Shtegtime nëpër Atdhe (XLIX)

Fotografia e Berat Luzha
Berat Luzha

Nga Berat Luzha

ERSEKA – QYTETI I KAPLUAR NGA SKAMJA

Kolonja është një krahinë, si një pllajë fizike – gjeografike në juglindje të Shqipërisë, në lartësinë mbidetare 1100 m. Ndodhet mes malit të Gramozit, në lindje dhe malit të Radomit, në perëndim. Në këtë zonë formohet, nga disa përrenj, lumi i Osumit. Mali i Gramozit, në lartësi 2523 m., ka gjatësi 25 km në shtrirje veri – jug, nëpër kurrizin e të cilit përshkon kufiri shtetëror me Greqinë. Përmes Kolonjës dhe nëpër qytetin e Ersekës kalon rruga nacionale Korçë – Ersekë – Leskovik – Përmet – Tepelenë. Nga Korça është larg 40 km, nga Leskoviku 44 km, nga Tirana – 225 km.
Qyteti i vogël i Ersekës është kryeqendra e krahinës apo e zonës së Kolonjës, që ndodhet në rrugën Korçë – Tepelenë dhe përballë Malit të lartë të Gramozit. Ky qytet, që është qendër e rrethit dhe qendër e bashkisë, me 78 vendbanime, ka tre – katër mijë banorë, si qytet dhe rreth 11 mijë, si bashki. Në Bashkinë e Kolonjës, pas ndarjes së re administrative të vitit 2015, u shkri Bashkia e Leskovikut me disa fshatra. Qyteti i Ersekës është krijuar në vitin 1768, kur kishte 100 familje, ndërsa në vitin 1919 ka marrë statusin e bashkisë dhe nënprefekturës.

Fotografia e Berat Luzha
Berat Luzha

Largësia e madhe nga qytetet e mëdha dhe nga zonat më të zhvilluara ka bërë që këtu të zhvillohet një ekonomi e vogël, me mungesë investimesh e pa perspektivë zhvillimi. Mungesa e perspektivës ekonomike ka bërë që popullsia të largohet masivisht nga zona dhe të vendoset, qoftë në qytete, qoftë në emigracion. Për pasojë, është rritur papunësia dhe varfëria. Shumë fshatra kanë mbetur me pak apo edhe pa banorë fare. Derisa para çlirimit qyteti kishte vetëm 300 banorë, në vitin 1970 kishte rreth 2500 banorë.
Ersekën e rrethinën tashmë e ka kapluar skamja më shumë se çdo zonë tjetër të vendit. Skamja është ulur këmbëkryq në Ersekë, – thonë vendësit. Blemjet bëhen, në shumicë, me lista (veresi). Dyqanet e kafenetë janë gati të zbrazura. Vende pune nuk ka, sepse nuk ka ekonomi të organizuar. Të rinjtë ikin qyteteve të mëdha e në emigracion, kurse ata që shkollohen universiteteve të vendit, nuk kthehen më në zonën e tyre. Fshatrat kanë mbetur në pleq, ata të cilët s’duan, s’munden e as nuk kanë ku të shkojnë. Ka rrezik që kjo zonë një ditë të shpopullohet apo të mbetet me shumë pak banorë. Edhe ata pak banorë, që kanë mbetur, një ditë mund të ikin. Një pjesë e tyre e kalon kufirin dhe del, gjatë verës, për punë sezonale në Greqi. Kështu, kjo krahinë që i dha aq shumë kombit, ka rënë në agoni.
Erseka ka një ekonomi të dobët, me disa biznese të vogla. Megjithatë, bazë e ekonomisë, si në shumë rrethe tjera, është bujqësia e blegtoria. Prodhohen drithërat (gruri e misri), pemtaria (molla) etj. Viteve të fundit gjithnjë e më shumë po kultivohen bimët mjekësore, kurse popullsia ka krijuar edhe një burim të ardhurash për të mbijetuar, grumbullimin e bimëve mjekësore në malin e Gramozit. Turizmi është në fillet e para, kurse edhe remitencat nga mërgata janë mjaft të vogla. Zona me vlera të veçanta janë Rezervati natyror i Gërmenj – Shelegurit, zona termale e Vromonerit dhe gazrat sulfurike të Postenanit. Rehova është një fshat shumë i vjetër, i gdhendur në gurë, një fshat turistik me 23 kisha, por që, për fat të keq, tash pothuaj është i zbrazur. Krahina është mjaft e pasur me pyje – rreth 47 për qind e sipërfaqes, por pyjet janë mjaft të dëmtuara. Një fermë – restorant, me emrin Sotira, që ndodhet në rrugën mes Ersekës e Leskovikut, është kthyer në një pikë të rëndësishme turistike.

Fotografia e Berat Luzha

Zona apo krahina e Kolonjës është e pasur me monumente antike. Ishte e banuar në lashtësi nga fisi ilir i Desaretëve. Dallohet vendbanimi parahistorik i Kamnikut, fortifikata e Gradecit, kalaja e Hollmit, disa tuma ilire, etj. Në shek. I e.r. Kolonja ishte nën Muzakajt, me qendër në Berat, ndërsa në shekujt e mesjetës së hershme ishte pushtuar nga sllavët, të cilët i kanë lënë shumë toponime në gjuhën e tyre. Emri Kolonjë përmendet për herë të parë në vitin 1019 nga kronisti bizantin, Gjergj Kedreni.
Në përgjithësi atdhetarizmi në Kolonjë ka qenë shumë i fortë, duke pas parasysh se kolonjarët kanë luftuar njëkohësisht në dy fronte; kundër pushtuesve osmanë dhe kundër pretendimeve greke për greqizmin e shqiptarëve. Gjatë Rilindjes Kombëtare Kolonja u bë nga qendrat kryesore të lëvizjes për çlirim kombëtar. Shumë qytetarë kolonjarë historikisht kanë kontribuar në fusha të ndryshme të politikës, të artit e kulturës kombëtare, siç janë: Fan S. Noli, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Naum Veçilharxhi, motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Dhori Qiriazi, Jani Vreto, Faik Konica, Themistokli Gërmenji, Spiro Bellkameni, Hasan Zyko Kamberi, Shahin Kolonja, etj. Kultura dhe tradita kolonjare, muzika e vallet karakteristike, veshjet tradicionale, zejet autoktone janë ruajtur brez pas brezi deri sot me origjinalitetin e tyre të veçantë.
Erseka ka një muze të pasur në qendër të qytetit, i formuar në vitin 1962, ku tregohet historia dhe tradita e pasur e Kolonjës, që nga gjetjet arkeologjike e deri në kohën më të re. Në qytet ka një shkollë 9-vjeçare dhe një të mesme – gjimnaz, pastaj spitalin dhe institucione tjera publike. Aty spikasin pallatet e vjetra të periudhës së monizmit, ndërsa qytetit pothuaj i mungojnë në tërësi ndërtimet e reja. Gjithçka është si ishte dikur! Një projekt, që meriton të përmendet, është ndërtimi i sheshit të bukur të qytetit nga projekti “Rilindja urbane”, po asgjë tjetër. Hoteli i vjetër në qendër është i mbyllur, kurse janë hapur edhe tre – katër objekte të reja hoteliere në periferi të qytetit.
Atë që nuk ia ka falur njeriu Ersekës dhe rrethinës, ia ka falur natyra. Në Kolonjë gjeni ajrin e pastër, natyrën e shëndoshë, vlerat e larta kulturore, njerëzit e mirë e të shquar, të buzëqeshur, por të harruar. Për të mbërri te këto bukuri mahnitëse duhet kaluar nëpër një rrugë të vjetruar, të ngushtë e me kthesa të shumta e të rrezikshme. Pavarësisht kësaj gjendjeje, duhet dhe ia vlenë të vizitohet qyteti i bukur i Ersekës dhe krahina famëmadhe e Kolonjës për të parë një natyrë të bukur dhe njerëz shumë të mirë.