Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar!

Botim special në ditën e lindjës së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri (25 Maj 1846 – 20 Tetor 1900)

  • Figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. 

Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.
Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.
Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.
Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat “Bagëti e Bujqësia”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Histori e përgjithshme” dhe poemën greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”. Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht “Tehajylat” (Ëndërrimet) më 1888 botoi “Dituritë”, më 1890 “Lulet e verës”, më 1894 “Parajsa dhe fjala fluturake”, më 1898 “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë” dhe më 1889 “Historia e Shqipërisë”. Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s’e pa dot të lirë.
Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostulin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:
Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri,
mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai.
****************************
Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres.
Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit.
Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi e afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të reja, të ndryshme nga ato të letërsisë së vjetër, temat e problemet e kohës. 
Në formimin e Naimit si poet ndikuan disa faktorë, por faktori kryesor ishte jeta e popullit të vet dhe lëvizja e tij për çlirim kombëtar.
Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, prej të cilave mori elemente që u tretën mjaft natyrshëm në veprën e vet. Por krijimtarisë së tij vulën e origjinalitetit ia vuri jeta dhe tradita historike e artistike e populli të vet. Traditat poetike popullore, që përbën një nga burimet e formimit të tij si poet, i dha shumë më tepër nga çdo traditë tjetër. Lidhja me të u shpreh jo vetëm në gjuhën e poezisë së Naimit dhe në figuracionin e pasur, por, në radhë të parë, në përmbatje dhe në frymën e saj.
Naimi është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar. Tradita që krijoi Naimi, është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare.

Lirika filozofike

Naim Frashëri është poeti i parë shqiptar që i kushton kujdes të veçantë poezisë filozofike dhe mund të quhet themeluesi i saj në poezinë shqiptare.
Ai ka shkruar një numër të dukshëm vjershash filozofike, të përfshira në vëllimet poetike “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Lulet e verës”, “Parajsa dhe fjala fluturake” dhe në përmbledhjen në gjuhën persishte “Tehajylat” (Ëndërrimet).
Në këto lirika Naimi shpesh shtron pyetje të tilla të karakterit filozofik: C’është natyra? Cilat janë ligjet e saj? Ku është fillimi e ku është fundi i saj? Cili është vendi i njeriut në të?
Këtë etje për të përsiatur për gjithçka poeti e shpreh edhe me vargje:
Mendja ime, që s’gjen prehje, bën kërkime
dhe rropatet me aq pyetje-e-mërmërime:
Kush? pse? Çfarë? ku e kur? e si e sa? 
(“Ëndërrimet”)

Naimin e habit dhe njëkohësisht e mrekullon gjithësia, pambarimësia e saj: Toka dhe Dielli, yjet, ndërrimet e stinëve, deti, era, lumi, rrufeja, njeriu, lulet, zogjtë, bagëtia, gjithçka. Poeti mendimtar e sheh gjithësinë si një libër të hapur të cilin njeriu vazhdimisht përpiqet ta lexojë, sepse kështu do të gjejë kuptimin e botës. Kjo pafundësi dukurish e mahnit dhe e gëzon poetin, jo vetëm sepse me to është e lidhur jeta e njeriut, por edhe pse në qënien dhe në rendin e tyre ai sheh shprehjen e ligjeve absolute, sheh mishërimin e perëndisë. Këtë koncept panteist e vumë në dukje edhe te “Lulet e verës”.
Një trup është gjithësia
Dhe të sosur s’ka gjëkundi,
më çdo an’ është perëndia,
një det që s’i gjendet fundi.

(“Gjithësia“, “Vjersha për mësonjëtoret”).
Botëkuptimi i Naimit në lirikat filozofike shpesh është kontradiktor. Mbasi pohon pafundësinë e gjithësisë, Naimi thotë:
Gjë s’humbet, as pakësohet
edhe sërish nukë shtohet:
çdo q’është përsëritet.

(“E vërteta“, – “Vjersha për mësonjëtoret“)
Një nga mendimet më të rëndësishme të Naimit është ai që lidhet me njohjen njerëzore. Ai mendonte se njeriu është në gjendje, me forcën e arsyes, të depërtojë në të fshehtat e natyrës, të njohë ligjet e saj, ta përdorë natyrën për nevojat e tij, pra, të bëhet gjithnjë e më tepër zot i saj, me anë të njohjes shkencore. Sipas tij, duke njohur natyrën, njeriu njeh krijuesin e saj, zotin:
Është në shesh Perëndia,
i verbëri s’mund ta shohë,
ajo është gjithësia,
i dituri mund ta njohë.

(“Perëndia” – “Lulet e verës”)
Duhet theksuar se problemet e gjithësisë, të natyrës etj., asnjëherë, Naimi nuk i pa të shkëputura nga njeriu, nga vendi i tij në botë, nga fati i tij. Naimi e vlerëson shumë lart njeriun. Si panteist, poeti mendon se shfaqja më e përsosur e hyjnisë në jetë është vetë njeriu. Njeriu, sipas Naimit, është qëllimi dhe arritja më e lartë e krijimtarisë hyjnore, është trajta e shfaqjes më të epërme, sepse është krijesë me ndërgjegjje e moral. Prej këtij lind edhe ai humanizëm i thellë, ai respekt e dashuri e pakufishme për njeriun.
S’ka më të lartë në jetë
nga njeriu, q’është i vërtetë.

(“E vërteta” – “Vjersha për mësonjëtoret”)
Naimi mendon se njerëzit vërtet vdesin, por si gjini janë të pavdekshëm, janë të përjetshëm. Duke u kthyer sërish te gjithësia, ata rilindin sërish te breznitë që përsëriten pa fund.
Botëkuptimi i Naimit është sintezë origjinale mbi bazën e panteizmit dhe ka prirje të dukshme përparimtare.

Pikëpamjet patriotike dhe botëkuptimi
Vepra e Naimit shprehu në mënyrë të plotë e me forcë artistike idealet më të përparuara të Rilindjes, idetë patriotike, demokratike e iluministe që do ta udhëhiqnin shoqërinë shqiptare për të dalë nga errësira mesjetare në dritën e lirisë e të përparimit. Poet e mendimtar, Naimi qëndroi me dinjitet në lartësinë e këtyre kërkesave historike.
Tipari kryesor, ajo që përbën thelbin e gjithë krijimtarisë së Naimit, është patriotizmi. Gjithçka në veprën e tij lidhet me atdheun, me dashurinë e pakufishme për të, për gjuhën, për popullin, për historinë e për gjithçka shqiptare, me detyrën për t’i shërbyer atdheut me devotshmërinë më të lartë. Vargjet më të bukura poetit ia frymëzoi pikërisht ky atdhetarizëm i flaktë.
Çlirimi i Shqipërisë nga zgjedha osmane ishte një nga idealet më të larta të Naimit. Për të arritur këtë, poeti hedh idenë e bashkimit të gjithë shqipëtarëve, si kusht për çlirimin dhe përparimin e tij. Veçanërisht te “Historia e Skënderbeut”, poeti pohon se liria mund të vijë vetëm me anë të luftës së armatosur kundër pushtuesit.
Besimi i Naimit në të ardhmen e Shqipërisë së lirë është i madh. Ai mendon se populli ynë, me virtyte të çmuara e me tradita luftarake i ka të gjitha të drejtat të jetojë i lirë. Naimi shpreson se kjo liri do të jetë pak a shumë e shpejtë.
Naimi pati pikëpamje demokratike të përparuara për kohën. Ai mendonte që njeriu lind i lirë. Kulti i lirisë së njeriut përshkon gjithë veprën e tij, ndonëse në kushtet e atëhershme ai tingëllonte abstrakt. Admirues i Revolucionit Francez dhe i ideologëve të tij, Naimi ëndërronte një Shqipëri të lirë dhe demokratike, sipas tipit të demokracive borgjeze të kulturuar e të emancipuar. Edhe Naimi, ashtu si Samiu, ishte për republikën dhe nuk e pranonte formën e monarkisë.
Ai gjithashtu ishte për barazinë midis burrit dhe gruas dhe për të drejtën e arsimimit të të dyve.
Botëkuptimi i naimit u kultivua në klimën e kërkesave për një Shqipëri që do të hynte në një epokë të re historike, që do të qytetërohej e kulturohej. Natyrisht, koha kur jetoi poeti, la gjurmët e veta në botëkuptimin e tij, i cili nuk mundi t’u shpëtonte edhe kundërshtive.
Naimi ishte iluminist, dhe kishte besim të madh në rolin që luajnë shkenca dhe dija për zhvillimin e shoqërisë. Ai çmonte tepër iluministët francezë, Volterin, Rusonë, e të tjerët. Sidomos në veprat diturake ai pranoi dhe propogandoi edhe disa arritje të shkencës së kohës, si teorinë e Darvinit për prejardhjen e qenieve të gjalla, teorine e Kantit e të Laplasit për origjinën diellore të tokës etj. Por në thelb, veçanërisht në veprat poetike, ai pranon qënien e një fuqie të mbinatyrshme. Megjithatë, idealizmi i Naimit u shfaq në formën e panteizmit. Ai e mendon zotin të shtrirë kudo, te njeriu dhe te natyra. Si patriot e iluminist, ai ishte kundër përçarjes fetaredhe kombësinë e vinte mbi fenë, ashtu si edhe rilindësit e tjerë.
Naim Frashëri, si figura qëndrore e letërsisë së Rilindjes, krijoi një traditë të re, që u ndoq nga shumë shkrimtarë të tjerë, dhe u bë themeluesja e letërsisë sonë të re kombëtare. 

Poezi nga Naim Frashëri

BAGËTI E BUJQËSI

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
– Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!
Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,

Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?
Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,

Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur,
Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.

Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë,
As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë;
Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon,
Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë.
Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë,
I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë,
Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë…
Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.

Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë;
Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.

Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë,
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë!
N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë;
Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë;
Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.

Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë — puna mbarë —
Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta.
Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë,
C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.

GJUHA JONË

Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm’ udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N’atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s’është koh’e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm’ gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç’është e ç’ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

Pa shihni ç’gjuh’ e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç’e bukur’edh’e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum’e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s’e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t’i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S’mbulohetë me remë.

ATDHEU

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!

KORÇA

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq’ e mir’e kaq’e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit’e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q’e bekoi zot’i vërtetë
Dh’e dërgoi me shumë dritë,
T’i mbes’emëri përjetë.

Sot e vumë gurr’e parë,
Sa’sht’e bekuar kjo ditë!
Zot’i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh’e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht’e shtije,
Mbretëron fjal’e vërtetë,
Dhe të mirat gjith’i bije.

Zot’i math qoft’i lëvduar,
Q’e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s’i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo ‘shtë mëm’ e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin’ e miqësinë.

S’jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët’emër nderr’e kemi.

Ky emr’ është shum’ i mirë,
Se më s’jemi të gënjyer,
Nukë jemi n’errësirë,
E njohëmë gjën’ e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun’e keq’e shum’e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh’e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç’kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s’mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt’ e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft’ e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

FJALËT EQIRIRIT

Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s’e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s’dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t’u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M’është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k’ënda t’u bënj mirë,
Të mos mbeti n’errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn’ e shkretë
Për atë zotn’ e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin’ e urtësinë,
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t’i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.
Gjithë tuajt’ i kam parë,
Mëm’ e at’ e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.
Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer’ e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj’ e balt’ e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.
Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul’ e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t’u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

LUTJA E NAIMIT

Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.

PËLLASGET – SHQIPËTARËT

Ishte një ditë
Që pellasgjitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë
Duall ng’ Asia
Si mizëria
Dhe me ania
E hodhë denë.

Pas pakë herë,
Duke përzjerë
Ca me të tjerë,
Bënë elinët,
Dhe duke ndarë
Syresh një farë,
Si ka të ngjarë,
Bëri llatinët.

Edhe të tjerët
E më të ndjerët,
Të papërzjerët,
Pellasgjinj mbenë
Maqedhoninjtë
E ilirinjtë
E mollosinjtë,
Gjith’ ata qenë.

Dhe ata janë
Prindërtë tanë,
Pastaj na thanë
Na shqipëtarë
Mundim të themi
Ne ata jemi,
Atë gjak kemi,
Si dhe shtyparë. { tiparin }

Thot’ Herodoti,
Në Tomor zoti
Shtëpi qëmoti
Kishte Dhodhonë
Eshtë m’e vjetër
Ngaha çdo tjetër,
Shumë më tepër,
Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë
Burra të ndjerë
Edhe të vlerë
Jemi treguar;
Me grekërinë
Dhe me Persinë,
Me gjith’ Asinë
Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë, { Aleksandri i math }
Muntmë Daranë,
Datën i dhamë { frikën }
Gjithë Asisë
Burr’ u dëftyem,
Të gjith’ i thyem,
Përmbys e kthyem
Fron’ e Persisë.

Të tërë dhenë,
Den’ e sterenë,
Sa kombe qenë
Në këmb i vumë
Dhe mbretëruam
Kudo që shkuam,
Tekdo lëftuam,
Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë
Romës i ramë,
Llatint’ i vramë
E i tmeruam;
Me Skënderbenë
Tyrqve sa qenë
U dhamë dhenë
Dhe i dëbuam.

Kush i goditi
Posi petriti
E i cfiliti
Tyrqit, barbarët?
Bota s’kuxonte
Që t’u qëndronte,
Po kush lëftonte?
Ne shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,
Se s’kupëtuam
Dhe nuk e çquam
Të mirën tënë
Gjaknë për botë
E derthmë kotë,
Njeri ç’të thotë?
Nuk ishte thënë!

Mbajtmë Tyrqinë,
Ngjallmë Greqinë,
Ndihm’ Italinë.
Po Shqipërinë?
Pse s’u munduam?
Për kë lëftuam?
Neve ç’fituam?
Ç’kemi taninë?

TRATHETORETE

Shokë, kemi ne mest tënë
Shum’ armik’ e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s’kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh’ e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qofte thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr’ e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk’ e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt’ armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç’është kjo e madhe punë!

Fajn’ e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S’del kurrë gënjeshtr’ e shkretë
T’ish ashtu, qe prishur jeta,
S’kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nderr’ e tyre posht’ e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh’e mira dh’e lig’ e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S’ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjëjnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s’e dinë c’bëjnë,
Janë të verbër e s’shohin.

O, popo ç’turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s’janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn’ e Shqipërisë,
S’duanë gjuhënë tënë
Armikët’ e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç’bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun’ e lig’ edh’ e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s’e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t’u vinë.

Vëllazërin’ e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s’dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt’ e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.

PARAJSA

O vëllezrë shqipëtarë!
Pa të zëm’ udhën e mbarë,
T’i bijem pas urtësisë
Dhe dritës e diturisë,
Të mos rrimë n’errësirë,
Se nuk është pun’ e mirë.
Neve që qemë njëherë
Në gjithë botët të ndjerë,
Dhe të par’ e të lëvduar,
E të rënd’ e të dëgjuar,
Trima të fort e të mirë,
Të rrimë sot n’errësirë. 
. . . . . . . . . . . . .
Ishin trima prindit tanë,
Pa emrë përjetë lanë.
Aleksandr’i Math i ndjerë
Dhe shumë shokë të tjerë,
Q’ishinë me të të parë,
Qenë gjithë shqipëtarë.
Muntnë së pari Greqinë,
Pasdaj muntnë dhe Persinë.
Zunë dhe Hind e Afrikë
Burratë trima pa frikë.
Faqen e dheut e fituan,
Më çdo anë mbretëruan.
Selefqinjtë, Ptolemenjtë, { Selefqinjtë — dinstia e }
Gjithë ç’qenë të mbëdhenjtë, { Seleukidëve (312-64 p.k. në}
S’qen’ as grekrë as bullgarë, { shtetin e Seleukidëve, me }
Ishin burra shqipëtarë. { kryeqytet Antiokinë (në }
Kombinë tën e nderuan { Turqinë e sotme). }
Dhe Evropën e shpëtuan { Ptolemenjtë — dinasti që ka }
Nga kurt’ i zi i Persisë, { sunduar në Egjipt (305-30 p.k.)}
Dh’i dhanë nder Shqipërisë. { Themeluesi i saj, Ptolemeu, ka }
Pirrua romanët mundi { qënë prijës në ushtrinë e }
E gjithë jetën e tundi. { Aleksandrit të Madh }
Kostandin’i Math, q’i thonë,
Dh’ajy ish nga fara jonë.
Gjithë njerëzit e mbarë,
Thua, qenë shqipëtarë.
Shqipëtari ka lëftuar,
Dhe ajy ka mbretëruar.
Aleksandr’ i Math Greqinë
E kishte bërë të tinë,
Me luft’ e kishin marë
Prindit tanë kordhëtarë,
Pa në Thivë njerës lanë, { Thiva — Teba, qytet-shtet në }
Thivasit u ngren’ i vranë, { Greqinë e vjetër }
I vranë me të pabesë,
Pas zakonit të Moresë.
Shqipëtarët kordhëtarë
Thivësë i vunë zjarrë!
S’i kursyenë gjë zjarit,
Vetëm shtëpin’ e Pindarit,
Se ish vjershëtor i ndjerë
Dhe i parë mi të tjerë.
Shqipëtarët pas Greqisë
Iu lëshuanë Asisë,
Njeri kurrë nuk i mundi,
As u qëndroi dot gjëkundi,
Gjithë përpara i vunë,
Faqen e dheut gjith’ e zunë.
Burr’ i math i Shqipërisë
Ndënji në fron të Persisë,
E arratisnë Daranë, { Darai III }
Njerëzi e ti e vranë!
Aleksandri dha lirinë,
E shpëtoi nga xgjedh’ Asinë,
I dha nder dhe Shqipërisë,
Mëmës së ti, q’i dha sisë,
Përkujdesi njerëzinë
Dhe pruri qytetërinë,
Bëri udhë e qytetë,
Pru gëzim në gjithë jetë
Edhe sot Aleksandria
Na rrëfen punët e tija.
Evropën e ka shpëtuar
Nga njëxgjedh e mallëkuar.
Këto punë shqipëtarët
I bënë, ata të parët,
Ata të parëtë tanë,
Edhe emërë na lanë.
Edhe Pirroja ish burrë,
Që s’ka pasur shokë kurrë.
Ay romasit i mundi,
Italinë tër’ e tundi;
Tekdo që kishte lëftuar,
Botën e kish tëmerruar.
Kshhu edhe shumë të tjerë
Shqipëtar’ ishin të ndjerë.
Ishte mëm’ e trimërisë
Edh’ e zonj’ e urtësisë
Shqipëria kurdoherë,
Që nxirte burra të vlerë.
Trima burra të vërtetë
Sa kanë qënë në jetë
Të gjithë ajo i polli,
Trimëria soje dolli.
Qe dhe një koh’ e një ditë,
Që polli dhe perënditë,
I pat pjellë Shqipëria,
Pa u falej njerëzia,
Dhe besoninë qëmoti
Që në Shqipëri rrij zoti,
Vij rremet i njerëzisë,
E i falej Shqipërisë.
Tomori nuk ësht’ i pakë,
Që nxjer dhe sot zë pa flakë,
Se rrininë perënditë
Ndë atë natë e ditë!
Prindit tanë i besonin
Perëndit’ e s’i mërgonin.
Perëndi e trimërisë
Ishte mëm’ e Shqipërisë.
Shqipëtari trim me fletë
Rronte gjithënjë në jetë,
Shigjet’ e ti vrëngëllinte,
Vdekjenë me vet’ e shpinte!
Perëndi e bukurisë
Me shijët të gjithësisë,
Q’ësht’ e bardhë si dëborë
Nuk e lij kurrë Tomorë,
Flinte në shtratthit të artë
Shtat’ i bardhë posi kartë.
Leshërat i kish të arta
Edhe faqezët të zjarta,
Ballë, gushë, krahëruar,
Llërë, pulpë, këmbë, duar,
Pej drite ishinë bërë,
Sikundër dhe trup’ i tërë.
Si dëbor’ e kishte gjinë,
Pa sill nër mënt bukurinë! { Prandaj të sillte ndër mënd b. }
Kur kthehej e të shikonte,
Zëmrënë ta përvëlonte.
Zën’ e kishte si bilbili,
Faqetë si trëndafili,
Diellin e urdhëronte,
Në gjit të saj perëndonte,
Në shtratthit të saj e vinte,
Edh’ e mbant’ e nuk e linte,
Tërë natën e pushtonte,
Pa në mëngjest e lëshonte.
Hëna këto duke parë,
Dhe duke tretur e tharë,
Ligej fort shum’ e drobitej,
Kahënitej e venitej,
Se i haj zëmrën nakari,
Që djek i shkreti si zjarri.
Perëndi e bukurisë,
Q’i ip dritë njerëzisë,
Nga gjir’ i saj dritë qitte,
Hënënë e përsëritte,
I ip pjesë bukurie
Edhe shij’ e drit’ e hije.
. . . . . . . . . . . . . . .
Dhe fqinjët e Shqipërisë,
Armikët e perëndisë,
Kshu treteshin nga nakari,
se ish burrë shqipëtari.
Sa mbretërë të dëgjuar,
Në Shqipëri të uruar,
Sa burra të fort’ e trima,
Me vështrim si vetëtima,
Kan’ ardhur e kanë shkuar,
Dh’ emri s’u është haruar!
Me ta bashk’ ish trimëria,
Dhe me ta ish urtësia,
Të dyj’ ato mbretëronin,
Mëmëdhen’ e lulëzonin,
Ish parrajsë Shqipëria,
Se ishte gjall mirësia.
Bukuri e perëndisë,
Perëndi e bukurisë,
Këmbergjëntë, leshflorinjtë,
Duke mbledhurë pëqinjtë,
Në Shqipëri tekdo shkelte,
Bari mbint’ e gjethi çelte,
Dhe luletë lulëzonin,
E bilbilëtë këndonin.
Ajo dhe në re qëndronte,
Edhe nd’erë fluturonte,
Tekdo vij, ip bukurinë,
E përndante mirësinë.
Bëheshin mollëtë ftonjtë,
Portokaletë, lemonjtë,
Manatë, rrushtë, qershitë,
Fiqtë, arratë, lajthitë,
Pjeshka, thana, vadhja, shega,
Ulliri me shumë dega,
Gruri, misëri, peceli,
Elbi, tërshëra e meli.
Ish i veshur vëndi gjithë,
Dhe pill shumë pem’ e drithë,
Drur’i dardhësë me dardhë
Ish si zonja sisëbardhë.
Nër fushatë luleshumë
Lumënj vrapmëdhenj pa gjumë
Shkoninë duke kënduar
Me kanisk të math nër duar.
Ata mëmë kanë renë,
E ajo ka atë denë.
Dheu, kafshëtë, bagëtia,
Shpestë, gjithë njerëzia,
Pin’ ujët e tyr’ e prëhen,
Dhe bimërat pa të s’bëhen.
Tek shkonte lum’ i uruar,
Q’ishte si ar i kulluar,
Kafshëtë dhe bagëtia,
Lëçinin si mizëria.
Edhe grat’ e Shqipërisë
Gjithë me foshnjë në sisë,
Sicila ish mbretëreshë
Dh’e bukur si pëllumbeshë
S’shihnje një gjë të shëmtuar
Dhe pa gas e të helmuar.
Edhe vashëzë mes’hollë
I kuqte faqja si mollë,
Dorën q’e kish pej ergjëndi,
S’e hiqte nga avlëmëndi,
Gjithë ç’i duhej në jetë,
I bënte të tëra vetë.
Në viset të Shqipërisë
S’kish gjë përveç mirësisë,
Moskamja dhe varfëria
E të tjera të këqija?
Kurrë në Shqipëri s’ishin,
Mase dhe emërë s’kishin.
S’kish as kurva as kurvarë,
as të liq kish as kusarë,
Gjithëkush vetë punonte,
E njeri nukë përtonte;
Sicili fort mirë shkonte,
Haj, pij dhe tepëronte;
Këto me djers’ i fitonin,
Më shumë nukë kërkonin,
Se kish duk nga perëndia
Dhe uratë Shqipëria.
Ish shumë trim shqipëtari
Dhe i bukur si fill ari,
Si burratë edhe gratë
Ishinë trime me shpate,
Ish ligë vëllazëria,
Edhe besë miqësia.
Shqipëria gjithë nderë
Kisht’ e ishte shum’ e ndjerë.
Shqipëtari ish i mirë,
Dhe kish emër të pavdirë.
Shqipëria shum’ e vlerë
Ish e madh’ e gjat’ e gjerë,
Se ahere s’ishin shqehtë,
As maxharëtë, as vllehtë,
Ishin gjithë shqipëtarë
Në atë kohët të parë,
Qeltëtë kishinë fqinjë, { keltët, galët }
Q’ishinë brinjë për brinjë.
Ishte një tjatrë jetë,
Shi t’artë shtininë retë,
Ish një ver’ e gjithënjëshme
E një kohë shum’ e bëshme,
Dhe në dimërë vërritë,
Që mbaninë bagëtitë,
Ishinë plot manushaqe,
Dheu kish bukuri mi faqe.
. . . . . . . . . . . . . .
Shqipëtar’ ish i vërtetë,
Trim i bukur e i qetë,
Fjalënë që ip, s’e kthente
E s’doj kurrë të gënjente.
Të miratë gjithë ç’janë
I kishin prinditë tanë.
Bima pillte kallinj tetë,
Nëntë, dhetë, dymbëdhetë.
Të tërë dhenë ta rrihnje,
Plak të kërrusurë s’shihnje,
Veç kalliri unjte kokë,
Nukë dilte përmi shokë.
. . . . . . . . . . . . . . .
Vasha fill e vetëm shkonte,
Njeri kurrë s’e shikonte,
Në flori ngarkuar shkonje,
Gjësendi nukë pësonje.
Kish ahere Shqipëria
Gjithë ç’kërkon njerëzia,
Zot’i math e kish uruar,
Pa ishte fatbardhësuar,
Kishtej njerës të vërtetë,
Trima burra pa të metë,
Kish kamjen’ e dashurinë,
Mirësin’ e urtësinë,
Ish e tërë një fëmijë,
At’ e mëm’ e bir e bijë,
Kish bulmet e pem’ e drithë,
Edhe të miratë gjithë.
Mijëra vjet kështu shkuan,
Shqipëtarëtë s’u ndryshuan,
Patnë gjith’ ato që duhen,
Kishinë nder’ e lirinë,
Pa dhe gjithë mirësinë,
Se njeriu e njerëzia
Ushqehenë nga liria.
Njeriu lindi i liruar,
Pasdaj e kanë penguar.
*
* *
Gjithë botënë romanët
E vunë poshtë, veç tanët
U pren’ udhën’ e s’i lanë,
Pa shumë lufëtra ngjanë.
U mbyt në gjak Shqipëria,
Po rop s’u bë njerëzia,
Nuk’ u bë rop shqipëtari,
Po qëndroi si ish së pari!
Dha shpirtin e gjakn’ e derdhi,
Në zgjedhë si kau s’erdhi,
Mburoi nderr’ e Shqipërisë
Dhe sendrën’ e njerëzisë!
Mbajti lirin’ e ra vetë,
Trimërinë s’e la shkretë.
Pa kur erdhë egërsirat
Me të gjitha të pahirat,
Si hynë, shqeh e të tjerë,
Duke vrar’ e duke prerë,
Të gjithë kombet’ i zunë
Dhe në kurt të keq i shtunë,
Njeri përpara s’u dilte,
Gjithëkush udhën’ u çilte.
Vetëm prindit trima tanë
“Gjer aty, barbar’!” u thanë.
Dhe kur erdhë nga Asia
Të shumë si mizëria
Tyrqitë, q’ishinë trima
Dhe binin si vetëtima,
Pa më thoni kush lëftonte
Edhe gjësendi s’pësonte?
Vall’ elinët a bullgarët! { elinët — elenët, grekët }
Apo neve shqipëtarët?
Njeri tjatërë s’kuxonte,
Veç shqipëtari lëftonte!
Ajy prap’ e ka shpëtuar
Evropënë e verbuar.
Kush nuk e di Skënderbenë,
Që nderojti mëmëdhenë?
“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,
Armët e ti’ kur i pashë
Ndë Belvedere në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.
Dhe sot nga armët e tija
Kullon fjeshtë trimëria!
E di njerëzi e tërë
Atë zot ç’punë ka bërë
Kur hiqte Skënderbeu shpatë,
Trimavet u ipte datë!
Burra të veshur në hekur
Dhe luftëtarë të pjekur,
Q’ishin në luftë kaluar
Përmi kuaj të harbuar,
Kur hiq me kordhët të prehtë,
Q’ishte si pëndëz e lehtë,
Posi pjepërin i priste,
Në vdekje pa ndjer’ i klliste,
Njerin’ e kalën e çante,
Të dy më katër i ndante.
Mirësin’ e trimërinë,
Dhe mëndjen, e urtësinë
T’ati zoti njeri kurrë
S’e ka pasur nonjë burrë.
Vet’ ajy burr’ e trim ishte,
Edhe shokëtë që kishte,
Si Tanushi me Uranë,
E Moisiu me Hamzanë,
Si Maneshi e Muzaka,
Që hidheshin posi flaka,
E si Lekë Dukagjini,
Si Perllati, si Mardini,
Zënëbisha, Araniti,
Gjon Koka, q’ish si hastriti,
Kont, prens, mbretër e të tjerë,
Burra të vler’ e të ndjerë.
Qenë trima të vërtetë,
Nuk u bënë rop në jetë.
Opopo! ç’kanë lëftuar,
E ç’punë kanë punuar!
Sa mbretër e prensër qenë,
Njohnë të math Skënderbenë,
Zun’ udhën e urtësisë,
Ishinë lark marrëzisë,
Për Shqipërinë lëftonin,
Madhëritë nuk’ i donin,
Po kishin vëllazërinë,
S’e qasninë djallëzinë,
Pa lan’emërë përjetë,
Zotërinjtë e vërtetë,
Veç Shqipërinë mejtonin,
Të tjeratë i harronin,
S’kishin ata thashetheme,
Të këqija e të rreme,
Donin gjithë mëmëdhenë
Dhe kombin’ e Skënderbenë,
Kush i rrij kundrejt Tyrqisë,
Veç burrat’ e Shqipërisë,
As Sërbij’ as Bullgaria,
As Elladha as Vllahia,
As Venetia qëndronte,
As tjatërë komp kuxonte.
Evropa ishte e shuar,
Njerëzit të mallëkuar,
Kishin vdekurë nga frika,
Nga Tyrqit’ u binte pika,
U trëmpnë gjithë me radhë,
Dhe Vlladisla me Uniadhë,
Si gjithë këta të rinjtë,
Dhe papa e vyzandinjtë
Më një ditë Konstandinë
Tyrqit’ e zunë dh’e pshinë,
Kostandinopoj’ e ndjerë
S’u mbajt, po ra menjëherë.
Grekërit’ ishin të vdekur,
S’hanin dot barut e hekur,
Le të mbahen me lëvdatë
Grekërëtë posi gratë,
Me fjal’ e me thashetheme,
Janë të gjitha të rreme.
Kishte vdekur njerëzia,
Rronte vetëm Shqipëria,
Veç shqiptari lëftonte,
Njeri tjatërë s’kuxonte.
Kordhëtar tjatërë s’gjenë,
Tyrqitë, veç Skënderbenë.
Skënderbeu me të parët,
Me të gjithë shqipëtarët,
I qëndruanë Tyrqisë,
I dhanë nder Shqipërisë,
Ata duall’ e lëftuan,
Gjith’ Evropën’ e shpëtuan.
Te Skënderbeu kishte shpresë
Aher’ Evrop’ e pabesë.
Rrëfe, o mal’ i Sopotit!
Edhe ti, Tomor’i zotit!
Me oshëtimë tregoni,
E me vetëtimë thoni,
Dhe ti, fortes’ e Beratit!
E ju, bregoret’ e Matit!
Folë, fol’ o Drin’i shkretë!
Q’i ke parë me sy vetë
Të tër’ ato ligjërime
I mer vesh zëmëra ime.
Këto gjithë po i dimë,
Më tëhu tani të vimë.
Pas Skënderbeut Shqipëria
Nukë ra në të këqija,
Se në kurt’ kurrë s’ka rënë,
Poshtë njeri s’e ka vënë,
Se shqipëtari ish burrë,
Nënë zgjedhë s’hyri kurrë.
. . . . . . . . . . . . . .
Nder’ e vjeftënë e mbajti,
Dhe sedrënë nuk e ndajti,
Nuk e harroi mëmëdhenë
Dhe lirin’ e Skënderbenë,
I huaj në vëndit tënë
S’shkelte dot, se nuk ish thënë
Retë muntte të përpinte,
Në Shqipëri s’munt të vinte;
Fill e vetëm shqipëtari
Udhëtonte si m’i pari,
Me mbledhët të pleqësisë
Shihej pun’ e Shqipërisë
Ligë kishin të vërtetën,
Që sbukuron gjithë jetën,
Kishin udhë urtësinë,
Besë kishin njerëzinë,
Udhërëfenjës e dritë
Kishin gjithë mirësitë.
Gjithë sa qenë të parë
Dhe me mënt e kordhëtarë,
Q’i dhanë jetë Tyrqisë
E nder të math Shqipërisë,
Të tër’ ishin shqipëtarë
Sa bënë punë të mbarë,
Si Qyprilit’ e të tjerë
Burra me emr’ e të ndjerë.
Shqipëtari mbretëronte,
Ajy lëftont’ e gjykonte.
. . . . . . . . . . . . . .
Shqipëria ishte zonjë
E kishte të madhe pronjë,
Shqipëria kurdoherë
Ka nxjerrë trima të vlerë,
Mehmet Alin’, Ibrahimnë,
Gjikënë, Gjolekë trimnë,
Rrapon e Ali Pashanë,
Silahdarë e Shkodranë
E shumë njerës të tjerë,
Si këta dhe më të ndjerë.
Ishte vash’ e Shqipërisë
Ajo zonj’ e urtësisë,
Dora Distra nga Përmeti,
Q’ish në diturit si deti.
Gjithë gravet u ka dhënë
Nder dhe mëmëdheut tënë.
E kush e bëri Morenë?
Gjithë shqipëtarë qenë.
S’ish shqipëtar Marko Suli?
Xhavella e Miauli?
Bubulina e Kanari?
Shqipëtar bir shqipëtari.
Me armët të Shqipërisë
Iu hoth themeli Greqisë,
Po grekërët e pabesë,
Që iu bënë zot Moresë,
S’e duanë shqipëtarë,
Kërkojnë t’i bëjnë varrë!
Po kush bën në këtë jetë
Varr’ e shokut, bije vetë.
Nukë trëmbet shqipëtari
Nga greku e nga bullgari,
Nga Mal’i Zi, nga Sërbia
Nukë trëmbet Shqipëria.
S’trëmbet kurrë shqipëtari,
Dhe sot ësht’ ajy i pari,
Bota gjith’ e kanë parë
Në luftëra shqipëtarë,
Plevna, Shipka s’u harua,
Koha shumë s’u mërgua.
Neve muntmë venetjanët
Dhe barbarët e romanët,
Turqinë edhe Persinë,
Afrikënë e Hindinë.
. . . . . . . . . . . . .
Gjithë njerëzit e dinë
Kush e bashkoi Italinë.
Cilët për vdekj’ e për kokë
Garibaldi kishte shokë?
Shqipëtar ishin të tërë,
Ata punë kanë bërë.
Edhe sot lul’ e Tyrqisë
Janë djemt’ e Shqipërisë,
Njerës t’urt’ e të vërtetë,
Të ditur e pa të metë.
Edhe sot është i zoti
Shqipëtari si qëmoti,
Çdo punë që ka punuar,
Kurdo e ka trashëguar.
Këto të vërteta janë,
E të rrema brënda s’kanë
Njeriu po të mësonjë,
Këto do t’i kupëtonjë.
Eshtë fjalëz e vërtetë,
Që tjatërë komp në jetë
S’i arrin dot shqipëtarit,
Burrit trim e punëmbarit.
Ka nxjerrë e do të nxjerrë
Shqipëria kurdoherë
Burra t’urt’e të vërtetë,
Ka pasur dhe do të ketë.
I ka dhënë perëndia
Gjithë ç’donte Shqipëria,
Se e ka ngrehur përjetë
Zot i math e i vërtetë.
Shqipëria s’copëtohet,
Kurrë nukëvarfërohet,
Posi hëna përsëritet,
Kurrë nukë kahënitet.
. . . . . . . . . . . . .
*
* *
Gjithë ç’jemi shqipëtarë,
Jemi një fis e një farë,
Kemi të tërë një shpresë,
Një gjak, një gjuhë, një besë,
Besë kemi perëndinë
Dhe ligë vëllazërinë,
Jemi gjithë shqipëtarë,
S’jemi të çar’ e të ndarë,
Jemi shtëpi e fëmijë,
At’ e mëm’ e bir e bijë.
Mëmë kemi Shqipërinë
Edhe motër urtësinë,
Kemi ndihmës trimërinë,
Mëm’ e atë perëndinë,
Se asaj i prumë besë,
Të gjith’ atje kemi pjesë.
. . . . . . . . . . . . . .
S’jemi as turq as kaurë,
Mos e thoni këtë kurrë,
S’jemi grekër as bullgarë,
Jemi vetëm shqipëtarë
Ky emërë na ep nderë,
Pa s’na duhenë të tjerë,
Kemi gjuhëzënë tënë,
Zot’i math na e ka dhënë,
Dhe komp e mëmëdhe kemi,
Të humbur në jetë s’jemi.
Ajy që s’do mëmëdhenë
Dhe kombin e vetëhenë,
Dhe gjuhënë që flet vetë,
S’është njeri i vërtetë.
Ata quhen tradhëtorë,
Janë të mjer’ e të gjorë,
Faqezes e gënjeshtarë
Dhe të paqën’ e të marrë,
E lenë mënjanë nderë
E lipin derë më derë
Ata janë posi berri
Edhe të ndyrë si derri.
Nder e vjeftë s’munt të ketë
Njeriu i tillë në jetë.
Gjithë ç’jemi shqipëtarë,
Jemi një s’jemi të ndarë,
Kët’ emërë mjaft e kemi
Dhe na ep nder kur e themi,
Eshtë emr’i Skënderbeut,
Emr’i gjithë mëmëdheut,
Me kët’ emrë të bekuar
Tanëtë janë lëvduar.
Selenik e tatëpjetë
Ka qënë dhe do të jetë
Vënd’i tër’ i Shqipërisë
Me ndihmët të perëndisë.
O ju fqinjtë e pabesë!
Mos bini me atë shpresë,
Shqipëria s’copëtohet,
Shqipëtari nukë ndrohet.
Ju e njihni shqipëtarë,
E kini parë më parë,
Po mos delni nga kufitë
Edhe lini marrëzitë.
Që të kemi miqësinë
Të gjithë dhe dashurinë,
S’ka njeri të marrë pjesë,
Për të zonë do të mbesë
I zoti ‘shtë shqipëtari,
Ajy që ka qën’ i pari,
S’ka njeri tjatërë pjesë,
Pa nukë ka besa-besë.
Shqipëria ka të zonë,
Q’e ka pasur gjithëmonë,
Me qënë gjall shqipëtari,
Ç’kërkon greku dhe bullgari?
Dhe Mal’i Zi e Sërbia
Ç’kërkojnë nga Shqipëria!
Hiquni, o të pabesë!
Se e zeza do t’u presë!
Djemt’ e Skënderbeut përjetë
Janë burra të vërtetë,
Ç’e pandehtë shqipëtarë?
Të vdekur, q’i bëni varrë?
S’e dini ç’u ka punuar?
S’më ngjan t’i kini haruar.
Kush ia ka me të pabesë
Shqipërisë, do të vdesë,
Do të vdes’ e të humbasë,
Nga nakari të pëlcasë,
Shqipëria do të rronjë,
Paskëtaj të mbretëronjë.
. . . . . . . . . . . . .
Në pastë nër shqipëtarë
Pakë grekër e bullgarë,
Pakë shqipëtarë janë
Vallë nëpër fqinjtë tanë?
Ne duam vëllazërinë,
Dashurin’ e miqësinë,
. . . . . . . . . . . . .
Pa luftës s’i trëmbet kurrë,
Shqipëtari është burrë.
Edhe Evropa e tërë
Sonte me ne është bërë,
Se të drejtën ne e kemi,
Ne të zott’ e vëndit jemi.
. . . . . . . . . . . . . .
Sot për sot Maqedhonia,
Thesprotia, Mollosia,
Dhardhania, Iliria,
Paravea, Haonia
Që u thoshinë qëmoti
Bota, po s’u thosh i zoti,
Bëjnë gjithë Shqipërinë,
Edhe fqinjtë ton’ e dinë.
Tani, djemt’ e mëmëdheut!
O të bijt’ e Skënderbeut!
Ju, o vëllezër e shokë!
Pa mblithni mënttë në kokë,
Xgjuhuni, o shqipëtarë,
Se afëroi dit’ e mbarë!
Mos vini veshnë në botë,
Si të dojë le të thotë.
Gjithë ç’jemi shqipëtarë,
Jemi një komp e një farë,
Edh’ e tërë Shqipëria
Eshtë një si perëndia.
Lereni mënjanë fenë,
Të shikojmë mëmëdhenë,
Të jemi miq në mest tënë
Dhe shokë, si kemi qënë,
Ta shtojmë vëllazërinë,
Dashurin’ e miqësinë.
. . . . . . . . . . . . .
Jemi djemt’ e mëmëdheut
Gjithë dhe të Skënderbeut,
Sicili le të besonjë
Sikundër të kupëtonjë,
Po feja të mos na ndanjë,
Në xgjedhë të mos na mbanjë.
Përpiqi për vethet tuaj,
Mos për bot’ e për të huaj.
Eshtë dit’ e diturisë
Sot e koh’ e urtësisë
S’bën dot punë marrëzia,
Padija e foshnjëria,
Poshtë ndarja e nakari,
Qoftë lark nga shqipëtari,
Rroftë bashkimi përjetë,
Q’e fali zot’i vërtetë!
Ta kemi vëllazërinë,
Miqësin’ e urtësinë,
Një fjalë gjithë të themi
E një dëshirë të kemi:
Të nderojmë mëmëdhenë,
Gjuhënë e vetëhenë,
Shqipërinë ta shpëtojmë,
Së gjithash ta lartësojmë
Atë kemi gjithë mëmë,
Në të huaj nuk’ e lëmë
Pa njeri të mos kuxonjë
Ta pres’ e ta copëtonjë.
Shqipëri, o jetëgjatë!
Ty të kemi mëm’ e atë
Dhe për ty do të lëftojmë,
Gjersa të të trashëgojmë!
Për ty gjithë, dit’ e natë,
Mejtohemi gjer’ e gjatë.
Ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh,
7 As drobitesh, as pengohesh.
Më ke gjithë bukuritë
E të tëra mirësitë:
Ke fusha me lule shumë,
Lumënj të mbëdhenj pa gjumë,
Male të lart’ e të veshur,
Buzën’ e detit të qeshur;
Gjithë gazë ta dha zoti,
Ta ka falur që qëmoti;
Më je dritëzë në dritë,
Me të gjitha mirësitë.
Për ty shumë do të thoshe,
O Nuseja bukuroshe!
Ti s’plake kurrë në jetë,
Posi perëndia vetë!
Vdekja edhe pleqëria,
Shëmëtimi, dobëtia,
Ty s’ta zënë dot pëqinë,
Mësa zënë perëndinë!
Ke pjell’ aqë të vërtetë,
Sa s’nëmërohen në jetë,
Pa ke pjellë Skënderbenë
E gjithë trimat sa qenë.
Ke sot djem t’urt’ e të mirë,
Trima me shumë dë shirë.
Nukë vdesin shqipëtarët,
Janë vet’ata të parët.
Dardha nënë dardhët bije,
Dit’ e sotme qe dhe dije,
Nukë shuhet njerëzia,
Vdes e ëma, rron e bija,
Rron i biri, q’është vetë
I ati që qe ndë jetë.
Trëndafili, që ep er1%,
Çeletë sërish në verë.
Ju priftërë mjekër gjatë,
Q’u quan kombi uratë,
Uratë e perëndisë,
Q’është drit’ e gjithësisë,
Munt të bëhi të pabesë
Për të mirët të Moresë?
……………………….
Hrroni dot mëmëdhenë?
E pse? Ç’e kemi Morenë?
Krishti grek nukë ka qënë,
Dhe besën ata s’e bënë.
Dhe ju hoxh’ e ju dervishë
Mos shihni xhami e kishë,
Si kisha ‘shtë dhe xhamia,
Tekdo është perëndia,
Pa të tërë njerëzinë
Zot’ i math e ka të tinë,
Se përpara perëndisë
Nj’është tuf’ e njerëzisë
Kush ka zëmrë të qëruar,
Munt të jet’ ajy m’i çquar,
Se po vetëm urtësia
N’afëron te perëndia.
Ta doni keq perëndinë,
Po bashkë me Shqipërinë.
Shqipëri, të qofsha falë!
Të kam mëm’ e më ke djalë,
Në gjit tënt ngrihem e bije,
Ti ke fuqi perëndie,
E mer në gjit bukurinë
Dh’e nxjer prapë kur hap gjinë.
Trëndafil’ i kuq me palë,
Që nga gjiri yt ka dalë,
Është gjaku i një mbreti,
Që prëhje ndë gjit tënt gjeti.
Nga të mos nxjerç lule m’erë
Ti, që këllet kurdoherë
Ndë gji vetë bukurinë?
Gjithë tek ti ven’ e vinë.
Parrajs’ e vërtetë vetë
Është Mëmëdheu në jetë.

(Marr nga Portali “Ora Shqiptare”)