Tufë Poezish nga poeti, Mustafë Krasniqi

Mustafë Krasniqi

Nënëlokja e mekur

Në heshtje
Na kafshon koha
Rrezet i lëndojmë
Ikjet po na shterojnë
Djepin e kullës së vjetër!

Në heshtje
Po e vrasim bukurin
Virgjëresha në etje po mbetet
Kalorësi ka humbur rrugë
Më kur do të kthehet?

Loja e fëmijëve po fiket
Thyhet kënga, buzëqeshja 
Nëpër rrugët e larta 
Dallëndyshet e dheut tim!

Lulet e bardha,
Në ditën e parë 
në livadhet e thata
marrin plagët dhimbjen
foshnjat mungojnë
në kullën time!

Nënëlokja e mekur
Me rrudhat e shekujve
Në kohën e zbrazur
Pret në pritje 
Djepat t’i përkund.

Bilbilat e mëngjesit 
Shurdhët rrinë
Pëllumbat përgjaken
Në oborrin përplot thera

Nënëlokja me duar të rrudhosura
Lutet t’i kthehet shpresa!

PSE EDHE TI….?
(Mërgimtari)

Dallëndyshe jeni 
Një mikë më tha
Rruga e juaj e përplasur
Mallin po e thyen n’puthje, atdheu.

Erërat zu të përplasin …
Edhe sot e për mot të ligë
Ikjet n’vargëzim, heshtja ironizon
Për fikje a harrim, populli im!

I humbur unë dhe nipi im
Po pse edhe ti, o populli im!?

VËLLAI I MOTRËS

Një copë bukë
Me çka na ka qëlluar
Vëlla për drekë të hami
Ti, bukë pogaçe ke merak!

Po na djeg malli, vëlla
Gurbeti ju ka humbur
Rrugën kur po merrni
Për atdhe, po gëzohemi!

Lot shpesh na thahen fytyrës
Në shikim, rrugëve t’kthimit
Mbrëmja po na mashtron
T’lodhur në gjumë po na vë.

Me duar hapur, presim
Dera të na hapet vëlla
Edhe vdekjen dot se bëjmë
Pa ju pasur motra afër!

Dheu i huaj, hije e mekur
Për bukë pogaçe ju merr malli
Shpesh lot na thahen fytyrës
Duart motra ua puthë!

Te dera po ju pret motra
Në oxhak, mbi mangall
Vë xhezven e kafes
Edhe hijeve u kam frikë.

Ato, hijet e priftuara
Shpesh më kanë mashtruar
Në agun e mbrëmjes!

Kthehu vëllai i motrës
Për ju kulla gëzohet!

... MOS IKNI NGA VLERAT

E çuditshme 
ikja pas shëmtimit
lakuriqësia 
perçja e zezë
ndjell vetëm zi…

Ata… 
me megafon
të harbuarit 
mendje shkurtër
me lesh dreqi
duan të na e vrasin
ndërgjegjen.

Vëlla thonë kemi dreqin
me mjekër deri në kërthizë

Modë thonë kemi zhveshjen
të tjerat betohen në vdekje
me çarçafët e zi.

Ju… mos merrni malin
n’kultura e huaja
vlerë e jona është 
Teuta si Princeshë.

Ajo s’deshi zhveshjen
gjinjtë në lëndinë
po as çarçafët e zi
t’ia mbulojnë bukurinë.

Për ne…., etninë
porosi nga princesha
të mos ikim nga vlerat.