fjalë për një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare, për fëmijët e emigrantëve ekonomikë që sot punojnë e jetojnë Greqi” shpjegoi për “Diaspora Shqiptare”, Konduri.
Qëllimi është për të kuptuar më mirë situatën e dygjuhësisë, ndikimet dhe interferencën mes dy gjuhëve: shqipes dhe greqishtes do duhet kuptuar shkalla e përvetësimit dhe e zotërimit të këtyre gjuhëve nga fëmijët shqiptarë, si dhe dhënia e disa përgjigjeve, në lidhje me pyetjet: Në ç’situata ligjërimore përdorin greqishten dhe në ç’situata shqipen?
Në ç’kushte i këmbejnë apo i alternojnë të dyja gjuhët?
Çfarë dukurish të ndërveprimit e ndikimit shfaqen në përdorimin e këmbyeshëm të dy gjuhëve?
“Për të shpjeguar këto çështje u ndalëm konkretisht në përvojat e mësimdhënies me fëmijët shqiptarë për të parë se si ndërveprojnë gjuhët që ata njohin e mësojnë. Rastet e studimit tonë u mbështeten në të dhënat nga materialet e mbledhura (detyra, ushtrime, diskutime, intervista) të fëmijëve shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe në shkollën shqipe të shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza” në Selanik, Greqi dhe nga të dhënat nga tri projekte te realizuara me ta në bashkëpunim me universitetin “Aristoteli” dhe universitetin e “Kretës”, shpjegon ajo.
Shumica e fëmijëve dygjuhësh nuk i përdorin në mënyrë të barabartë të dyja gjuhët: njëra gjuhë është më e rrjedhshme se tjetra, edhe në të folur, edhe në të shkruar, duke ndikuar te gjuha tjetër (ku si gjuhë dominante, të favorizuar jo domosdomërisht kanë shqipen, pasi si gjuhë e parë e tyre mund të jetë edhe gjuha e mjedisit, e vendit ku jetojnë, gjuha që përdorin në shkollë, pra greqishtja)
“Për fëmijët dygjuhësh, mësimi dhe përvetësimi i shqipes bëhet nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha mjeteve gjuhësore që ata kanë në repertorin e tyre, pavarësisht nga niveli i zotërimit apo mënyra se si i kanë arritur ato njohuri. Një qasje e tillë pedagogjike jo vetëm lejon, por edhe inkurajon përdorimin e dy gjuhëve në klasë,për qëllime të mësimdhënies”, shpjegon më tej Konduri.
Me rritjen dhe shkollimin te fëmijët shfaqen jo vetëm mbizotërimi i njërës gjuhë në raport me tjetrën, diferencat gjuhësore, vështirësitë në nxënie, por edhe ndikimet që luajnë te këta fëmijë sistemet gjuhësore te njërës apo tjetrës gjuhë.
Problematikat e ndikimeve mbeten dhe shfaqen kryesisht tek ata folës të shqipes, psh, te studentë shqiptarë, që e mësojnë shqipen në moshë të madhe, që nuk ndjekin kurse të gjuhës shqipe, që e njohin shqipen vetëm nga mjedisi familjar dhe nga kontaktet që kanë pasur me këtë gjuhë gjatë vizitave të tyre në Shqipëri.
“Është normale që në gjuhë të ndryshme të kemi struktura gramatikore të ndryshme. Në këtë raste ndodh që ndikimi të jetë i dukshëm, sepse struktura gramatikore të njërës gjuhë janë të ngulitura në vetëdijen e folësve. Si rrjedhim, gjatë ligjërimit folësi dygjuhësh do të ketë prirjen të përdorë modelin që ai njeh më mirë, nga gjuha dominante e tij, pavarësisht se ky nuk është modeli i saktë në ligjërimin e gjuhës tjetër. Për t’iu mësuar sa më mirë gjuhën shqipe nxënësve dygjuhësh, përparësi marrin metodat e mësimdhënies. Nëpërmjet dygjuhësisë zbulohen jo vetëm interferncat mes dy gjuhëve, por dhe aftësia e shqipes për t’u përshtatur e për t’u përballur me gjuhët në kontakt”, përfundoi ajo.