Shkruan: Isuf Ismaili – Gjithnjë e më shumë po marrim lajme të gëzuara, se po hapen dyert e shkollave në Zvicër për mësimin e gjuhës shqipe.
Në punën dhe veprimtarinë e gjatë, por të mundimshme po shfaqen gjithnjë e më shumë sukseset duke dalë në sipërfaqe: dëshira, vullneti, përpjekja dhe arritjet e mëdha të “Shkollës Shqipe”. Kështu janë duke u përfshirë sa më shumë nxënës në klasat, ku mësohet gjuha shqipe, pothuajse, në të gjithë Zvicrën.
Tanimë edhe në Lozanë, nuk ka se si të ndodhte më mirë, pasi që edhe në këtë qytet filloi puna, nisi mësimi i gjuhës amtare.
Shkollat shqipe janë vatra, ku natyrisht mësohet gjuha shqipe, por mbahet gjallë edhe qenësia e krenaria shqiptare.
Qëllimi kryesor është që të përfshihen sa më shumë nxënës shqiptarë në procesin edukativ e arsimor për ta përvetësuar sa më mirë jo vetëm gjuhën, letërsinë, por edhe historinë, gjeografinë dhe kulturën shqiptare përgjithësisht.
Në këtë vazhdë, u hap edhe në Lozanë, javën që shkoi, një klasë në gjuhën shqipe e udhëhequr nga mësuesja Anita Duriçi.
Kjo punë, ky përkushtim u kurorëzua, erdhi si rezultat i punës dhe veprimtarisë së gjithanshme që e ka bërë e po e bën profesor dr. Vaxhid Sejdiu, me mësimdhënës e veprimtarë të tjerë, të cilët po i mbështet pa hezitim e me përkushtim edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë, por edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër.
Mësuesit e SHSHZ janë të përkushtuar së bashku me koordinatorin V. Sejdiu, që të hapen sa më shumë shkolla, gjë që është dëshmuar gjatë këtij viti shkollor, edhe pse edhe ky vit, si edhe ai që shkoi, na krijuan vështirësi të mëdha për shkak të pengesave që i paraqiti pandemia.
Tanimë, mërgata shqiptare është e shtrirë jo vetëm në Zvicër, por edhe në shtetet të tjera të zhvilluara si Gjermania, Franca, Suedia, Italia, Greqia etj. Në këto shtete jetojnë të shpërndarë familje të shumta shqiptare dhe shumë fëmijë kanë pengesa të mëdha jo vetëm për t’i nyjëtuar zanoret e bashkëtingëlloret e gjuhës sonë, por edhe për të folur madje edhe gjuhën e shtëpisë e të komunikimit me prindër, kanë pengesa të mëdha, për t’i shprehur mendimet e për të sqaruar rrethanat e ndryshme, ose për të paraqitur një përjetim a për të shpjeguar një ngjarje a dukuri në gjuhën e nënës.
Në rrethana të tilla, vjen si domosdoshmëri që fëmijët shqiptarë jo vetëm të mësojnë gjuhën, por të jenë edhe shembulli më mirë e motivues për nxënësit të tjerë dhe gjeneratat që do të vijnë.
Ne interesohemi të jemi gjallërisht të përfshirë me familjet tona, me fëmijët tanë, jo vetëm në vendet ku jetojmë, por të bëhemi edhe pjesë jetësisë e zhvillimit popullit tonë, prandaj është e domosdoshme që të mësohet gjuha shqipe dhe lidhjet të jenë të pashkëputura me trojet shqiptare.
Kështu edhe Ambasada e RSH në Bernë, bën apel të gjithë prindërve dhe fëmijëve të moshës shkollore që të ndjekin sa më shumë mësimin e gjuhës shqipe.
Në fund na vijnë në mendje vargjet e poetit të madh shqiptar Gjergj Fishta:
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore!
Mbas këtyre vargjeve, është vështirë për të thënë diçka më shumë.