Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXII) RANA E HEDHUN – PLAZHI FENOMENAL I DUNAVE TË RËRËS

Nga Berat Luzha

   Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare, më shumë se 400 km, e pasur me plazhe të shumta. Njëri ndër plazhet më të mira është Rana e Hedhun (Rëra e Hedhur), që ndodhet mes Shëngjinit e Velipojës. Rana… është një plazh i veçantë, është një perlë, një dhuratë e natyrës, që ndodhet në një zonë të paprekur në rrëzë e në shpat të Malit të Rrencit (561 m.), 4 km nga Shëngjini, 9 km nga Velipoja, 12 km nga Lezha dhe 63 km nga Tirana. Ky plazh mund të vizitohet lehtësisht në rrugë tokësore përmes Shëngjinit dhe nga deti.

Plazhi i Ranës së Hedhun përfaqëson një rast të vetëm, kur një grumbull shumë i madh i rërës së imët – duna – i është ngjitur, që nga deti, shpatit të malit. Fenomeni i tillë natyror është formuar në mënyrë të mistershme, vështirë të kuptueshme, pothuaj të mbinatyrshme. Këto duna, me vlera shkencore gjeomorfologjike, didaktike dhe turistike, janë të vetmet në bregdetin e Adriatikut.

Secili vizitor kureshtar i këtij fenomeni interesant natyror, pyetjen e parë do ta bënte: – Si është e mundur që rëra të jetë ngjitur kaq lart në mal?! Sepse, duket sikur deti e ka sulmuar malin dhe një shpat të malit e ka mbuluar me rërë. Shpjegohet se rrymat detare dhe përplasja e erërave në kodër kanë krijuar apo e kanë mbushur me rërë tërë shpatin e malit shkëmbor. Këto duna janë ngjitur shpatit të malit përpjetë në lartësi 50 – 100 metra dhe në gjatësi rreth 600 metra. Sipërfaqja prej gjashtë hektarësh, që janë të mbuluara me dunat ranore, paraqet një ballkon natyror dhe një perlë të paparë në Detin Adriatik, që është shpallur monument natyror.

Pushuesit mund të ngjiten përpjetë dunës së rërës vetëm këmbë. Prej nivelit më të lartë, pos për të bërë fotografi dhe për të soditur detin e paanë, pushuesit mund të zhyten dhe të rrokullisen teposhtë shpatit, të “notojnë” nëpër rërë apo edhe të rrëshqasin me ski nëpër rërë.

Deri para pak viteve plazhi Rana e Hedhun ishte zonë mistike, ishte një plazh i paprekur e i pashfrytëzuar, pasi në sistemin monist ishte zonë ushtarake. Mirëpo, kohëve të fundit aty janë kryer disa veprime në infrastrukturë dhe agroturizëm, duke e kthyer plazhin në një destinim të madh e të lakmuar për turistë vendorë e të huaj, por edhe për investues e ndërmarrës të ndryshëm privatë. Rana… është zbuluar veçanërisht nga pushuesit që vijnë nga viset jashtë R. së Shqipërisë.

Rana e Hedhun është një plazh i pastër, i kristaltë e i paprekur shkëmbor, është një vend ideal për pushim, për kamping e për piknik gjatë tërë vitit. Aty plazhi bëhet bashkë me detin, me malin e me qiellin. Edhe rëra, edhe deti këtu është shumë i pastër. Më të bukur e bëjnë vendin edhe pishat e larta, rëra shëruese e pasur me jod, deti i kthjellët, mali i gjelbëruar dhe dielli i ngrohtë.

Në plazhin me natyrë magjepse gjenden disa restorante ku përgatiten ushqime të mira me çmime të arsyeshme. Plazhi është shumë i gjatë dhe kryesisht është plazh publik, i cili ka nevojë për një rregullim të lehtë urban e për një kujdes më të madh për mbajtjen e pastërtisë.

Si një vend turistik me plazh të mrekullueshëm, me ajër e det të pastër, me qetësi absolute e me ushqime të shkëlqyeshme, Rana e Hedhun viteve të fundit është futur në guidat e në turet turistike shqiptare. Fluksi i turistëve vendorë e të huaj po rritet nga viti në vit, të cilët janë kureshtarë ta vizitojnë dhe ta përjetojnë këtë vend magjeps, ku rëra i ngjitet malit përpjetë.