Shkruan: Mustafë Krasniqi – NË VARGUN TIM TË PARË

Mustafë Krasniqi

Fejtoni nr. VIII

  Duke i lexuar librat e autorit Lebit Murtishit, shpreh bindjen, se ai është prej poetëve më gjallërues e frymëzues në krijimtarinë letrare shqiptare në diasporë. Si shumica e poetëve që kanë shkruar për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen, po ashtu edhe ky poet e trajton këtë motiv, por të tërën me një novacion krijues e figurativ, sidomos me mjeshtri i përdorë rimën figurën, simbolin aty ku duhet.

Përmes përmbledhjes “Pelegrinë në Janinë”, “Harku i Lahutës” dhe “Jam Unë” na paraqitet me një thesar të pasur vlerash artistike,  që përhapin një duf te shpirti i lexuesit si një erë e këndshme.

Prandaj natyrshëm po e fillojmë shtjellimin, duke i shkëputur disa vargje të tij, te cikli i parë “Jam unë”:

Në vargun tim të parë

Shtjellohet lëmshi i kohës,

Shquhet mendimi i prerë

Dhe ndjehet aroma e sofrës.

Te këto katër vargje apo poezi prej tre strofa katërshe shohim një rimë sipas metrikës ABAB, po edhe një  ndërtim figurativ ku dhimbshëm e përmallshëm prek të ndjeshmen e siç thotë te poezia .

Qaj, o njeri!

Qaj

Siç qave

Në djep kur të lidhën

Shpërgënjtë e dashurisë.

Në dallim prej disa poetëve tjerë, Lebiti nuk ka vijë gjithmonë me një rregull të vargut katërsh si te disa poetë që më tepër e kultivojnë këtë rregull.

Varësisht prej vargut që e trajton, duke i dhënë vlera cilësore nga arti i së bukurës, duke qenë tërësisht i motivuar nga ide të mëdha njerëzore dhe atdhetare e përcakton edhe vargun dhe formën artistike.

Edhe te ky poet si te poetët tjerë mërgimtarë gjejmë temën, motivin dhe përkushtimin në krijimtarinë e tij, duke filluar nga motivi i atdhedashurisë, mallit për vendlindjen e atdheun, motivi për shquarsinë dhe përkushtimin ndaj heronjve dhe dëshmorëve etj.

Vendlindja për poetin është një veçanti, një pikë e rëndësishme në palcën e  Atdheut, ajo lidhet me nënën ku e mëkoi,  prandaj edhe i shpërthejnë vargjet:

Do të kthehem unë një ditë

Rrugës nga kam ardhë,

Por me flokët si dëborë

Dhe mjekër të bardhë.

Do të vij tek ty, oj nënë!

Pritëm edhe pak,

Por i lodhur, jo si djalë!

I thinjur si plak,

    Te kjo poezi katërshe, me katër strofë poeti na vjen duke i dhënë asaj një muzikalitet dhe rimë  të goditur, që ka një fuqi artistike dhe një porosi të qartë. Përmes këtyre vargjeve ka shtjelluar një dhimbje dhe të dukshme.

Pelegrinë në Janinë, jam unë dhe Harku i lahutës

   Krijimtaria artistike e mërgatës është e veçantë, sepse krijuesit letrarë shkrihen bashkë me ndjenjën, unin, lotin, dhimbjen, dhe mallin për atdheun, kështu që natyrshëm dalin vargjet dhe fjalët e fjalitë, ato janë më të sinqerta dhe të fuqishme qoftë përmes poezisë apo tregimit, prozës etj.

Padyshim njëri prej këtyre poetëve, të lidhur denjësisht gjer në maje koke me Shqipërinë si tërësi etnike dhe të natyrshme, me mallin e pashuar për të, është edhe artisti i fjalës së bukur, shkruesi i vargut me pasion, Lebit Murtishi.

Lebit Murtishi si një poet i frymëzuar pas së bukurës, në të tri librat e tij “Pelegrinë në Janinë”, “Harku i Lahutës” dhe “Jam unë”, jo vetëm se arriti të krijojë përmbledhje të shumta poezish, të kapshme për lexuesin, por përmes tyre  arriti ta pasqyrojë realitete të theksuara të historisë shqiptare, qoftë përmes porosisë së vargut, qoftë përmes ndërtimit dhe artikulimit poetik. Ai  përmes aktit poetik shpreh botën personale dhe trajton në mënyrë me të denjë motivin e dashurisë së Atdheut, të Heroit, dhe të mallit që e djeg të mërguarin. Përmes vargut trajton  një dukuri të veçantë të motivit e formës dhe më këtë angazhim na del në sipërfaqe duke i shpërthyer dufi i tij qoftë për dhimbjen, mallin, apo për gëzimin, dashurinë, e heroin.

Harku i Lahutës është një libër që përbëhet prej tri cikle: “Erë dheu”, Portret mërgimtari dhe cikli i fundit “Tinguj të vjetruar”.

“Harku i Lahutës” te cikli i parë “Erë dheu” fillon me baladën për Ramadan Lleshin, ku më poshtë shkruan poeti:

……………..

Nuk të ngritëm përmendore

Se ishe trim pa kufi

Paske rënë duke kënduar

“Rrofsh moj Nënë Shqipëri”

……………………

më thuaj o trim me fletë

a vdesim a dalim gjallë.

Te  libri“Pelegrinë në Janinë” poetin shikojmë se si vrapon pas qëllimeve të shenjta të Atdheut. Këtë libër e përbëjnë tre cikle duke filluar me poezinë “Shqipëri!” e duke përfunduar me dy poezitë e fundit “Ç’udhë të marr…” dhe “Është poezi kjo…”

Mos thuaj

Se s’më ke bir,

Mos thuaj

 se s’ më ke djalë

………………..

Nuk e di

Ç’udhë të marr

Por do të ndjek

Edhe në varr…

Poezia e Lebitit është nostalgjike, e me të gjitha  format e figurshme, si me simbole, krahasime, i rimon shumë këndshëm,  po ashtu e shkruan edhe Baladën, etj.

Te libri “Këtu jam që sot e mot” që përbëhet prej tre cikleve “Gjurmët e Etërve të mi”, “Ky shi” dhe “Tinguj nate”, është një përmbledhje nga e cila poeti ka arritur ta shpalosë botën e brendshme, sepse në trupin e tij kanë mbetur gjurmë të pashlyera nga torturat e hienave që synonin ta shqyenin çdo bir shqiptari. Prandaj ai do ta trajtojë heroizmin e bijve e bijave shqiptare që dinin t`ia lartësonin emrin mëmëdheut.

Këtu jam që sot e mot

Kështu këndon Karadaku

…………………….

Erë gjaku bie dheu

Bie erë Shqipërie

Por edhe në vargjet të tjera lidhet një kronologji historike, përmes figurave qendrore të kombit, që nga Skënderbeu e tutje, ndalet te Jasharët, te komandant Tigri etj dhe thotë:

Tok Zymberajt dhe Jasharët

Shqipërisë ja falni bijtë.

…………………………..

Këmbëkryq Komandant Tigri

Në Vaksinën kryelartë.

Poezia e Lebitit është e prekshme, e ndjeshme, në të sa gjen krenari, por gjen edhe dhimbje e lot malli. Ai është këngëtar që i këndon heroikës, madhështores, i këndon heronjve, atdheut, megjithëkëtë i këndon me shumë mall edhe nënës, familjes, pa i ikur dashurisë. Te poezitë e Lebitit gjejmë një ndjeshmëri, ndonëse këtë e hasim te shumë poetë të mërgatës, ku shpirti i digjej për vendlindjen. Shumë i këndojnë atdheut, heroit, dashurisë, por Lebiti sikur e gdhend këtë varg me një përkushtim dhe me tërë fuqinë krijuese zotohet të dalë i kompletuar para lexuesit. Këtë  përkushtim të tij e shohim edhe te libri “Dolli Gjaku” ku përmes kësaj  përmbledhje i këndon edhe krijuesit, siç na del te poezia “Kur kam mall” që i kushton poetit të madh Lasgushit, me këto vargje:

Kur kam mall për dashurinë

Malli shpirtin kur më djeg

Të kërkoj te Shendaumi

Të kërkoj te ndonjë breg…

Lebitin e shohim edhe në roman e në monodrama si një krijues të denjë, apo artistë i përkushtuar pas së bukurës, ndaj për ta parë se ç`vlerë artistike ka Lebiti, po ua ofrojmë ca pjesë të monodramës “Ky dhe ka zot”

Jam unë… Adem Jashari më thonë… (duke shtrënguar ballin). Këtë emër më vuri babai Shaban. Dhe s`më pyeti fare . Ndoshta kish të drejtë:vetëm për emrat  nuk pyetemi. Por nejse, as tim et s` e ka pyetur babai i vetë , gjyshi im…(sjell nëpër mend drurin familjar. Ulet afër pragut):na ishte Murati…që la në djep Fazliun. Shkoi në luftë dhe s’u kthye më. Kur u rrit Fazliu la pasardhës Murati; ringjalli babain, pra Babgjyshin tim. Murati la pasardhës Shabanin…Shabani lindi më 1924 kur u vra Azem Bejta në luftë me serbin në Drenicë. Shabani la Rifatin Hamzën dhe mua.

Përmes kësaj monodrame dhe përshkrimit të trungut familjar të Jasharëve, në mënyrë të përsosur ka marrë nektarin nga vlerat të rëndësishme historike, duke  dhënë  emocione të shumta, prandaj edhe  lexuesi përmes vargut të tij do ta njohë trungun e heroit apo edhe vetë lashtësinë e kombit, e siç na thotë në mënyrën më figurative edhe atë artistike Lebiti:

Po të flinte Ahmet Delia, nuk do të rritej Tahir Meha, e po qe se flinte Tahir Meha nuk do të rritesha as Unë…

Do të thotë se përmes një përshkrimi, shkrimtari ka arritur të përpos fjalën e tij duke u mbështetur në pjesën historike. Kështu ka paraqitur dhe shpirtin e tij prej një krijuesi, poeti që premton shumë, mbase me këtë pjesë që po e japim më poshtë, Lebiti e ka arritur kulmin e qëllimit në mënyrën më profesionale dhe ajo që të bën të mendosh, se ne kemi të bëjmë së pari me një njeri të kulturuar dhe të emancipuar, me një atdhedashës, veprimtar i çështjes kombëtare, me një poet, krijues të vlerave, që është i pasionuar pas së bukurës dhe vlerës, cilësore, duke i dhënë intonacion, ngjyrim, muzikalitet, figurë veprës së vet. Këtë e bëjnë vetëm poetët e përkushtuar, prandaj natyrshëm këtë e bën edhe Lebiti me një mjeshtri të rrallë të fjalës artistike e ku më së mirë flasin edhe këto vargje, pjesë nga monodrama:

E këndoi Pirrua, Akili, Leka, Skënderbeu, Abdyli, Ymeri; e Mici mbi top kur hapi gjoksin, e këndoi Avniu në zemër të Parisit, e këndoi Pashai në muret e Janinës, e kënduan shqiponjat në maje të Karadakut, e këndoi Korabi e Sharri, e këndova Unë me soj e me farë, e prapë këngë e njëjtë, prapë erë e njëjtë shungullon gjakimin shqiptar.

Po sa lehtë do ta ketë lexuesi të kuptojë porosinë, përmes vargut dhe kësaj monodrame, prandaj do të  ta zbulojë shpirtin e Lebitit, se sa përkushtim njerëzor e atdhetar ka, se cila rrugë ishte dhe është e tij, se ç`pikësynime të larta ka. Vërtet vetëm kjo pjesë e poshtme e monodramës na lë të kuptojmë se cila ishte rruga e poetit…?

 Eh, sa herë kanë dashur ta fshijnë këtë emër nga harta gjeografike, sa herë kanë nëmur historitë e nëmura, sa herë, ehu! Sa herë….

Ndaj mbeti kështu me shumë emëra:

 Pelazgjia, Iliria, Arbëria, Epiri, Ilirida, Dardania,