Shkruan: Mustafë Krasniqi

DREJTËSI E PËRGJAKUR, KU JE FSHEHUR?
Drejtësi e përgjakur, ku je fshehur?
Zërat e mbytur nën gërmadha të thërrasin,
me klithma dhimbjeje që çajnë heshtjen
shpëtona nga vdekja… e ti, ku je?
Harbutët e ëndrrave të çmendura
hedhin bomba mbi të pafajshmit.
Vriten fëmijët, duke thithur cucllën,
nënat me gjoksin e tharë në dëshpërim.
Qielli skuqet nga flaka e dronëve,
sirenat lajmërojnë vdekjen e hapur,
shtëpitë zhduken deri në themel
vetëm pluhur, britma dhe hije mbesin.
Drejtësi e padrejtë me të pafajshmit,
gjykoni kriminelët në uniforma.
Ata fshehin familjet në katet e dhjeta,
ndërsa toka digjet dhe buka s’u mungon.
Pse ka luftë në këtë në botën moderne
të ndërtohen bomba shkatërruese,
t’ ia vjedhin dashurin nënës
duke ia mbytur fëmijën në gji?
Këtë mizëri e pa bota në sytë e saj
gjeneralët serbë, të egër, pa mëshirë,
ia nxorën fëmijën nga barku nënës,
të mos lind shqiptar në tokës arbërore.
Kur do të përfundoj kjo padrejtësi,
o botë e çmendur, e verbër ndaj dhimbjes?
TË DUA TË FORTË EDHE PËR TË TJERËT
Flokëkaçurrelja ime, me gërshetin lidhur,
E thjeshtë, pa pomadë në fytyrë,
as të kuq në buzë, veç të kuqe natyrshëm,
më përqafoi, më puthi me mall në ballë.
Shtati i saj si pishë mali krenare
Shkodër ma thërriste im atë,
e patrembur, me xhelozi ruante
familjen, e ndërtuar me sakrificë.
I ndiente në shpirt dhimbjet e mia,
shpesh, fshehurazi, ia zija lotin në gushë,
në fijet e holla të rrezes së mëngjesit,
me kafe në dorë, priste puthjet e mia.
Ti je i fortë, sfidues, më tha një ditë,
i ke përballuar rrëmujat e kohës,
s’të ka trembur asnjë furtunë,
as plagët e shekujve që thernin kohën.
Ti je në rrugën e inteligjencës së zemrës,
e keqja mundet me forcën e mendjes.
Besimi ndryshon realitetin fizik,
nëse ke vullnet, i beson mendjes tënde.
Për ty, njeriun e furtunave, nuk ka të liga,
nëse ndjek emocionet e vërteta,
e shërbehesh me fuqinë e vëmendjes,
çdo dhimbje, sëmundje i mund më the.
Unë, besoj në fuqinë tënde im shoq,
me buzë të kuqe, pa grim e pa mashtrim.
më puthe në ballë marrëzisht dhe më the:
Të dua të fortë edhe për të tjerët.
USHTARI I LIRISË
(Bajadin Allaqi)
Ti ishe rruga drejt lirisë,
Ecje pa frikë, nëpër zjarr.
Mendjen e kishe te shokët,
Filozofia jote mposhti egërsinë.
Në Kollare, me syze ishe,
Logjikshëm the:
“Pena është fuqia e mendjes,
krisma e pushkës është vet liria.”
Në Prizren, thjeshtësia jote foli thjesht,
Unë dhe ti hipur në qerre kalit,
Rrugës shikonim njëri-tjetrin,
Dy shokë që rrinin në vëzhgim.
Kur krismat morën ushtimën në brigje,
Ti me vete kishe pushkën dhe penën,
Dikur sekretar i LPK-së,
I burgosur nga ata që të kishin frikë.
Ishe në Konferencën e Prapashticës,
Në Mbledhjen e Tretë, në fshatin Ujëmirë,
Në Kollare të Kërçovës, ishim së bashku,
Në Mbledhjen e Katërt, në Kodrën e Trimave.
Ti ishe frymëzimi i Ushtrisë, UÇK-së,
E the: “Pa ia ngreh gishtin martinës,
Nuk tremben hienat sllave, armiku,
E nuk do të kemi liri e bashkim kombëtar.”
Në detyrën e ushtarit të lirisë, ishe kudo,
Po t’i kërkojmë eshtrat, lule për të vendosur,
Që një ditë pranë shtatores të përulemi,
Ta kujtojmë penën, pushkën në krah të lirisë.
“MORA FJALË” E DHASHË BESË
Në stadiumin e plisbardhëve,
kombëtar në zemër të Tiranës
shpërtheu kënga e zemrës – mora fjalë
buzëqeshte fusha, qielli i dridhur
nga një fije e hollë rreze dielli.
Jehona u ngrit nga kuq e zinjtë
nga retë e bardha, ku qëndrojnë shqipet
zbriti zëri i heronjve në kor
zemër bashkimi -Shqipëria ime
brohoriste toka mëmë, me nder e mall!
“Mora Fjalë” e dhanë besë
kuqezinjtë, bijtë e tokës arbërore
zë i bashkimit, ne do të jem përjetë,
nderi i kombit, amanetin i të rënëve!
“Mora Fjalë” e dhashë besë
ta bashkojmë mëmë Shqipërinë
me gjakun e heronjve n’ shtatore lirie.
ZËRI SHQIP
(Natyra-mjekja)
Dëgjova zërin – shqip,
si t’ më thërriste toka mëmë:
unë jam Natyra, mjekja jote
mos ki frikë o arbëror
çdo gjë do të shkojë mirë.
Mos ke mendjen te frika
e buzëqeshur më tha:
hiqe mendjen nga gjilpëra,
merr frymë thellë… dhe liroje.
I shtrirë rrija, për të më marrë
lëng nga palca kurrizore.
Merr frymë thellë dhe liroje,
më thoshte në gjuhën time.
Prisja gjilpëra të merrte udhë
në palcën tim kurrizor.
Natyra arbërore buzëqeshi:
lirohu – e mbaruam punën.
Frikën e mundi fjala shqipe,
duart e arta të mjekes – Natyra.
Ofshava thellë, nga shpirti,
dhe qeshëm bashkë – shqip/
N’ ËNDËRR ISHA
Në shekullin e reve të zeza
lumenjtë avull, skuqur toka,
nga sehirgjinjtë e tokës ilire
mbushur varre ishte toka.
N’ fund të shekullit u zunë n’kryq
demat kokë me kokë u përplasen
lumenjtë n’ të kuq shndërruar
sa fushat mbytur n’ mjegull ishin.
N’pikturë isha duke parë kohën
tri shkronjat lartësuar qiellit,
se si bartin amanetin e çlirimtarit
thanë, ato t’i ruanim të paprekura.
Me këto shkronja, UÇK, na erdhi liria
ret e zeza, hije ikur për mot shkuan,
ju… mos përlyeni shenjtërimin
në ëndërr më tha Princesha.
Loti n’gushë më kishte shkuar
duke bërtitur, fuqishëm thosha:
ju.. , që po na e turpëroni kuvendin,
koha e ligë ka me u mallkuar.
Ëndrra më doli me lotin n’gushë
duke bërtitur fuqishëm
mos na turpëroni kuvendin!
PUTHJET E VJEDHURA
Sa herë shkrova për ty, kaçurrelë
për syrin e zi, vetullën si krah bilbili
për takimin në Gërmi, pa lekë në xhep
për buzët e tua, belin e hollë që ma kishe.
Shkrova për zërin tënd të ëmbël
për arrën te pusi i ujit në fshat
për kafen që ma solle me llokum
për skuqjen kur të putha në buzë.
M’ kujtohet kur më the:
“ik ore i çmendur
po na sheh katundi, bëhemi hor”
për inat të botës t ‘putha edhe njëherë.
M’u kujtuan kulumbria te selishta e vjetër
binte borë, fjolla- fjolla, dhjetor ishte
e fshehur pas meje rrije e ndrojtur
thoshe: Jam nuse, na shohin komshitë.
Puthjet në buzët e tua dot nuk m’i ndal kush
ata…le t’ mbyllin sytë e t’ mos na shikojnë.
u rrëzuam në borë padashje tonë
ik or i çmendur, thonë nusja çekna lazdrake.
Të dy harruam si ishim shtri në borë,
qeshëm si fëmijë lazdrisur
E puthjet s’ i ndalnim dot.
MËSUES MOS E FSHEH LOTIN
E pse Luli vocërr s’kishte këpucë
këpucë siç kemi ne mësues,
s’kishte xhaketë e pantallona
çantë ku ta vendoste fletoren e grisur?
E pse Migjeni shkruante për mjerimin
Zenelin, Lulin dhe fshatarin e varfër
për fëmijët lypsar me lot faqeve
zotërinë që skllavëronte fëmijë varfanjak?
E pse u mungonte kafshata e bukës
buzëqeshja, loja e fëmijërisë
në Shqipërinë e bukur të Arbërisë
në folën e shqiponjave tona?
E pse mësues ne jetojmë jashtë atdheut
belbëzojmë gjuhën e bukur Arbërore
sikur me ne qeshin dhimbeshim shkronjat
duke lexuar tregimin për Rozafën?
A do të shkruante Migjeni për kohën tonë
belbëzimin e shqipes së bukur që bëjmë
ikjen nga atdheu, lënë të shkret kullat tona
për asimilimin e fëmijëve mërgimtarë?
Mësues mos e fsheh lotin, dhimbjen
ta shohim edhe ne fëmijët mërgimtarë
se shpirti i juaj po derdhet me sakrificë
ne të mos e harrojmë gjuhë mëmë!