Takim me poetin tim, Lumni Nimani

Nga Anila Xhani

nxënësit e “Shkollës Shqipe “ në Freising, me mësuesen e Nife Arifaj.

S’ndahet kombi as gjuha s’ndahet
Që u bën ballë shekujve me stuhi
Shqipëria etnike duhet të bëhet!

Një komb, një gjuhë, një Arbëri!
Nëpër shekuj të historisë
Me komb e gjuhë ishim krenarë
Nën flamurin e Arbërisë
Të bashkuar, e kurrë të ndarë.

Fragmente nga cikli poetik “Mall e dashuri larg Arbërie” të poetit të njohur Lumni Nimani, të recituara nga nxënësit e mësimit plotësues të gjuhës e kulturës shqipe në Freising.
Në takimin e mbajtur me datën 27.04.2024, në Freising, nxënësit e “Shkollës Shqipe “me mësuesen e tyre të përkushtuar, Buqe Arifaj u takuan përsëri me poetin e tyre të dashur, Lumni Nimani.
Ai është poeti i tyre frymëzues, poeti që e ndjejnë afër në shumë aktivitete të tyre, poeti që i afron ato me botën e bukur të poezisë, e veçanërisht të asaj shqiptare.
Nxënësit gjatë orës letrare jo vetëm që recituan plot ndjenjë e emocion poezitë e Nimanit, por kishin edhe kënaqësinë të bisedonin me poetin e tyre, t’i bënin atij pyetje të ndryshme mbi librin me poezi “Mall e dashuri larg Arbërie”, libër të cilin poeți ia dhuroi të gjithë nxënësve.
Gjate kësaj ore letrare, poeti i njohu nxënësit nga afër edhe me disa poezi nga tri vëllimet e tija poetike më të fundit, të cilat janë akoma të pabotuara.
Nxënësit kishin përgatitur nën përkujdesjen e mësueses Buqe skeçin “Ora e gjuhës shqipe”, duke krijuar një atmosferë të këndshme e plot humor.
Të pranishëm në këtë takim ishin kryetari i Lapsh Bavari, Milazim Ukaj dhe kryetari i “Këshillavw të Prindërve” në Bavari, Arif Arifaj.
Falenderojmë përzemërsisht poetin Lumni Limani, për mbështetjen e tij të vazhdueshme, duke i njohur nxënësit tonë nga afër me poezinë, si një medium i pazëvëndësueshëm në zhvillimin e botës së tyre shpirtërore, psikologjike, imagjinare e të fantazisë. Por mbi të gjitha si një medium i rëndësishëm për njohjen e historisë, letërsisë e kulturës shqiptare.
Falenderojmë mësuesen Buqe Arifaj për punën e saj të palodhur, e cila mbështet nxënësit e saj në vlerësimin e poezisë si një element edukativ e arsimor, në shprehjen e mendimeve, përjetimeve e opinioneve.
Falenderojmë dhe i jemi mirënjohës “ Këshillit të Prindërve “ në Freising Haxhi Muriqit, Besnik Mamajt e Bajram Brajshorit për mbështetjen dhe organizimin e mrekullueshëm të takimit me poetin, si dhe Viki Bytyqin për vënjen në dispozicion të sallës, gjithashtu Violetën & Co për darkën e shijshme të kulinarisë shqiptare.
Urojmë nga zemra që nxënësit tonë nëpërmjet orëve të tilla letrare, jo vetëm ta lexojnë e ta duan poezinë shqiptare, por edhe të frymëzohen nëpërmjet saj e ta shkruajnë atë.(A.Xh.)