Tufë poezi, nga poeti Emin Z. Emini

Emin Z Emini

DY ULLINJ

një kas kali 
i zi
dalë detit të zi
të egra hingëllimat
shtëllunga pluhuri tymi mjegulle
shkumë e verdhë gojës
shkretëtirë pas

nëntë plagë trupit
e shpirtit motërzeza plagë e dhjetë

tokë prushi
ëndrra
mish çelik gjak
një shpatë
një kokë e shkurtuar

nëntë diej e nëntë hëna
galop 
në shpinën e gjokut 
i bardhi kumt

det’ i zi u kuq

*
mijëvjeçarëve moirë
thonë
dy ullinj
kullojnë e çelin 
luledashuri

SOT
jam unë dhe hiri që jemi një
dhe bomba hidrogjenike e diellit kurdisur në paanësinë
dhe luzmimi i pranvertë i bletëve
dhe gjaku i kaltër lumëngrirë i pinguinëve perandorakë
dhe varri me lule të egra çelur në gjoksin tim
dhe brenda tij ti
dhe pakuptimësia

BOTA E BUKUR

e bukur është lulja thonë
dhe s’di pse bëjnë llafe koti kur kjo veçse dihet
pastaj 
e verdha në të murrme e hënës së moçme
gënjejnë bukur poetët e majmë a asht e lëkurë

kënga e zezë që del nga qafa e bardhë e e saksafontë e mjellmës
hithërat 
e=m•c²
dehja e motit
kërcimi i karçinëve

dy vija më të gjata të shtrembra 
dhe një vijë më e shkurtër e shtrembër në mes tyre 
në një fletë të zhubravitur e të bërë pis 
nga duart e vockla të një fëmije 
kur vizaton prindërit dhe veten
ja ku po ua them në besë
më të bukura se mona lisa
janë

bukuria vetë është satana 
parajsa e besimtarit qorr
koka katërkëndëshe e hipopotamit
kozmosi

asgjëja është e bukur
kurvat e trishta të atij plakarecit me mustaqe si furçë bojaxhiu
trishtili
të cilin vetëm emri e ruan nga mësyshi
nga xhelozia e othelltë
këlyshi i dheut
skizofrenia
shtriga me fshesë e përrallave
jela e pelës pilivesa parisi
shkretëtira vdekja
muja e halili
dreqi e i biri de

deh
e tërë bota është e bukur
kur të shoh duke ardhur drejt meje 
moirë

Asnjërës sime

ka shumë moira sot
siç për shembull
eva e pamëkatshmja e mollës së mëkatit 
doruntina e nëntë varreve të konstantinëve
zhan d’ark eskimezja anonime ana frank
lukja virgjër që shiste mishtë e saj strukur në lëkurën e huaj
monaliza që ua ka vjedhur me sytë vëngër buzëqeshjen vejushave
elektra e pakompleks
lolita e mikut tim të çmendur pas bukurisë së fajshme
që fëmijërinë ia maste me inch me foot me spermë
nënëshenjta bojëgjakja gonxhja
spikerja e parashikimit të motit në televionin kombëtar kamboxhian
ajkuna ana rihanna artemida aida
helena e trojës së rrënuar nga shprishja e gërshetit të saj
aktorja e teatrit të rrugëve
desdemona dora d’istria diana
gruaja ime princesha kontesha dukesha mbretëresha e esha pafund
pijanece heroina perëndesha e shejtane
dhe për shembull edhe gra të tjera
kukulla e kukudhe e kukuvajka
floçka e feçka e ferra

ka shumë moira sot

dhe je ti moirë
që je të gjitha bashkë
që nuk je asnjëra nga këto

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *